
Pas muajsh aludimesh, Tom Holland ka lënë të kuptohet se ai dhe Zendaya janë martuar në fshehtësi, duke i dhënë fund spekulimeve që qarkullonin prej kohësh për marrëdhënien e tyre.
Dy aktorët, të cilët u njohën në vitin 2016 gjatë xhirimeve të “Spider-Man”, kanë zgjedhur gjithmonë ta mbajnë larg syrit të publikut jetën e tyre private. Megjithatë, gjatë një interviste për Esquire, Holland dha një përgjigje që u interpretua si konfirmim i martesës.
Duke komentuar fotografitë e krijuara me inteligjencë artificiale, që i paraqisnin ata duke festuar një dasmë në Liqenin e Como-s, aktori u pyet nëse kishte qenë i detyruar t’u shpjegonte të afërmve se imazhet ishin të rreme. “Jo, sepse të gjithë ishin aty. Vetëm kaq mund të them”, deklaroi ai, duke lënë të kuptohet se ceremonia kishte ndodhur tashmë.
Zërat për një fejesë mes tyre nisën në fillim të vitit 2025, kur Zendaya u shfaq në “Golden Globes” me një unazë diamanti në gisht. Më pas, në mars 2026, stilisti i saj i njohur, Law Roach, shtoi dyshimet duke deklaruar se çifti e kishte kurorëzuar tashmë dashurinë e tyre.
Përveç jetës personale, Holland ka folur edhe për të ardhmen e karrierës së tij. Në një intervistë të mëparshme për Men’s Health, ai tregoi se ardhja e fëmijëve do ta shtynte të largohej nga bota e kinemasë.
“Kur të bëhem baba, nuk do të më shihni më në filma. Do t’i përkushtohem golfit dhe familjes. Do të largohem plotësisht nga vëmendja publike”, është shprehur aktori.
Pas lajmeve për martesën, Tom Holland dhe Zendaya u shfaqën sërish së bashku në tapetin e kuq gjatë promovimit të filmit “Spider-Man: Brand New Day”, në paraqitjen e tyre të parë publike si çift pas afro pesë vitesh.
