Nëse disa mund të mendojnë se të jesh vajza e një prej yjeve më të famshëm e më të respektuar të rrokut, do të të drejtojë drejt shumë avantazheve teksa ndërton një karrierë, dizenjuesja britanike Stella McCartney nuk mund të jetë plotësisht dakort me këtë gjë. Stella McCartney, vajza e Sir Paul, një nga anëtarët e grupit Beatles, një nga grupet më influencuese të rrokut në histori, ka talent dhe ambicie për karrierën e saj, edhe pse shumë skeptikë shpeshherë, e kanë lidhur famën e saj për shkak të lidhjeve familjare me yllin e rrokut, babain e saj. Të jesh një McCartney, sigurisht ka avantazhet e saj, po koha ka treguar se kreativiteti, stili dhe mënyra si e sheh ajo industrinë e modës, e ka shndërruar Stella-n në një forcë të fuqishme në mode.
Vegjetariane prej pothuajse një jete, Stella McCartney nuk përdor lëkurë apo pellush në dizenjimet e saj dhe përpiqet gjithnjë të respektojë e mbrojë planetin dhe banorët e tij. Në 1997, pas dy vitesh diplomim në gjimnaz, McCartney zuri titujt kryesorë në media, kur u punësua si drejtore artistike e shtëpisë së modës Chloe, në Paris. Ajo qëndroi plot 4 vjet aty, duke bërë ç’ishte e mundur të ridefinonte imazhin e kompanisë, e gjithashtu të krijonte veshje për konsumatorët e grupmoshave të reja. Në vitin 2001, McCartney u largua nga Chloe, për të filluar sipërmarjen e saj me Gucci Group. Paralelisht u mor me hapjen e disa butiqeve në NewYork, Londër, Los Angeles, e në vitin 2003 prezantoi dhe një linjë parfumesh që mbanin emrin e saj.
Gazetarët e modës në kohën e lançimit të linjës së saj, pas shfaqjes filluan të shkruanin se ajo po bëhej e famshme për shkak të mbiemrit. Gjithsesi, me koleksionet e saj, Stella arriti t’i provonte kritikëve se ajo që mendonin ishte e gabuar. U rikthye në rrënjët e saj, duke u fokusuar tek dizenjimi i veshjeve që i bënte femrat të ndiheshin dhe dukeshin bukur.
Stella McCartney në vitin 2000 fitoi çmimin ‘Dizenjuesja e vitit’ nga revista Vogue, ku çmimi iu dorëzua nga babai i saj Paul McCartney. Në po këtë vit Stella, dizenjoi fustanin e nusërisë së Madonna-s, për martesën e saj me Guy Ritchie. Në janar të 2007, lançoi linjën e saj të kujdesit të lëkurës të quajtur CARE. Produktet 100% organike përfshinin plot shtatë produkte, të cilat kishin në përbërjen e tyre limon, çaj jeshil, lule uji etj.
McCartney vazhdoi sërish të dizenjonte veshje për turneun Re-Invention të Madonna-s, turneun e Annie Lennox, kostumet për aktoret Gwyneth Paltrow dhe Jude Law në filmin Sky Captain dhe World of Tomorrow. Në 2004, Stella bashkëpunoi me Adidas për krijimin e një linje veshjesh sportive për femra, me kostume për not, palestër, vrap, tenis dhe sporte dimërore.
Në 2005, ajo dizenjoi një sërë veshjesh dhe aksesorësh për H&M, për të rritur klientelën e saj dhe për të krijuar mundësi më të përballuesheshme për klientët që dëshironin të visheshin me emrin e saj. Linja e prezantuar në Nëntor, u shit pothuajse që ditën e lançimit, për shkak të ngjashmërisë që kishte me linjë e saj të shtrenjtë.
Në Mars 2007, Stella krijoi 42 veshje të ndryshme, të cilat u prodhuan në Kinë dhe u shitën në 100 dyqane të autorizuara në Australi. Të gjitha veshjet u shitën, njerëzit filluan të blinin e më pas t’i shisnin me çmim më të lartë në Ebay. Pasi mbaroi ‘histerizmi’ i blerjeve, një numër i madh i veshjeve filluan të ktheheshin nga klientët me pretendimin se rrobat ishin jo në masën e duhur. Një burim nga dyqanet e autorizuara u justifikua me faktin se veshjet e krijuara nga Stella ishin ‘bujare’ dhe ‘oversized’. Në 2008-ën, ajo bashkëpunoi me linjën e veshjeve intime Bendon dhe LeSportsac për dizenjimin e çantave, ku përfshihen 40 stile që varionin nga 200 deri në 500 dollarë.
Një vit më pas, Stella prezantoi një linjë veshjesh për fëmijë në bashkëpunim me Gap, ku veshjet do të shiteshin në dyqanet e Gap në SHBA, Kanada, Mbretërinë e Bashkuar, Francë, Irlandë dhe Japoni. Që pas lançimit të linjës së saj, McCartney ka dizenjuar paralelisht për një sërë artistësh duke përfshirë: Reem Alasadi, Gary Hume, R. Crumb, Jeff Koons, David Remfry dhe Ed Ruscha.
Të gjithë produktet e saj reflektojnë dedikimin e McCartney-t për të drejtat e kafshëve dhe kauza të tjera. Në krijimet e saj ajo përdor kryesisht pambuk dhe mëndafsh, e jo lëkurë apo pellush. Parfumet e saj gjithashtu nuk krijohen me lule të kultivuara nga dora e njeriut, ajo nuk pranon kurrsesi që lulet që përdoren për parfumet e saj, të jenë mbledhur nga fëmijë që përdoren si skllevër.
McCartney, gjithë këtë ia atribuon mënyrës së jetesës së prindërve, kryesisht mamasë, e cila i solli një tragjedi që u pasqyrua dhe në karrierën e saj kur ajo u largua nga jeta në vitin 2003, pas një bëteje të gjatë me kancerin e gjirit. Stella pranon se nuhatjen për modën e ka trashëguar nga mamaja e saj: “Konfidenca për të veshur rrobat që ajo donte, sesa të ndiqte trende, një kombinim i “të vjetrës” me modernen dhe zgjedhja për të pasur një look të thjeshtë, se sa një të ekzagjeruar, e tillë ishte mamaja ime.” “Unë kam një vizion se si një femër duhet të vishet, ndoshta ngaqë dhe unë jam femër dhe e di çfarë më pëlqen të vesh. Nuk është gjithçka si duket veshja në sfilatë. Ajo që ka më shumë rëndësi është si duket kur e vesh një person në përditshmëri.”
Stella McCartney është një markë e kompletuar, e kjo është gjëja kryesore që e bën atë të suksesshme. T’ja dalësh në ‘premier league-n’ e modës, siç ka bërë McCartney, duhet të krijosh shumë më tepër, sesa thjesht veshje të bukura. Duhet të krijosh një markë, emri i të cilës, ka vlerë më vete. Stella është një dizenjuese me principe dhe serioze, gjithashtu e bukur, e qeshur dhe shumë e dashur. Krijimet e saj variojnë nga stili paska mashkullor deri tek ato ultra femërore si fustanet me dekolte dhe motivet me lule. Në veshjet e saj gjen motive shumë urbane, si çanta Falabella apo motive country si: kuaj, lule, sandale pikniku etj.
“Duke qenë se jam një femër që krijoj për femrat, aq sa e bukur, puna ime dhe komplikohet.”-shprehet Stella. “Unë mendoj dhe rimendoj çdo detaj, edhe nëse është detaj fizik, mendor apo shpirtëror. Mund të debatoj me javë të tëra nëse shtati i pantallonave duhet të jetë në bel, ose disa centimetra më poshtë, duhet të ketë zinxhir apo butona, pasi mendoj që një detaj i vetëm bën diferencën. Nëse vendos të vesh xhinse të gjera, sigurisht ato do të ndikojnë në mënyrën si sillem apo posturën time.”
Stella krijon pothuajse çdo gjë: veshje sportive nga bashkëpunimi i suksesshëm me Adidas, e gjithmonë e më shumë po vihet re një rritje e pranisë së krijimeve të saj në tapetin e kuq, pavarësisht faktit se krijimet e saj nuk konkurojnë në mënyrë aktive. PR-i i saj thekson: “Ne nuk paguajmë personazhet të veshin krijimet tona, ndoshta kjo është arsyeja që nuk jemi shumë konkurues në daljet publike në tapet të kuq të Vip-ave.”
Stella edhe në stilin e saj të përditshëm nuk heq dorë nga krijimet e saj. Zakonisht e takon veshur kokë e këmbë me veshje që mbajnë firmën e saj. “Nuk vesh gjëra të tjera. Vesh të brendshmet që kam krijuar vetë dhe çorape Stella for Adidas, pra çdo gjë që krijoj vetë, e jo domosdoshmërisht koleksionin e ri.
Në mes të gjithë kësaj karriere, Stella është shumë e përkushtuar ndaj familjes, ka dy djem (Miller 9 vjeç, Beckett 6 vjeç) dhe dy vajza (Bailey 7 vjeç dhe Reiley 3 vjeç) me Alasdhair Willis, me të cilin ka plot 11 vite martesë. Familja jeton në perëndim të Londrës, ndërsa në fundjavë zhvendosen në shtëpinë e tyre në fshat, me hapësira të mëdha të gjelbëruara dhe me kuaj. McCartney e ka përdorur modën për t’i ndërtuar vetes një ambient: një garderobë, në fakt që përmbledh gjithçka: besimet e saj, punën, të qënit mama, Londrën dhe jetën e fshatit.
Jeta e saj është shumë e privilegjuar, por si jeta e çdo nëne, edhe ajo detyrohet të privohet nga disa gjëra. ‘Nëse do të isha mashkull, ndoshta pas shfaqjes në New York, do të shkoja ne hotel të pushoja dhe vetëm ditën e nesërme do të fluturoja në shtëpi. Duke qenë se jam në rolin e mamasë, më duhet që pa pushuar të fluturoj drejt shtëpisë. Kur punoj jam shumë e përqendruar, ama kur jam pranë fëmijëve, vëmendja ime është 100% tek ata”.
Stella është shumë elegante dhe duket e re për moshën e saj 42 vjeç. Nuk duket e re për shkak të Botox, por se në pamjen e saj ka diçka fëminore, ose ndoshta paraja në mënyrën e saj i sfumon vitet nga fytyra. ‘Moda është psikologji, dhe kjo është gjëja që mendoj sa herë krijoj. Dua që veshjet të jenë moderne dhe të përshtatshme. Në të njëjtën kohë dua të përdor pëlhura perfekte që veshja të zgjasë jo vetëm një jetë, por të trashëgohet tek vajza dhe mbesa juaj. Dua që çdo femër që vjen në dyqanin tim të pëlqejë, të provojë dhe të dashurojë mënyrën se si ndihet e veshur me atë fustan”.
Stella njihet si aktiviste e PETA-s. Disa nga krijimet e saj madje kanë dhe slogane në mbrojtje të kafshëve, si për shembull xhaketa e krijuar për Adidas e cila shkruan: “E përshtatshme për sportistë vegjetarianë”.



















