Një sulm i rëndë ka ndodhur në Magdeburg të premten mbrëma duke shkaktuar tronditje të madhe në Gjermani dhe në mbarë botën. Një automjet u përplas me turmën në tregun e Krishtlindjeve, duke lënë dy të vdekur dhe 68 të plagosur, prej të cilëve 15 janë në gjendje të rëndë.
Media gjermane Bild, shkruan se numri i viktimave ka shkuar në 11, ndërkohë që kjo shifër nuk është konfirmuar ende nga autoritetet.Incidenti ndodhi pak pas orës 19:00, kur një BMW e zezë, e marrë me qira, përplasi turmën në tregun e Krishtlindjeve, duke përshkuar një distancë prej 400 metrash.
Sipas policisë, tregu u evakuua menjëherë dhe zona mbeti e mbyllur për hetime. Shoferi i automjetit, një mjek 50-vjeçar nga Arabia Saudite i identifikuar si Taleb A., u arrestua në vendngjarje. Taleb A. ka jetuar në Gjermani që prej vitit 2006 dhe ka marrë statusin e azilantit politik në vitin 2016.
Autoritetet nuk kanë ende një motiv të qartë për sulmin. Taleb A. nuk kishte një histori të mëparshme si ekstremist, por analizat e deklaratave të tij në rrjetet sociale sugjerojnë një qëndrim kritik ndaj islamit dhe shqetësime për islamizimin e Gjermanisë. Në postimet e tij, ai e përshkruante veten si një “kritik agresiv i islamit.”



















