Në Kodin Penal parashikohen ndryshime të reja në lidhje me dënimin me më shumë vite burg për marrëdhëniet intime me të mitur, si dhe dënimin e tyre me burg.
Në propozimin e ndryshimeve është rritur mosha për cilësimin si krim të marrëdhënieve me të mitur. Ndërsa Kodi aktual e cilësonte krim kryerjen e marrëdhënieve deri në 14-vjeç, me ndryshimet e reja kjo moshë është deri në 16-vjeç.
Krimet e fundit me natyrë seksuale ndaj minorenëve kanë bërë që në parlament të propozohen ndryshime në Kodin Penal.
Në Kod përcaktohet se “bashkëjetesa e një personi madhor me një të mitur të moshës 14 deri nën 16-vjeç, kur bëhet për qëllime të njëjta me ato të martesës apo marrëdhënies së ngjashme me të, dënohet me burgim nga katër deri në tetë vjet”. Nëse bashkëjetesa kryhet me një të mitur të moshës 16 deri në 18 vjeç, dënohet me burgim nga dy deri në pesë vjet.
Ndryshimet e tjera në Kod parashikojnë dënime më të ashpra për krime që lidhen me pedofilinë dhe abuzime me të miturit.



















