Nga Nada Biraçi
Prej 10 vitesh në palestrën e saj të baletit hedhin hapat e parë të kërcimit fëmijët specialë, ata të cilëve natyra u fali një kromozon më shumë. Arlin ka zgjedhur t’i përkrahë këta fëmijë, duke i mësuar baletin pa asnjë pagesë. Një kontribut të cilin mësuesja e baletit modestisht e quan të vogël, por mirënjohja e prindërve dhe sytë e ngazëllyer të këtyre nxënësve sapo shkelin palestrën, rrëfejnë çdo ditë veprimin fisnik të mësuese Arlin. Zyra e saj është e mbushur me vizatime dhe punime dore nga nxënësit e saj specialë, e ndërsa m’i tregon me krenari, e ka të vështirë të fshehë sytë e përlotur, nga kushedi çfarë kujtimesh i zgjojnë ato punime. Nuk e pyes dhe as nuk dua t’ia cimbis ndjesinë, por lehtësisht kuptova lidhjen e fortë që Arlin Zhugri ka me këta fëmijë…
Prej dhjetë vitesh, ju keni inkorporuar në klasat tuaja të baletit edhe fëmijë me sindromën down. Si ka qenë kjo eksperiencë prej fillimit e deri sot?
Lidhja ime shpirtërore me këta fëmijë ka nisur më shumë se 10 vite më parë, kur një vajzë e vogël që quhej Irma Nika, ishte një fanse e madhe e bashkëshortit tim Sokolit. Ajo ndiqte çdo shfaqje baleti të Sokolit dhe ishte e pamundur të mos lidheshe shpirtërisht me atë fëmijë. Më pas, kur një tjetër vogëlushe që sot është studentja ime prej 10 vitesh, kur ishte vetëm 4 vjeçe më tërhoqi vëmendjen me mënyrën sesa me dëshirë na ndiqte, kur ne po jepnim një shfaqje në qendër të Tiranës. Prej asaj dite, Belgisa dhe çdo fëmijë special me të cilin kam punuar në palestrën time, më kanë bërë të njoh dashurinë më të pastër dhe më pa kushte, që një njeri mund të provojë në jetë.
Si i kujtoni fillimet tuaja, kur vendosët të përfshinit fëmijët me sindromën down në studion tuaj të kërcimit?
Do të gënjeja, nëse do thosha që nuk kemi patur vështirësi dhe sfida në fillimet tona. Më vjen keq të pranoj se kur 10 vite më parë kur e morëm këtë vendim, jemi hasur me stepje dhe pakënaqësi te prindërit e fëmijëve të tjerë, dhe ato kanë qenë përballjet më të trishta për mua. Por nuk u dorëzova, kam bërë edhe kompromise të tilla, duke zgjedhur të humb ‘klientelë’ për të mbajtur fëmijët specialë. Dhe kam bërë shumë mirë, sepse realiteti sot është shumë më ndryshe. Me krenari e pranoj se gjithëpërfshirja dhe promovimi nëpër evente me një dashamirësi të madhe, ka rritur ndjeshëm ndërgjegjësimin për pranimin e këtyre fëmijëve. E gjithë kjo është arritur në sajë të dashurisë, që ata fëmijë kanë për ne dhe ne për ta.
Thatë pak më lart që tani realiteti është më ndryshe. Me këtë doni të thoni që është rritur ndërgjegjësimi?
Po, po shumë! Të paktën në rrethin tim të ngushtë mes fëmijëve, prindërve apo qoftë edhe në publik më të gjerë, shoh një ndërgjegjësim që vlen të vlerësohet. Sa i përket klasës sonë, ne tani jemi të gjithë njësoj dhe prej vitesh nuk kam vënë re asnjë lloj diferencimi mes shokëve dhe shoqeve të klasës. Ne jemi si familje në palestër.
Po fëmijët e tjerë, si janë përshtatur me shokët specialë të klasës?
Fëmijët janë të prindërve, që i kanë rritur dhe edukuar. Siç thashë pak më lart, ka patur raste kur më janë larguar nxënës për këtë arsye, ka patur raste të tjera që ndoshta në fillime janë përshtatur me vështirësi, por më pas ka kaluar gjithçka qetësisht, e po ashtu edhe fëmijë të cilët që ditën e parë që kanë parë në klasë një shok apo shoqe më sindromë, e kanë pranuar pa më të voglin hezitim. Unë lutem dhe dua shumë, që të rrisim fëmijë të tillë.
Gjatë eksperiencës tuaj me punën me këtë fëmijë, ka patur talente në kërcim?
Patjetër që po. Ka patur disa fëmijë me sindromë që kanë qenë vërtetë të talentuar, por për një arsye apo tjetër disa prej tyre, nuk e kanë vazhduar sistematikisht kërcimin. Aktualisht kam 2 nxënës 14-vjeçarë, shumë të talentuar Belgisa dhe Marvi, të cilat në shumë raste janë solistët në aktivitetet e shumta që ne zhvillojmë.
Sa ndikon te balerinët specialë sjellja e publikut, audiencës gjatë performancës?
Ndikon vërtetë shumë, si për mirë, ashtu edhe për keq. Ata kanë një aftësi të pagabueshme për të ndjerë energjinë e mirë, apo për të dalluar qoftë edhe mes turmës njerëz jo dashamirës. Nëse ata vërejnë vështrime përbuzëse reagojnë menjëherë dhe janë të vetmet raste, kur një individ me sindromë down mund të bëhet agresiv. Për t’u kthyer te pyetja, kur publiku është dashamirës ndaj tyre, ata kthehen në nxënësit e mi shembullorë, për të cilët jam krenare sa herë i shoh nëpër skena të ndryshme.
Po juve vetë, çfarë ju kanë mësuar këta fëmijë?
Mua ata më kanë mësuar formën më të pastër dhe më pa kushte të dashurisë. Një përqafim i beftë i tyre, ma çon zemrën peshë.
Ju rrëfejnë sekrete?
Po, patjetër (qesh). Nga ato rrëfimet e lezetshme të moshës së tyre, por që sigurisht nuk do t’jua tregoj juve.