KreuArt

6 libra të rinj, sugjeruar nga Bordo!

6 libra të rinj, sugjeruar nga Bordo!

Bibliotekë

 

Libri i Blamit

Aleksandar Tišma -  Çmimi: 1 400 lekë

Ky libër rrëfen historinë tragjike të hebrenjve të Novi Sadit përmes një të mbijetuari, Miroslav Blamit, i cili shpëtoi falë konvertimit të tij. Libri ndjek identifikimin e heroit me viktimën, pjekurinë e vetëdijes së heroit, i cili është i destinuar të mbetet viktimë. Personazhi kryesor Miroslav Blami, duke u endur rrugëve, e thërret ngado vdekjen për ta mposhtur turpin që nuk i ndahet. Me “Librin e Blamit”, shkrimtari Aleksandar Tišma hap me guxim një kapitull të ri në tematizimin e Holokaustit, që shënoi tri dekadat e fundit të letërsisë europiane.

 

Doktrina sekrete

Helena p. Blavatsky - Çmimi: 1 700 Lekë

Helena P. Blavatsky, shumë njerëz e kanë sharë dhe e kanë përbuzur. Të tjerë e kanë adhuruar, shenjtëruar dhe kanë gjetur shpëtim tek ajo. Por, ndjekësit e shumtë që ka patur dhe ka edhe sot e kësaj dite, e kanë bërë ndër spiritualistet më të njohura. E lindur në një familje aristokratike gjermano-ruse në Ukrainë, kur ishte fëmijë ajo udhëtoi në të gjithë Perandorinë Ruse dhe më pas zhvilloi interesat për ekzoterizimin perëndimor. Ajo ndoqi për disa vite grupet e spirtualistëve “Mjeshtrat e dijes së lashtë” dhe ato të shkollës tibetiane.

 

Mirupafshim atje lart

Pierre Lemaitre – Çmimi: 1 500 lekë

Tetor 1918. Pasi i mbijetuan masakrës së Luftës së Madhe, në vitin 1918, Alberti dhe Eduardi gjenden të margjinalizuar nga shoqëria. Alberti është një punonjës modest që ka humbur gjithçka dhe shpëton në fushën e betejës, në ditët e fundit të konfliktit, ndërsa Eduardi është një djalë i pasur, me dhunti të jashtëzakonshme artistike. Pas lirimit, të dënuar me një jetë të mjerueshme dhe të përjashtuar nga çdo gjë, vendosin të hakmerren duke shpikur një mashtrim kolosal në dëm të vendit, ngrenë në sakrilegj statusin e një vepre arti.

 

Shartimi

Luigi Pirandello – Çmimi: 700 lekë

Laura është me barrë pas një përdhunimi, i shoqi Xhorxho dhe mjeku kërkojnë abortin, por ajo nuk pranon, sepse ka dëgjuar “leksionin” e kopshtarit Filipo, që teksa shartonte pemët, i tregon asaj sesi në një pemë mund të futet një syth dhunshëm dhe, po u mbajt me kujdes, po iu mundësua ajri, ai syth nuk ka të bëjë asgjë me trungun nga është marrë, por i përket tërësisht pemës së re, fruti i së cilës nuk lidhet me pemën e vjetër. Laura e kupton mesazhin: shartimin e lexon si përdhunim, sythin si ngjizje, ajrin si dashuri, frutin si fëmijë.

 

Krahu i katërt

Autori: Rebecca Yarros – Çmimi: 1 600 lekë

Violetë Sorengeill duhej të hynte në Kuadratin e Shkruesve, por gjeneralja, nëna e saj, e urdhëroi të hynte tek elita e Navarrës. Shumë donin ta vrisnin për nënën e saj të pushtetshme, të tjerë i trembeshin. Çdo ditë që kalonte, lufta bëhej më e egër, mbrojtësit e mbretërisë binin një e nga një dhe vdekjet po shtoheshin. Violeta nisi të dyshonte se udhëheqësit fshihnin një sekret të tmerrshëm. Të gjithë kishin agjendat e veta në akademinë Basgiathit, sepse kur hyje aty, kishte vetëm dy rrugë për të dalë: ose i diplomuar, ose i vdekur...

 

Ligjet e Manipulimit

Autori: Emin Efendi – Çmimi: 1 500 lekë

Marrëdhëniet, dashuria, pëlqimi, të qenit i dashuruar, vëmendja. Të gjitha janë pjesë e jetës sonë private, që mund të lartësojnë energjinë tonë. Ndonjëherë marrëdhëniet mashkull-femër mund të jenë një rrëmujë mendimesh dhe pamundësi për t’u shprehur me fjalë. Në libër, do të gjeni informacion për raportet burrë-grua dhe do të mësoni psikologjinë e errët dhe teknikat e manipulimit, për të rregulluar marrëdhënien tuaj dhe për të marrë personin që ju doni. Sigurisht, ky informacion synon të mbrojë ju dhe ndjenjat tuaja të çmuara.

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF