KreuCelebrity

Madonna tregon pse nuk u realizua filmi për jetën e saj

Madonna tregon pse nuk u realizua filmi për jetën e saj
Pas vitesh pune dhe përgatitjesh, filmi biografik i shumëpërfolur për jetën e Madonnës nuk arriti të shihte dritën e ekranit. Këngëtarja ka zbuluar se arsyeja kryesore e ndërprerjes së projektit lidhej me mosmarrëveshjet mbi kostot e prodhimit.

Në një intervistë për revistën Interview, ylli i muzikës rrëfeu se kishte investuar dy vite në shkrimin e skenarit dhe një periudhë po aq të gjatë në bashkëpunim me Universal Studios, duke punuar për buxhetin, përzgjedhjen e aktorëve dhe organizimin e xhirimeve.

Sipas Madonnës, historia e jetës së saj kërkonte një realizim ambicioz dhe, rrjedhimisht, një investim të konsiderueshëm financiar.

“Kam bërë një jetë të jashtëzakonshme dhe për ta treguar atë siç duhet, nevojitej një buxhet i madh”, u shpreh artistja.

Ajo la të kuptohej se drejtuesit e studios nuk ndanin të njëjtin vizion me të për projektin, ndërsa kishte rezerva edhe për disa zgjidhje të propozuara për të ulur shpenzimet, përfshirë mundësinë që një pjesë e xhirimeve të realizohej në Serbi.

Pas pezullimit të filmit, Netflix shfaqi interes për ta sjellë historinë e saj në format seriali. Megjithatë, Madonna tregoi se kalimi në këtë fazë nuk ishte i thjeshtë, pasi rikthimi i të drejtave mbi skenarin e mëparshëm do të kërkonte shpenzime të larta dhe gjetja e ekipit të duhur krijues mori më shumë kohë nga sa ishte parashikuar.

Projekti kinematografik kishte qenë në zhvillim prej vitesh dhe Julia Garner ishte zgjedhur për të interpretuar rolin e ikonës së popit.

Megjithëse filmi nuk u realizua, raportet e fundit bëjnë të ditur se Madonna po punon për një serial të limituar të bazuar në jetën e saj, në bashkëpunim me producentin dhe regjisorin Shawn Levy.

Paralelisht me këtë projekt, artistja po përgatitet edhe për rikthimin në muzikë me albumin e ri “Confessions II”, i cili pritet të publikohet më 3 korrik.