Emina Cunmulaj - Modele dhe filantropiste. Ajo ka punuar me disa nga markat më prestigjioze të modës në botë, duke përfshirë Chanel, Versace dhe Dolce & Gabbana. Emina Cunmulaj njihet gjithashtu për punën e saj bamirëse, e cila përfshin mbështetjen e iniciativave të arsimit dhe kujdesit shëndetësor në vendin e saj të lindjes.
Rikthim në Tiranë për “Muza Competition III”, cilat ishin emocionet?
Sa e bukur është bërë Tirana, e sa e suksesshme vazhdon të bëhet! Hera e tretë në “Muza Competition”, tashmë jemi si të shtëpisë. Por ky vit ishte pak më ndryshe, sepse konkurrenca ishte shumë më e madhe dhe kishim një vështirësi të madhe për të zgjedhur fituesin. Kishim dhe debate me njëri-tjetrin: kjo është favoritja jote, kjo është favoritja ime. Por gjithsesi ishte një problem i mirë, sepse pas mbi 3700 aplikantëve, zgjodhëm 10 finalistët dhe ishte akoma më e vështirë për të zgjedhur të parin, por gjithmonë duhet të ketë një fitore.
Sa i ka afruar “Muza Competition” stilistët e rinj drejt traditës?
Unë mendoj se prej tre vitesh tashmë, MUZA Competition, është një derë që hapet për rininë shqiptare nga të gjitha trojet shqiptare. Madje edhe diaspora po kthehet në Shqipëri! Artistët, piktorët, skulptorët, të gjithë! Besoj se ky projekt është hapi i parë për përfshirjen e shqiptarëve kudo ku janë.
Nga 1-10, si do ta vlerësonit edicionin e tretë të “Muza Competition”, koleksionet që prezantuan të rinjtë shqiptarë?
Unë do t’i jap këtij edicioni një 10 të plotë. Organizimi ishte në nivel shumë të lartë dhe koleksionet që u prezantuan ishin të mrekullueshme. Çdo vit, shohim një përmirësim të dukshëm në kreativitetin dhe profesionalizmin e stilistëve të rinj. Ata jo vetëm që sollën një freski në pasarelë, por edhe arritën të përfshijnë elemente etnografike nga trojet shqiptare, duke promovuar kështu kulturën dhe traditat tona. Ky event tregoi se sa shumë potencial ka moda shqiptare dhe sa shumë mund të arrijë në të ardhmen.
Si influencon kreativiteti dhe inovacioni i pjesëmarrësve në fuqizimin e industrisë së modës shqiptare?
Kreativiteti dhe inovacioni i pjesëmarrësve janë faktorët kryesorë që e shtyjnë përpara industrinë e modës shqiptare. Këta të rinj sjellin ide të reja që ndihmojnë në krijimin e një imazhi më të gjallë dhe tërheqës për modën shqiptare, duke e bërë atë më konkurruese në tregjet ndërkombëtare. Përveç kësaj, kreativiteti i tyre ndikon pozitivisht në ekonominë lokale duke nxitur prodhimin e produkteve të reja dhe të cilësisë së lartë. Kjo ndihmon gjithashtu në promovimin e turizmit kul-turor, pasi njerëzit janë tërhequr nga moda dhe kultura unike e vendit tonë.
Të mungojnë sfilatat? Çfarë do ta rikthente Emina Cunmulajn në pasarelë?
Po, absolutisht më mungojnë sfilatat. Ka një emocion të veçantë dhe një ndjenjë adrenaline kur je në pasarelë që nuk mund të përshkruhet me fjalë. Ndjesia e të qenit në qendër të vëmendjes, duke prezantuar veshjet më të bukura të dizajnerëve, është e papërsëritshme. Ajo që do të më rikthente në pasarelë do të ishte një projekt me një mesazh të fuqishëm, një kauzë që më prek personalisht ose një bashkëpunim me një dizajner që ka një vizion të jashtëzakonshëm dhe inovativ.
Si mund të rrisë ky konkurs rëndësinë e tij ndërkombëtare në industrinë e modës?
Për të rritur rëndësinë ndërkombëtare të këtij konkursi, do të ishte e nevojshme të fokusohemi në disa aspekte. Së pari, krijimi i partneriteteve me figura dhe organizata të njohura ndërkombëtare mund të sjellë më shumë vëmendje për konkursin. Për shembull, përfshirja e stilistëve dhe personaliteteve të famshme ndërkombëtare si pjesë e jurisë ose të ftuar special do të rrisë prestigjin e eventit. Gjithashtu, promovimi më i madh në mediat ndërkombëtare dhe përfshirja e platformave të mëdha të modës në event mund të ndihmojë në rritjen e njohjes së Muza Competition.
Dhe në fund, cila është “MUZA” e Emina Cunmulajt?
Muza ime ka qenë dhe do të jetë nëna ime, për sa kohë do të jem gjallë.



















