KreuCelebrity

Spanjë: Turizmi nën presion për shkak të thatësirës së madhe!

Spanjë: Turizmi nën presion për shkak të

Në hartën e shërbimit meteorologjik spanjoll Aeme, Katalonja rrëzëllon me ngjyrë të kuqe alarmi, që tregon rreshjet e tre viteve të fundit. Që kur ka nisur matja e të dhënave meteorologjike, ky rajon në verilindje të vendit nuk ka përjetuar më parë një periudhë kaq të thatë. Këtë situatë nuk e ndryshojnë dot as rreshjet e fundit. E prekur nga thatësira është edhe Andaluzia në jug të Spanjës, por edhe Balearet dhe ishtujt Kanarie vuajnë nga mungesa e ujit. Kjo do të thotë, se janë prekur pikërisht rajonet e vendit, ku lulëzon turizmi. Nuk është për t`u çuditur, që kritikat ndaj degës së turizmit po shtohen gjithnjë e më shumë, sepse turistët konsumojnë shumë ujë.

„Prandaj ky sektor duhet detyruar, që të marrë masa drastike kursimi", mendon Dante Maschio, zëdhënës i shoqatës qytetare katalanase Aigua és Vida, e cila lufton prej vitesh për menaxhimin më të mirë të ujit në Katalonjë. "Masat e deritanishme për reduktimin e konsumit në turizëm kanë qenë shumë të rezervuara", thotë ai. "Sektorit të turizmit i janë dhënë liri të mëdha." Në rast emergjence – dhe kjo situatë është e tillë - sektorët me konsum intensiv uji do të duhej të detyroheshin ta ndalonin aktivitetin. "Në nuk kemi vetëm mungesë reshjesh", thotë Maschio. "Ne kemi një problem strukturor." Burimet e ujit janë shfrytëzuar pa mëshirë për shumë vite.Edhe Julio Barea, gjeolog dhe ekspert i burimeve ujore pranë organizatës Greenpeace, nuk i kursen kritikat: "Nëse popullata normale ka kufizime për konsumin e ujit, kjo duhet të vlejë aq më tepër për turistët", thotë ai. Dhjetë herë më i lartë se mesatarja është për shembull konsumi ditor për frymë tek pushuesit në resorte me fusha golfi. Megjithatë qeveria rajonale e Andaluzisë i përjashtoi hotelet nga ndalimi i mbushjes së pishinave. "Kjo është një çmenduri e vërtetë", thotë Barea, sipas DW. Edhe në Katalonjë kohët e fundit ka qenë e ndaluar të mbushen pishinat në zonat shumë të prekura nga thatësira. Ndër të tjera në Lloret de Mar, në një nga qendrat e turizmit në Costa Brava në verilindje të Barcelonës. Për hotelierët e atjeshëm kjo ishte baraz me një katastrofë. "Pushuesit duan të relaksohen në pishinë", thotë Enric Dotras, kryetar i shoqatës lokale të hotelierëve. Me qëllim që turistët këtë verë të mos rrinin në të thatë apo të mos vinin fare, sipërmarrësit krijuan me ngut një impiant për shkripëzimin e ujit të detit me 1,5 miliardë euro, për të anashkaluar ndalimin.

Dotras e konsideron të tepruar kritikën ndaj sektorit të turizmit dhe vë theksin te përpjekjet e shumëanshme të sektorit për të kursyer ujin, që bëhet prej vitesh. Shumë hotele kanë hequr për shembull vaskat, sepse dushi konsumon më pak ujë. Në shumë raste ka stimuj për pushuesit, që të heqin dorë nga ndërrimi i përditshëm i peshqirëve dhe çarçafëve. Disa hotele kanë ndërtuar një rrjet shtesë për qarkullimin e ujit, me qëllim që tualetet të shpëlahen me ujë të përdorur. Turizmi në Lloret de Mar siguron 90 përqind të prodhimit ekonomik lokal. Ky sektor krijon 12.000 vende pune.Në Katalonjë pritet që më shumë se një duzinë impiante të reja shkripëzimi të ndihmojnë për të lehtësuar situatën. Qeveria rajonale po planifikon një të tillë edhe në mes të portit të Barcelonës. "Kjo është një zgjidhje e thjeshtë", thotë Cels Garcia. "Megjithatë këto sisteme nuk duhet të përdoren kurrsesi për të mundësuar rritjen e mëtejshme të numrit të turistëve." Por pikërisht kjo po ndodh në Spanjë: në tre muajt e parë të vitit në vend erdhën më shumë se 16 milionë pushues të huaj - një plus prej më shumë se 17 për qind krahasuar me një vit më parë.

 

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF