KreuCelebrity

Arianita Petushi: Nga ekrani në drejtimin e Ahead Creative!

Arianita Petushi: Nga ekrani në drejtimin e Ahead Creative!

Nëse marketingu është arti i të treguarit të historive, Arianita Petushi është një nga zërat më të fuqishëm që i jep jetë këtij arti në Shqipëri. Ish-moderatore televizive, sot ajo është themeluese dhe drejtuesja e agjencisë “Ahead Creative”, një emër i konsoliduar në tregun e komunikimit dhe brandimit që prej nëntë vitesh. Me një stil të kthjellët, një qëndrim të vendosur dhe një prani që flet vetë, Arianita mishëron figurën e gruas moderne në biznes. Në çdo projekt që merr përsipër, ajo vjen me përkushtim maksimal, vizion të qartë dhe energji pozitive që e transmeton tek ekipi dhe klientët. Pa kompromis me cilësinë dhe me një ndjeshmëri të veçantë për detajet, Arianita është dëshmi se suksesi nuk është rastësi, por rezultat i përgatitjes, dedikimit dhe dashurisë për atë që bën.

Arianita Petushi: Nga ekrani në drejtimin e Ahead Creative!

Arianita, shumë njerëz të kujtojnë si moderatore televizive. Si erdhi kalimi nga televizioni në marketing?

Televizioni më mësoi shumë për komunikimin, për mënyrën si ndërtohet një mesazh dhe si lidhet me publikun. Ishte një shkollë që më përgatiti për hapin tjetër, atë të krijimit të diçkaje timen. Marketingu më dha mundësinë të përçoj mesazhe jo vetëm përmes fjalëve, por përmes strategjive të mirëpërgatitura, kreativitetit dhe impaktit vizual.

Cili është investimi më i madh që keni bërë në agjencinë tuaj?

Investimi më i madh ka qenë në trajnime ndërkombëtare, të cilat na kanë sjellë ide të reja dhe praktika të avancuara efektive. Kemi investuar gjithashtu në pajisje profesionale audio-video për të ofruar cilësi të lartë video/foto. Por mbi të gjitha, burimet njerëzore mbeten thelbësore; ndërtimi i një ekipi të përkushtuar është çelësi i suksesit të çdo agjencie.

 

Arianita, keni organizuar shumë evente për kompani të ndryshme. Cilat janë elementet kryesore që një kompani duhet të ketë parasysh përpara se të organizojë një event.

Çdo event është një mundësi për të komunikuar me publikun dhe për të forcuar identitetin e markës. Përpara organizimit të një eventi, është thelbësore të përcaktohet qëllimi i qartë i tij, qoftë prezantimi i një produkti të ri, festimi i një përvjetori apo inaugurimi i një hapësire të re. Zgjedhja e vendit të përshtatshëm, krijimi i një koncepti unik dhe përputhja me identitetin e markës janë elementë kyç. Gjithashtu, planifikimi i detajuar i logjistikës dhe komunikimi efektiv me audiencën përmes kanaleve të duhura janë të domosdoshëm për suksesin e eventit.

Arianita, ti je në këtë fushë prej vitesh. Si ka ndryshuar marketingu në Shqipëri?

Marketingu në Shqipëri ka kaluar nga format tradicionale në një fokus të theksuar drejt digjitalizimit. Rrjetet sociale kanë bërë të mundur një komunikim më të drejtpërdrejtë dhe të personalizuar me audiencën, ndërsa rëndësia e SEO-së është rritur ndjeshëm për të siguruar një prani të dukshme online. Ky transformim ka sjellë një nevojë për strategji më të sofistikuara dhe të përshtatura me zhvillimet teknologjike dhe sjelljet e konsumatorëve.

Cilat janë disa nga trendet më të fundit në marketingun digjital që po ndikojnë mënyrën se si kompanitë komunikojnë me klientët e tyre?

Trendet e fundit në marketingun digjital përfshijnë përdorimin e inteligjencës artificiale, marketingun përmes influencuesve dhe përqendrimin në përmbajtje video. Këto tendenca po ndryshojnë mënyrën se si kompanitë ndërveprojnë me klientët, duke ofruar përvoja më të personalizuara dhe angazhuese.

Arianita Petushi: Nga ekrani në drejtimin e Ahead Creative!

Sipas jush, çfarë e bën një komunikim të jetë i suksesshëm në ditët e sotme?

Ajo që e bën një komunikim të jetë i suksesshëm është aftësia për të krijuar ndjesi. Njerëzit nuk duan të dëgjojnë vetëm për produkte apo shërbime, ata duan të kuptojnë çfarë qëndron pas tyre, çfarë i frymëzon, çfarë përfaqësojnë. Unë besoj fort se më shumë se të flasim për produktin, të flasim për emocionin që ai sjell. Kjo është ajo që e bën komunikimin të vërtetë, të ndjeshëm dhe afatgjatë.

Ti drejton një agjenci që punon me shumë lloje biznesesh. Si e krijoni strategjinë e komunikimit, kur sektorët janë kaq të ndryshëm?

Çdo sektor ka karakteristikat dhe nevojat e veta unike. Në “Ahead Creative”, ne fillojmë duke kuptuar thellësisht industrinë dhe audiencën e secilit klient. Pavarësisht nëse është një bankë, një kompani sigurimi, një klinikë apo një produkt konsumi, qasja jonë është gjithmonë e personalizuar. Ne kërkojmë të kuptojmë thelbin, dhe pastaj ta tregojmë atë bukur.

Si e shikon marrëdhënien midis kreativitetit dhe strategjisë?

E pandashme. Kreativiteti pa strategji është i bukur, por kalimtar. Strategjia pa kreativitet është e saktë, por e ftohtë. Kur bashkëjetojnë, krijojnë komunikim me ritëm dhe qëllim. Pikërisht aty ndodh “magjia”.

Sa vend zë analiza dhe të dhënat në marketingun e sotëm?

Një vend shumë të rëndësishëm. Kreativiteti pa analizë është i shurdhër. Ne e përdorim analizën për të kuptuar se çfarë funksionon, kur dhe pse. Por edhe për të vendosur objektiva realë. Një fushatë nuk është e suksesshme sepse duket bukur, por sepse prodhon efekt mbi qëllimin e saj.

Si arrini të balanconi me sukses rolin tuaj si sipërmarrëse dhe atë të nënës?

Nuk ka një recetë të saktë. Ka vendime të përditshme, dhe mbi të gjitha – ka dashuri për të dyja rolet. Jam nënë e dy fëmijëve dhe familja ime është shtylla ime. Fëmijët më kanë mësuar shumë për durimin, për prioritetet dhe për ndjeshmërinë. Ata më motivojnë të jem një version më i mirë i vetes, çdo ditë.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF