KreuCelebrity

Sinan Vllasaliu rrëfen aksidentin me motor: Humbi dasmën e Dua Lipës pas ndërhyrjes kirurgjikale

Sinan Vllasaliu rrëfen aksidentin me motor: Humbi dasmën e Dua
Këngëtari i njohur kosovar, Sinan Vllasaliu, ka ndarë për herë të parë detaje nga aksidenti me motor që pësoi disa ditë më parë, ngjarje që e detyroi t’i nënshtrohej një operacioni dhe ta ndërpriste përkohësisht aktivitetin e tij.

Në një intervistë për “Prive”, artisti tregoi se gjithçka ndodhi në pak sekonda, teksa po lëvizte në një rrugë të lagësht nga shiu. Sipas tij, humbja e kontrollit në një kthesë rezultoi fatale, pavarësisht se nuk po udhëtonte me shpejtësi të lartë.

“Gjithçka ndodhi shumë shpejt. Kishte rënë pak shi, rruga ishte e rrëshqitshme dhe në një kthesë humba kontrollin. Nuk po lëvizja me shpejtësi të madhe, por kur je me motor, çdo shpejtësi mund të jetë e rrezikshme”, tha ai.

Vllasaliu zbuloi se ndihma e menjëhershme e një miku të tij, me profesion anesteziolog, ishte vendimtare për të shmangur komplikime më të rënda.

“Kam pasur fatin që pranë meje ndodhej një mik anesteziolog, i cili më ndihmoi menjëherë. Nëse nuk do të ishte ndërhyrë atë ditë, situata mund të kishte qenë shumë më serioze”, u shpreh këngëtari.

Për shkak të gjendjes shëndetësore, ai nuk mundi të marrë pjesë në dasmën e Dua Lipës, për të cilën tha se ishte përgatitur prej muajsh. Sipas artistit, takimi me këngëtaren ishte zhvilluar që në muajin mars dhe gjithçka ishte organizuar në detaje.

“Me Duan ishim takuar që në mars dhe çdo detaj ishte organizuar më herët. Ishte një nder i veçantë të ishe pjesë e një feste familjare të një artisteje që përfaqëson shqiptarët në mbarë botën”, deklaroi ai.

Megjithatë, Sinan Vllasaliu tha se e ka pranuar situatën me qetësi, duke u shprehur mirënjohës që aksidenti nuk pati pasoja më të rënda.

“Besoj se gjithçka ndodh për një arsye. I jam mirënjohës Zotit që ngjarja nuk pati pasoja më të rënda, edhe pse mbetet një peng që nuk munda të jem i pranishëm në atë dasmë”, tha ai.

Aktualisht, këngëtari po vijon rikuperimin dhe ka falënderuar të gjithë ata që i kanë qëndruar pranë me mbështetje dhe mesazhe inkurajuese.