Pas tërmetit të vitit 2019, çmimet e qirave për apartamente nuk e ndalën tendencën e rritjes.
Qiratë po shtrenjtohen me shpejtësi në kryeqytet, duke arritur minimumi 350 euro/muaj. Faktorët e rritjes së çmimeve të qirave janë të shumtë, por arsyeja kryesore është rritja e numrit të shtëpive apo apartamenteve për dhënie me qira online nëpërmjet platformave ndërkombëtare “Booking” dhe “Airbnb”.
Vlerat mujore të qirave të shtëpive edhe këtë vit janë në rritje në Tiranë.
Agjentët e tregut të pasurive të paluajtshme pohojnë se çmimet e qirave për apartamente të mobiluara në disa prej zonave kryesore të Tiranës, variojnë mbi 350 euro në muaj.
Nga analiza e të dhënave të databazës së agjencisë imobiliare “Future Home”, çmimet e qirave për një periudhë afatgjatë krahasuar me vjet janë rritur me 35%.
Drejtuesi i agjencisë së pasurive të paluajtshme, z. Fatjon Hysenbelliu, pohoi për “Monitor” se në disa zona të Tiranës, rritja e çmimeve është mbi 35%. Qiratë e apartamenteve edhe vitin e kaluar patën rritje të lartë.
Në vitin 2022, sipas të dhënave të analizuara nga indeksi “Keydata”, çmimet u rritën me 20 deri në 40% krahasuar me vitin 2021.