KreuArt

Aida Baro: “Pre” e autorëve të mi

Aida Baro:  “Pre” e autorëve të mi

Të njohësh letërsinë përmes përkthimit dhe jetës së autorëve

Nga Ilda Lumani

Cila është ana e drejtë e historisë? A është gjithmonë i miri i mirë, dhe anasjelltas? Me shumë vonesë këtë prag pranvere lexova “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” (1986 viti i botimit, në shqip i ardhur këtë vit), nga Primo Levi, një rikthim dhe qëndrim i tij për Aushvicin, por edhe për njerëzimin, qëndrimin e protagonistëve dhe xhelatëve pas 4 dekadash nga tmerri nazist. Nga ana tjetër teksa lufta Izrael-Palestinë na përplas në fytyrë të tjera të verteta, teori skandaloze siç është ishulli dedikuar Gjirit të Gazës, koncepti i të cilit ngjan gati njëjtë me kampet e përqëndrimit! Fare rastësisht në vitin 2008 u bëra bashkë me një grup hungarez për të vizituar kampin e Aushvicit për te kujtuar viktimat hungareze në atë vend vdekjeje! 16-vite më pas e kujtoj si një nga ditët më shokuese të jetës sime. Duke qenë se udhëtimi ose më saktë guida jonë ishte e organizuar në te tillë mënyrë, që të njiheshim me disa nga ngjarjet dramatike të personazheve konkretë arrita të kuptoj më qartë se kurrë se çfarë ndodhte në ato kampe! Se çfarë kinemaja dhe letërsia, apo edhe historia kishte thënë për ta ishte jo thjesht e pamjaftueshme, por e pamundshme për t'u treguar, përcjellë dhe kuptuar! E teksa lexova Primo Levin, si një protagonist real, që në vitin '86 kohë kur shkruajti librin në origjinal "Racconti e saggi”, shumica e gjërave, fakteve dhe kujtimeve ishin fshirë, çfarë mund te thuhet në 2024-ën, ku të mbeturit e gjallë gati janë shuar dhe të tjera ngjarje zhvendosin vëmendjen..! Kjo ishte spuntoja, që mora për të biseduar me përktheyesen e njohur të italishtes dhe autorëve më të mëdhenj italianë (mes të cilëve Alberto Moravia), e cila e kapërcen cakun e njohjes me letërsinë e saj, duke shkuar tek autori dhe jeta e tij!

Aida, përmes përkthimit njeriu hyn më thellë në brendësi të letërsisë. Sa përfshihesh emocionalisht me krijimtarinë apo dhe vetë autorin, jetën e tij?

Është një pyetje me shumë vend, sepse një përkthyes i mirë domosdoshmërisht duhet ta njohë autorin sa më mirë që të jetë e mundur. Në kushtet ideale, sidomos për autorë të një kalibri të lartë, përkthyesi do të duhej të studionte jo vetëm veprën për të cilën po punon, por të paktën edhe dy-tre vepra të tjera, të kishte kontakt me studiues e kritikë të atij autori. Personalisht, për veprat që kam përkthyer nga Goliarda Sapienza e këtej më është dashur të studioj shumë dhe doemos të përfshihem emocionalisht në jetën e autorëve që kam përkthyer. “Muza e haresë” më shtyu të shkoja në Catania, në Sicili, për të zbuluar më tepër për Goliarda-n, për të parë shtëpinë ku ka lindur, lagjen dhe banesën ku është rritur, me një nënë kaq të lirë, kaq të emancipuar, një nga socialistet e para në Sicilinë e viteve ’20 të shekullit të kaluar, saqë ndonëse kishte 7 fëmijë të tjerë nga një martesë e mëparshme, nuk pranoi të martohej me të atin e Goliardës, duke ligjëruar në njëfarë mënyre bashkëjetesën qysh atëherë; një baba, avokat, anarkist, që e rriti të bijën me lirinë për të vendosur vetë për gjithçka, duke e bërë dhe të brishtë në botën që kërkonte kompromise. Po ashtu, pas përkthimit të “Përçmimit” dhe “Jetës shpirtërore” kam vizituar shtëpinë e Alberto Moravia-s në Romë për të njohur më mirë atë pjesë që rrallë i jepet publikut, për të parë sa ka nga jeta e tij reale nëpër librat që ka shkruar dhe kam zbuluar një përkorje të madhe, një shtëpi të këndshme, fine, pa salltanete; nëpër mure, piktura dhe objekte nga Afrika, pastaj biblioteka e libra ngado. Ndërsa në dhomën e gjumit, veç një gramafon i madh mbi komodinë, një karrige lëkundëse dhe shtrati i madh. Primo Levi me përvojën e tij në Lager më shtyu të shkoja në Torino, në Qendrën e Studimeve Ndërkombëtare Primo Levi, për të studiuar thellësisht veprën e tij, ndërsa për Ungaretti-n dhe poezinë e tij kalova dy javë në Romë, në Shtëpinë e Përkthimit, duke rrëmuar nëpër libra kritikësh, duke u përpjekur ta shihja Romën me sytë e tij, vendet ku ai kishte kaluar një pjesë të madhe të jetës. Pier Paolo Pasolini më ka nxitur të rend rrugicave të Trastevere-s në Romë, që sot është një pikë turistike, por dikur ka qenë zona e “nënproletariatit”. Pra, siç shihet, me dëshirë, bëhem “pré” e autorëve të mi, i lë të më pushtojnë për t’i sjellë sa më mirë në shqipe.

Primo Levi, është një autor të cilit i rikthehesh për herë të dytë, sepse e solli rasti, apo për shkak të letërsisë apo edhe pakëz predispozitë nga ti?

Me Levi-n, praktikisht kam rënë në dashuri. Është një autor, të cilin, nga momenti që arrita ta “zbërtheja” dhe ta bëja timin, gjatë përkthimit të “Armëpushimit”, e ndjeva tepër të afërt me veten, me natyrën time. Me atë brishtësinë në dukje, por me këmbënguljen qytetare për të bërë të njohur tmerret e Lager-ave nazistë, atë kërdi të jashtëzakonshme, që ai e pësoi mbi kurriz, por pa humbur asnjëherë tiparet njerëzore, Levi më hyri në zemër dhe ishte e pamundur që të hiqja dorë prej tij. Kështu që, përkthimin e eseve “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” e kisha një gur kilometrik në jetën time, qysh pas “Armëpushimit” dhe, për fatin tim të mirë, Orjela Stafasani, në atë kohë redaktore editoriale në shtëpinë botuese “Dukagjini” e dinte këtë gjë, ndaj mund të them që ishte rasti fatlum kur yjet bashkohen tok dhe përkon dëshira, pasioni dhe detyra.

Tek “Të mbyturit dhe të shpëtuarit” ka shumë pyetje të mëdha, që duket se i flasin shumë edhe realitetit sot, si: Cila është ana e drejtë e historisë? A është gjithmonë i miri i mirë, dhe anasjelltas? Juve vetë, cilat ishin ato momentet, pyetjet dhe çështjet që ju prekën më shumë nga ky libër?

“Të mbyturit dhe të shpëtuarit” është një vëllim me tetë ese, me reflektime të thella jo vetëm mbi kampet e përqendrimit, që i takojnë një periudhe të largët tashmë, si Lufta e Dytë Botërore, por mbi sjelljen e qenies njerëzore në kushte ekstreme. Nisur nga përvoja e tij në kampet e Aushvicit, Levi analizon jo vetëm të burgosurit, por futet nën lëkurën e nazistëve dhe dhunuesve. Pyetja që lind vetvetiu kur lexon këtë libër është: “Si do të sillesha unë, po të mos kisha për të ngrënë, po të më detyronin të bëja punë të rënda, po të më dhunonin sistematikisht, fizikisht, psikologjikisht, emocionalisht, derisa më zhvishnin edhe tiparin më njerëzor? Do të bëja kompromis, duke dhunuar të ngjashmit e mi? A do të isha unë në gjendje të bëhesha xhelati i “armikut” tim? A do ta zgjasja dorën për të ndihmuar shokun tim?”. Levi e di fare mirë se në thelb, qenia njerëzore nuk ndryshon. Ne sot përballemi me zhvillime teknologjike të paimagjinuara kurrë, por mbetemi po aq primitivë në ndjenja: kemi inate, xhelozi, zemërime, mllefe, etje për pushtet, etje për para, urrejtje (të padobishme, do ta quante Levi) jemi mizantropë dhe individualistë, tipare të përshkruara që nga hyjtë në mitologji e deri në çdo libër të shkruar sot. Dhe të gjitha këto tipare shfaqen pikërisht në kushte ekstreme, në dhuna kolektive dhe individuale, dhe njeriu rrallë e fal tjetrin. Ky është aktualiteti i vëllimit “Të mbyturit dhe të shpëtuarit”, analizën e të cilit mund t’ia mveshim çdo formati “modern” televiziv, ku lufta për mbijetesë bëhet tepër e egër dhe tërësisht çnjerëzore. Personalisht, më ka lënë mbresa eseja “Turpi”. Turpi që ndiejnë të shpëtuarit e mbetur gjallë në vend të një tjetri, turpi që ndiejnë sepse nuk i kanë dhënë një pikë ujë shokut me buzë të plasaritura, “turpi i botës”, ai turpi që ndiejmë sepse i përkasim së njëjtës racë njerëzore, si xhelatët, si të dhunuarit. Është një turp që do të na shërbente sot për të mos e persekutuar tjetrin, për të na bërë më njerëzorë, por me sa duket, e duke parë luftërat nëpër botë, është e kotë.

Përse vlen rikthimi i vëmendjes tek ngjarjet e Aushvicit dhe pasojave që ka lënë tek individi? Dhe a ka kuriozitet kjo çështje tek lexuesi shqiptar?

Për të mos harruar! Njeriu priret t’i fshijë nga kujtesa gjërat e këqija që i ndodhin, madje Levi i kushton esenë e parë “Kujtesa e poshtërimit” vetë kësaj dukurie. Të gjithë, edhe xhelatët, edhe të vuajturit duan të harrojnë, por nëse harrojmë, historia përsëritet. Ky libër shërben si kujtesë dhe për burgjet e kampet e punës së diktaturës këtu te ne. Dalëngadalë, po i mbulon harresa, të rinjtë nuk e dinë më çfarë ka ndodhur në atë kohë dhe ne, pikërisht për të mos i lënë gjërat të përsëriten, do të duhej t’ua bënim të njohur me qëllimin për t’i ndërgjegjësuar për të shkuarën. Për fakt të keq, një shoqërinë e sotme shqiptare, interesi për të shkuarën, qoftë shqiptare, qoftë e huaj, është i paktë, siç janë të paktë ata që lexojnë dhe më të paktë, ata që lexojnë letërsi të tilla angazhuese.

Letërsia italiane është ajo ku fle më së miri puna juaj si përkthyese. Mes shumë emrave të rëndësishëm të kësaj letërsie, cili është autorin që ti veçon më shumë? Përkthimi i të cilit të pëlqen dhe tërheq?

Fatmirësisht, vitet e fundit, kam pasur luksin të zgjedh autorët që kam dashur të përkthej dhe në njëfarë mënyre, i kam plotësuar “tekat” e mia, por do të më pëlqente të thelloja punën me Levi-n, me tregimet e tij që nuk kanë të bëjnë më me Shoah-në, por me profesionin e tij si kimist. Po ashtu, do të doja të sillja dhe disa tituj të tjerë nga Goliarda Sapienza, sepse tregojnë luftën e një gruaje për emancipim, gjë tepër e nevojshme këtu te ne sot. Dhe një autor që e kam për zemër, është Cesare Pavese, poet dhe romancier i njohur Italian.

I rikthehesh librave që keni përkthyer, apo si autorët edhe ju e quani kapitull të mbyllur?

Kam frikë t’u rikthehem. Ose më saktë, u rikthehem pas shumë vitesh. Druaj se mos gjej gabime, qoftë edhe drejtshkrimore, sepse e di që do më mbetet mendja aty për shumë gjatë e do të më torturojë ideja që mund ta kisha mbajtur edhe një çikë nëpër duar, që ta kisha bërë edhe më mirë. Është një mani imja kjo e përsosmërisë, që më mbyt vazhdimisht dhe më shkakton ankth, por besoj se një përkthyes pa dyshime dhe ankthe do të ishte çudi të gjeje.

Po autori që ju sfidon gjithmonë me letërsinë e tij?

Tani për tani, Giuseppe Ungaretti. Nëse Levi-n e rroka në të gjitha dimensionet e tij, Ungaretti me poezinë hermetike dhe simbolike përbën një sfidë të vazhdueshme zbërthimi dhe kuptimi. Është një lloj adrenaline që ta jep kërkimi i ethshëm për ta kuptuar, ai të ngre mure e labirinte, ku humbet. Duhet t’i gjesh fillin e Arianës, simbolin dhe imagjinatën, melodinë e brendshme, ritmin, që ndonjëherë, pasi e zbulon, mbetesh e habitur që është aq e thjeshtë. Si kjo poezi:

“Fine / In se crede e nel vero chi dispera?”

”Fund / Vetes dhe së vërtetës i zë besë i pashpresi?”

Aktualisht, çfarë autori keni në dorë?

Kësaj radhe bëhet fjalë për një autore shqiptare, që shkruan në italishte, Elvira Dones, me romanin më të ri La breve vita di Lukas Santana, botuar në Itali nga një shtëpi botuese prestigjioze si La nave di Teseo. Është një sfidë interesante, sepse për herë të parë përballem me një autore të gjallë e për më tepër që është dhe shqiptare. Kjo e bën një përvojë unike në llojin e vet, se sa do të ndryshojë Elvira përmes Aidës kjo mbetet për t’u parë, sepse jam në fillim të punës dhe ende s’i kemi filluar “sherret” autor-përkthyes, që janë vërtet të bukura dhe nxitëse, sepse janë dy

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF