
Një ngjarje tragjike është regjistruar pasditen e së mërkurës në bregdetin e Shëngjinit, ku pesë persona nga Kosova rrezikuan të mbyteshin pasi u futën në det mes dallgëve të forta.
Sipas të dhënave paraprake, incidenti ndodhi rreth orës 16:30, kur grupi po lahej në det dhe u përball me rryma të fuqishme të shkaktuara nga moti me erë.
Menjëherë pas sinjalizimit, në ndihmë të tyre ndërhynë qytetarë me mjete lundruese Jet Ski, së bashku me forcat e policisë, duke arritur t’i nxjerrin në breg.
Pavarësisht përpjekjeve për t’i shpëtuar, dy prej personave nuk arritën të mbijetonin dhe u konstatua humbja e jetës së tyre. Ndërkohë, tre të tjerët janë transportuar për ndihmë mjekësore dhe po marrin trajtim në spital.
Autoritetet vijojnë verifikimet për rrethanat e plota të ngjarjes, ndërsa kanë bërë thirrje për kujdes të shtuar në zonat bregdetare kur kushtet e detit paraqiten të rrezikshme.
