Veprimtaria letrare e kolosit Ismail Kadare do të ruhet në një pavijon të veçantë të Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave. Familjarët e Kadaresë kanë dorëzuar për ruajtje të gjithë koleksionin e tij, ku përfshihen edhe dorëshkrime, skicë idesh, dorëshkrime të veprave të pabotuara, si dhe drafte fillestare të punimeve të tij.
Për t’i dorëzuar ato në Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave ishte vajza e shkrimtarit të madh, Gresa Kadare, e cila gjatë fjalës së saj tha, “Ismailit në Paris para disa viteve i janë afruar plot institucione të huaja, qofshin franceze, Universiteti i Sorbonës, Akademia e Francës. Ata donin të merrnin plotësisht ose pjesërisht një pjesë të arshivave, sigurisht me mendimin e Ismailit. Erdhi edhe një propozim shumë interesant nga Universiteti i Princetone në Neë York. E shikoja që Ismaili hezitonte, ishte në mëdyshje, diçka e pengonte dhe nuk ka dhënë përgjigje të qartë.
Unë i thashë më vonë si e ke menduar, në diskutim mes ne të dyve. Çfarë do të bëhet me arkivën tënde, të marrim një vendim. Nuk di tha ç’të bëj sepse dua që arkivi të kthehet në Shqipëri, por nuk di cilit institucion t’ia besoj. Ai nuk dha përgjigje të prerë, por unë në mënyrë subliminale vendosa me iniciativën t’ia plotësoj këtë amanet duke ju dhënë juve besimin total, sepse është shumë e vështirë qoftë një institucioni serioz gjëra kaq të vyera. Jam shumë e prekur, pashë në zyrën tuaj kodikët e Beratit, që prehen këtu. Më emocionon ideja që dorëshkrimet e Ismailit do të jenë në shoqëri të mirë, pranë kodikëve të Beratit”, tha ajo.
Mes materialeve të dorëzuara, bëjnë pjesë dorëshkrimet e veprave: “Spiritus”, “Darka e gabuar”, “Ra ky mort e u pamë”, “Jeta, loja dhe vdekja e Lul Mazrekut”, “Koha e parasë”, “Historia e Lidhjes së Shkrimtarëve”, “Stinë e mërzitshme në Olimp”, “Hamleti”, “Hijet”, “Përbindëshi” dhe “Mosmarrëveshja”, “Sorkadhet e trembura”, “Aksidenti”, “Ftesë në studio”, “Ëndërrimet” dhe “Mëngjese në Kafe Rostand”.