Mes të nxehtin ekstrem që ka pushtuar vendin, autoritetet greke kanë urdhëruar pushime “të detyrueshme” në zonat ku temperaturat pritet të kalojnë 40 gradë Celsius. Vapa e madhe pritet të zgjasë deri të enjten, dhe Ministria e Punës ndaloi punën fizike jashtë dhe shpërndarjen e ushqimit nga ora 12:00 deri në orën 17:00. Urdhri do të zbatohet kryesisht në rajonet qendrore të Greqisë dhe në disa ishuj, shkruan TCH. Punëdhënësve iu kërkua, gjithashtu, të ofrojnë mundësi pune nga distanca.
Athina është përjashtuar nga kjo masë emergjente, duke qenë se situata në kryeqytet nuk është e tillë që të konsiderohet e pazakontë. Meteorologët presin temperaturat më të larta të martën dhe të mërkurën, ndërsa parashikojnë një rënie të lehtë, në rreth 35 gradë, nga fundi i javës.
Temperaturat më ekstreme pritet të shënohen në zonat e ulëta të rajoneve qendrore të Greqisë. Në ishuj dhe përgjatë bregdetit, temperaturat pritet të jenë tre deri në pesë gradë më të ulëta sesa në pjesën kontinentale dhe në qendrat urbane. Ndër rekomandimet më të rëndësishme për qytetarët janë: shmangia e qëndrimit jashtë gjatë orëve të nxehta të mesditës, konsumimi i shumtë i ujit, shmangia e alkoolit, ngrënia e ushqimeve të lehta dhe shmangia e aktiviteteve sportive në ambient të hapur.



















