Nga Ilda Lumani
Mëngjesi i së hënës (26 shkurt), sot më nisi me një lajm dëshpërues. Ina Kasimati, mësuesja e njohur e biologjisë, në shkollën Çajupi, aktivistja e sa e sa çështjeve të ndjeshme kërkonte ndihmë. Dhe kjo nuk ishte një ndihmë e zakonshme. Gofound-i që i kishin çelur ishte që të kthehet në Shqipëri, në Vlorë, për të mbyllur sytë në vendlindjen e saj. I nevojiten 17 mijë euro për të marrë çarterin privat, pas një rrugëtimi të vështirë për jetën, mbi dyvjeçar në Francë… A nuk është dëshpëruese?! Sëmundja e shekullit është kthyer në një dramë të shoqërisë dhe po merr mikesha, të afërm dhe njerëzit që duam.
Për Inën, për gratë si ajo, për shembujt që na kanë frymëzuar, që kanë qenë modele dhe dritë në shoqërinë tonë, dua t’i dedikoj këto rreshta në këtë numër të “Bordo”…, i cili fare rastësisht përkon me 7-8 Marsin. Festën e mësuesit dhe të gruas. Festa të cilat Ina dhe të tjera Ina, nuk mund t’i gëzojnë dhe festojnë!
Ndaj, mes dhimbjes dhe lotëve, për humbjet që kemi pësuar në jetë dhe shpresës se të tilla raste do të kemi më pak, le të kthejmë sytë nga vetja dhe gjithë ç’na rrethojnë. Le të jemi më pozitivë, më humanistë, le të jemi më solidarë dhe më pak egoistë, le të themi fjalën e mirë dhe të frenojmë gojën për atë të keqe, të ruhemi nga tamaja dhe të kënaqemi për çfarë kemi, t’i themi faleminderit Zotit, për çdo ditë që mund të zgjohemi, dhe të mos ankohemi për gjërat materiale...
Asgjë nuk e zëvendëson shëndetin. Asgjë nuk e zëvendëson jetën! Ina po ikën… e bashkë me të, një njeri, që na mësoi jo pak. Që me buzëqeshjen e saj nuk u bë vetëm avokatja e gjithë nxënësve, por edhe mikpritësja e gjithë gazetarëve, krahu i djathtë i çdo nevojtari dhe zëri i shumë kauzave. Ina, po ikën dhe kjo botë nuk është aspak më e mirë, ndaj sot mund të lutemi për ditët e saj dhe të ardhmen e fëmijëve të saj. E nëse ky rast na ka mësuar diçka, atëherë misioni i Inës me siguri do të jetë i përmbushur!