Aktori Joaquin Phoenix është një njeri i lumtur dhe këtë askush nuk e pret. Duke parë filmat e tij, sidomos “The Joker”, ai të lë përshtypjen e një neurotiku, pothuajse i frikësuar nga vëmendja, alergjik ndaj fotove dhe pyetjeve. I veshur me xhup të zi, me një palë pantallona bezhë dhe atlete, përtej dritareve nga suita e tij në Londër, duket sikur nga qielli bien petale bore përzier me rrezet e diellit, duke theksuar një sfond portokalli. Bota u bë e vetëdijshme për Joaquin në vitin 1993 në filmin “To die for”, por duket se jeta e tij nuk ka qenë aspak ajo e Joker-it që keni parë në film: familja e tij me prindër misionarë kanë jetuar si bohemë, duke udhëtuar ngado. Pas eksperiencës në televizion, suksesi erdhi në vitin 2001 me Gladiator, film i nominuar për Oscar. Por pas një periudhe pauze, kur ju desh të linte mënjanë disa zakone jo të shëndetshme – duke ndjekur disa trajtime për detoksifikimi ndaj alkoolit, ai vendosi të rikthehet sërish në ekran. Një aktivist i përjetshëm për të drejtat e kafshëve dhe vegan, ai ha vetëm perime nga kopshti i tij, ka pasion makinat dhe e ndan shtëpinë me dy qen dhe partneren e tij, aktoren Rooney Mara.
Ju jepni gjithçka për personazhet tuaj, por këtë herë shkuat shumë larg, çfarë ju bëri Joker-i?
Më hapi sytë ndaj mosdashurisë. Sepse ai është një njeri që nuk di të dashurojë dhe mbi të gjitha, nuk e di se çfarë do të thotë të jesh i dashuruar. E imagjinova që në momentin e parë si të rritur me zemrën e një djali që jeton me nënën e tij, por nuk ka baba, nuk ka miq dhe gjithçka që mëson për botën i vjen nga televizioni, veçanërisht nga programet e viteve '50. Joker-i nuk e ka përjetuar kurrë dashurinë, por ai përpiqet të imagjinojë se si mund të jetë.
Në sheshxhirime, çfarë kishit në mendje për interpretimin e këtij personazhi?
Përpiqem t'i besoj instinkteve të mia, të ndryshoj performancën, edhe nëse nuk del gjithmonë ashtu siç dua unë. Edhe pse unë e di se ku dua të shkoj; është më e ndërlikuar të kuptosh se si të arrish aty ku do. Nëse je me fat dhe punon me një regjisor që të jep mundësi të bësh gabime, kjo të mëson të njohësh dhe duash personazhin, sepse vetëm në këtë mënyrë ke mundësi që t'i afrohesh përsosmërisë. Por në këtë rol, nuk është e lehtë, sepse ndryshon vazhdimisht. Joker-i kërkon fleksibilitet dhe sapo hyra nën lëkurën e tij, e ndjeva dridhjen e tij: ishim në rezonancë, 24/7.
Keni patur ndonjë dyshim për këtë rol?
Në fillim po, madje pranova kur ma propozuam, sepse kisha frikë. Por duke qenë se frika më ka motivuar gjithmonë në punën time, truri im ndryshoi strategji. Thashë me vete: Mund të refuzoj sepse skenari nuk është në nivel, por jo të kem frikë nga personazhi. Pasi e lexova, nuk mund të justifikoja asgjë, sepse shpesh nga filmat e frymëzuar nga komikët, protagonisti reduktohet në një arketip. Me skenarin në dorë përjetova të kundërtën: kishte momente që më vinte keq për Joker-in, ndihesha po ashtu po aq i neveritshëm sa ai. Arthur Fleck ka shumë mister, ka brenda tij shumë të kundërta, të cilat në këtë botë të plagosur mund të na duken thjesht si njerëz të rraskapitur nga jeta, ose pa ndërgjegje, por papritur e kupton se problemet e shëndetit mendor janë reale, aq sa edhe çmenduritë e jetës sonë.
Si ishte të luaje krah Lady Gaga në film?
Kur u takova me Lady Gaga-n në xhirimet e filmit, i kërkova nga ajo disa mësime pianoje, sepse kisha luajtur që në moshën 4-vjeçare, ndërsa ajo më kërkoi këshilla teknike mbi aktrimin. Kjo na ndihmoi që të kishim një raport të mirë. Isha nervoz kur më duhej të këndoja para një artisteje kaq të madhe të muzikës, por ama ishte kaq emocionuese. Zbulova se Gaga ishte gjithmonë inkurajuese, duke më këshilluar të bëj atë që ndiej.
Po raportin me regjisorin Todd Phillips, si ishte, thonë që është i vështirë?
Nuk jam tipi që kam nevojë për përkëdhelje në sheshxhirim, por mbaj mend një këshillë që ai më tha për rolin: Arthur është si xhazi, lëre të rrjedhë, nuk është matematikë. Dhe ai kishte të drejtë, sepse edhe pse në dukje ngjante si një skenar personal, i takon aktorit të gjejë mënyrat për të treguar gjithë botën e tij të brendshme, duke shpërfaqur ngjyrat, por edhe errësirën e Arthur-it sipas situatave ku ai gjendet. Pikërisht këto nuanca e bëjnë diferencën e këtij personazhi.
Kur zgjedh një film, a do që regjisori të jetë patjetër i njohur?
Në fakt më pëlqen kur nuk e njoh shumë punën e regjisorit. Më ka ndodhur që dikush më ka sjellë një propozim dhe pa u menduar kam pranuar. Dua të mësoj nga regjisorët e rinj. Natyrisht, ka të njohur nga të cilët mëson shumë, si Ridley Scott me filmat e të cilit jam rritur dhe para se të bënim “Gladiator”, unë e kam dashur një rol nga ai.
Ju e keni nisur punën në kinema në një moshë shumë të hershme, a je penduar?
Ndoshta, sepse është e çuditshme sepse për aq kohë sa kam bërë filma, shoh që nuk njoh shumë nga ana teknike. Dua të them, gjithçka që të mësojnë kur je fëmijë për aktrimin është krejtësisht e gabuar. Ju thonë të mësoni përmendësh, ndiq dritën e kuqe dhe ji i vëmendshëm pas ‘ciak-ut’, por filmi më ka mësuar që pikërisht këto janë tre gjëra nuk duhet të bëj.
Sa të bën të lumtur filmi?
Ndoshta nuk do të jem kurrë i lumtur...! Nëse do të isha i lumtur për diçka që kam bërë, atëherë do të ndihesha shumë keq. Kam 30 vjet që merrem me aktrim, por unë i kam ende të përziera emocionet e mia me ato të ditës së parë të xhirimeve, pra çdo film më duket si dita e parë.
Çfarë do të ndryshoje nga jeta juaj po të ktheheshe 30 vjet më parë?
Më pëlqente hip-hop-i dhe ndoshta do të kisha dashur të isha bërë këngëtar. Kam patur disa eksperienca në skenë, ndaj sa herë kthej kokën pas e shoh veten dukë kënduar. Mbaj mend që asokohe edhe kam shkruar disa këngë, por jeta pastaj mori një tjetër rrjedhë drejt aktrimit.
Si është të jesh përjetësisht veganist?
Për mua ka qenë gjithë jetën njësoj, sepse u bëra vegan kur ishte vetëm tre vjeç. Kjo ndodhi kur unë me vëllezërit e motrat e mia ishim dëshmitarë të vrasjes së një peshku në mënyrë agresive. Nga ai moment familja ime vendosi menjëherë që të hante asgjë që lidhej me jetën e kafshëve. Këtë e kam treguar edhe në filmin dokumentar “Earthlings”, ku i sjell gjithë botës detaje sesi shfrytëzimi i kafshëve për ushqim, veshje, kërkime shkencore dhe argëtim është një veprim aspak human. Unë ha me shumë dëshirë perimet nga kopshti im, të cilat i rrit vetë dhe kjo është një gjë shumë e mirë për mua, shëndetin tim dhe të familjes.



















