Pushime në skajin verior, mes panoramës magjepsëse të Bjeshkëve dhe stilit alpin, gastronomisë autentike dhe adrenalinës që ofron ky destinacion dimëror, por jo vetëm…
Maja malesh të thepisura, kreshta që përqafohen me njëra-tjetrën, pyje halorë që zgjaten deri në kaltërsinë e qiellit, lumenj që çajnë luginat e zbresin tatëpjetë, livadhe të pafundme, diku të gjelbra e diku krejtësisht të bardha, e mbi të gjitha, një magjepsje që vjen ngjan sikur vjen nga Bjeshkët e Namuna, kaplon gjithë Vermoshin. Ky destinacion, gjendet në skajin më verior të Shqipërisë, një perlë turistike e cila mund të vizitohet në çdo stinë, qoftë në dimër, kur gjithçka mbulohet nga bora, me një peizazh përrallor, por edhe në sezonet e tjera, kur panorama madhështore të rrëmben. Gjithçka ngjan sikur ka dalë nga Eposi i Kreshnikëve, natyra dhe koha ka ndalur për një çast.
Por, për të arritur aty, fillimisht duhet të kaloni Shkodrën, një malësi të butë, që nis e ashpërsohet dukshëm pas çdo kthine rruge. Së pari, duhet të përshkruani vende me një bukuri të rrallë që do t’ju bëjnë të ndalni udhën: ecni në Qafën e Rrapshit, pastaj në urën e Tamarës që kapërcen përmbi ujërat e lumit Cemi, ku dallohet uji i kristaltë që rrjedh me vrik tatëpjetë, e më tutje gjendet fshati Lëpushë. Ky është një fshat i vogël malor, emri i të cilit rrjedh nga një bimë barishtore me lule që quhet Lepushtra. Pasi lë gjithçka pas shpine, do të përballeni me një luginë ku gjendet pikërisht Vermoshi. I vendosur në një lartësi prej 1100 metrash mbi nivelin e detit, rrethuar nga shpate malesh të thepisura e të mbushura me pyje e livadhe, do të befasoheni nga një panoramë thuajse e paprekur nga dora e njeriut, e cila tërheq çdo vit qindra vizitorë. Vermoshi është zyrtarisht pika kufitare e cila ceket nga dy vende, Kosova dhe Mali i Zi. Fshati më të njëjtin emër ngrihet mbi një fushë malore me origjinë akullnajore, mes për mes së cilës kalon lumi i Vermoshit, apo siç quhet ndryshe lumi i Limit, i vetmi lumë në Shqipëri me rrjedhje të kundërt që derdhet në Danub. Në të dyja kahet fshati rrethohet nga një kurorë e gjelbër drunore, kryesisht ahu dhe halorët.
Duke qenë se është një zonë me karakter të theksuar alpin, ky është vendi ideal që ju duhet për të bërë ngjitje në shpatet e mprehta, shëtitje nëpër lugina e pafundme, ndërsa në dimër, skiimi në rrafshet e ashpra të pistave natyrale, janë një atraksion plot adrenalinë që do t’i japë pushimeve tuaja një tjetër kuptim. Gjatë periudhës kur nuk ka prekur ende bora e parë, shumë vizitorë kryejnë ture çiklistike, të cilat edhe pse me plot vështirësi, janë një sfidë më vete, ndërsa të tjerë që preferojnë relaksin, mund të shëtisin nëpër livadhet e pafundme, ose të peshkojnë troftën e ujërave të ftohta, e cila konsiderohet një pasuri e rrallë e kësaj zonë, që mund t’ju shërbehet në mënyra krejt origjinale në tavolinat e bujtinave. Nëse nuk bie borë, ju mund të shfrytëzoni kohën për të bërë hiking, duke arritur deri tek ujëvara, një sport i cili do t’ju dhurojë emocione, pasi shpesh lartësia është e paparashikueshme. Nëse doni të arrini ujëvarën, një destinacion mjaft i dashur nga vizitorët, rruga kalon përmes një lugine të ashpër, por mos harroni zbritja do të jetë akoma më e vështirë, ndaj merrni me vete pajisjet e duhura: veshje, këpucë dhe një shkop ku të mbaheni.
Bjeshkët e Vermoshit fshehin në thellësi edhe pasuri të rralla, si: boronica, mjedra, salepi, balsami dhe bliri, të cilat ofrohen në gjithfarë formash, në gatimet tipike apo pije. Ndërkaq, malet që qarkojnë luginën e Vermoshit arrijnë deri në 2000 metra lartësi mbi nivelin e detit, një vend ku bashkëjeton një faunë e pasur kafshësh të egra, si: ariu i murrmë, kaprolli, ujku, derri, dhia e egër dhe shqiponja e malit.
Vermoshi është një vend i mrekullueshëm që ofron mundësi të mëdha, për të kaluar pushimet mes peizazhit mahnitës me bukuri të rralla natyrore. Sot, fshati nuk ka shumë banorë, por gjithmonë ka mundësi akomodimi që shoqërohen nga mikpritja tipike e malësisë së Kelmendit. Pjesa më e madhe e banorëve kanë kthyer shtëpitë e tyre në bujtina, me stil tipik alpin, çatitë e thikta dhe muret e ndërtuara me gurë. Aty mund të provoni shijen unike të gatimeve tradicionale, kryesisht produktet natyrale, më bazë bulmetin, por edhe të gjithë gamën e produkteve vendase.