KreuCelebrity

Keir Starmer jep dorëheqjen si kryeministër, Britania drejt një gare për liderin e ri të Laburistëve

Keir Starmer jep dorëheqjen si kryeministër, Britania drejt një

Kryeministri britanik, Keir Starmer, ka njoftuar se do të japë dorëheqjen si lider i Partisë Laburiste dhe do të largohet nga posti i kryeministrit sapo të zgjidhet pasardhësi i tij, pas ditësh presioni të fortë nga deputetët e partisë, përfshirë edhe ministra të kabinetit.

Në një deklaratë të mbajtur të hënën përpara Downing Street, Starmer pranoi se nuk ishte më personi i duhur për ta udhëhequr Laburistët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

"Pyetja që partia ime po shtron tani është nëse unë jam personi më i përshtatshëm për ta udhëhequr drejt zgjedhjeve të ardhshme. E kam dëgjuar përgjigjen e grupit tim parlamentar dhe e pranoj me respekt. Çdo vendim që kam marrë ka qenë për ta vënë vendin tim në radhë të parë dhe për këtë arsye do të jap dorëheqjen si lider i Partisë Laburiste", deklaroi ai.

Vendimi vjen më pak se dy vjet pasi Starmer udhëhoqi Laburistët drejt një fitoreje historike në zgjedhjet e përgjithshme të korrikut 2024. Megjithatë, muajt e fundit ai ishte përballur me kritika në rritje brenda partisë, ndërsa shumë deputetë druheshin se Laburistët mund të humbnin terren ndaj partisë së Nigel Farage në zgjedhjet e ardhshme.

Sipas mediave britanike, më shumë se gjysmë duzine ministrash i kishin bërë të qartë privatisht Starmerit se koha e tij në krye të qeverisë kishte përfunduar. Edhe pse vetëm të premten ai kishte deklaruar se ishte gati të përballej me çdo sfidë për lidershipin, bisedimet me ministrat dhe fundjava e kaluar me bashkëshorten e tij, Victoria, në rezidencën zyrtare të Chequers, e shtynë të ndryshonte qëndrim.

Starmer njoftoi se i ka kërkuar Komitetit Ekzekutiv Kombëtar të Partisë Laburiste të nisë menjëherë procesin për zgjedhjen e liderit të ri. Kandidaturat do të hapen më 9 korrik dhe procesi pritet të përfundojë përpara pushimeve verore të Parlamentit, më 16 korrik.

Deri në zgjedhjen e pasardhësit, ai do të vazhdojë të ushtrojë detyrën e kryeministrit dhe do të përfaqësojë Mbretërinë e Bashkuar edhe në samitin e ardhshëm të NATO-s në fillim të korrikut. Nëse nuk do të ketë rivalë, Andy Burnham mund të marrë drejtimin e qeverisë që në mesin e muajit korrik.

Burnham, i cili u rikthye së fundmi në Westminster pas fitores në zgjedhjet e pjesshme në Makerfield, konsiderohet favorit absolut për drejtimin e Laburistëve. Aleatët e tij pretendojnë se ai gëzon mbështetjen e më shumë se 200 deputetëve, shumë mbi pragun prej 81 nominimesh të nevojshme për kandidim.

Ndërkohë, ish-ministri i Shëndetësisë, Wes Streeting, ka shprehur gatishmërinë për të kandiduar, megjithëse mbetet e paqartë nëse disponon mbështetjen e nevojshme.

Në fjalimin e tij, Starmer premtoi se do të bëjë gjithçka për të siguruar një tranzicion të rregullt të pushtetit dhe se pasardhësi i tij do të ketë mbështetjen e tij të plotë.

"Pasardhësi im do të trashëgojë një Britani shumë më të fortë dhe më të drejtë sesa ajo që gjeta dy vite më parë, më të përgatitur për sfidat që e presin", tha ai.

Në fund të fjalës, Starmer nuk i mbajti dot emocionet teksa falënderoi bashkëshorten Victoria, miqtë, bashkëpunëtorët dhe familjen për mbështetjen gjatë viteve në krye të Laburistëve.

"Kur të largohem nga detyra më e madhe në vend, do t'i përkushtohem detyrës më të rëndësishme: të jem bashkëshorti më i mirë për Vic dhe babai më i mirë për fëmijët e mi, të cilët janë krenaria dhe gëzimi im", u shpreh ai me zërin që iu drodh nga emocionet.

Dorëheqja e Starmer shënon fundin e një periudhe të shkurtër në pushtet dhe hap një kapitull të ri në politikën britanike, ndërsa Mbretëria e Bashkuar përgatitet të ketë kryeministrin e saj të shtatë që prej vitit 2016.