Përshtypje mbi dy investime të reja, ai mbresëlënës në Hotel Uji i Ftohtë dhe kthimi i një vile familjare në Wild River Guesthouse!
Nga Ilda Lumani
Nuk pretendoj se njoh gjithë pjesën e Jugut, edhe pse vetë jam andej, por në udhëtimet e shpeshta ndër vite di gati çdo gjë; bare, restorante, bujtina apo dhe byrektore (byrektorja në Fier është një nga të preferuarat e çdo udhëtari, ku byrekët e shumëllojshëm, gjizë, presh, qepë domate, spinaq, kungull, spinaq, etj përgatiten në sy te klientëve.
Dhe nuk ka njeri me dëngla dhe pa dëngla që nuk i ka provuar!)
Pak javë më parë kisha një dasmë në Përmet.
Dhe ndalesa e parë ishte tek Uji i Ftohtë në rrugën nacionale, që lidh Tepelenën me Gjirokastrën. Një desinacion jo aq i preferuar për ne përmetarët, pasi zemrën dhe kokën e kemi ose tek Uji i ftohtë Dragot ose tek Gryka e Këlcyrës, por investimi i ri për të cilin kisha dëgjuar e parë në rrjet më joshën ta vizitoj!
Dhe ja përballë tij gjendem pa fjalë!
Pamja WAW!
Investimi super i bukur. Hotel Ujë i Ftohtë është padyshim një nga më të bukurit, që është bërë ndonjëherë në atë zonë. Në një shikim të përgjithshëm, sa mund të arrish të evidentosh gjatë një pauze një orëshe, më bëri përshtypje konceptimi i hotelit, ngjyra e drurit i shkon më së miri sfondit malor; arkitektura tejet moderne, me dritaret e mëdha dhe vetratat pasqyruese, ku sheh gjelbërimin e malit në to të jep një dimension hapësire dhe miks godinë/natyrë të mrekullueshëm. Eleganca në restorant më pëlqeu po ashtu.
Dhomat e hotelit nuk munda t’i vizitoj, për shkak të axhendës sime. U ula në verandë dhe vështrimi u zhyt në gjelbërim. Përballë mali, poshtë lumi Drino me ngjyrën e tij të gjelbër të mrekullueshme të lënë pa frymë. Pas një terapie mentale, ku fjalët aty as janë nevojë, zbritëm përmes rrugës së bukur të krijuar prej sipërmarrësve deri tek lumi. Gjithçka e bërë për ta shijuar dhe ndaluar në çdo hap; patat në një minilieqen, ku klientët kishin krijuar edhe një traditë ‘Fontana di Trevi’ me monedhat e hedhura aty, ujëvara aq e bukur, një çezmë më poshtë, e deri sa mbërrije tek lumi, ku dëshira për t’u kredhur bëhej dyfish më e madhe. Sigurisht, që nuk u lava. Këtë herë të paktën jo!
Ika e mbushur me një ndjesi të veçantë dhe me mendimin se ai vend, ajo pamje ka qenë gjithmonë aty, po vizioni ka mbërritur vetëm tani! Komplimenta!
Wild River Guesthouse, një bujtinë në hijen e plepit
Një tjetër spot që ju ka ardhur më shumë në ndihmë turistëve, agjencive të udhëtimit, guidave turistike (kaq të shumta në zonën e Përmetit vitet e fundit) është Wild River Gesthousem, në Piskovë, në rrugën nacionale, 8 km pa mbërritur në Përmet.
-
Euronews: Vjosa, parajsa e adhuruesve të natyrës!
2 Maj, 12:32
E çelur gjatë këtij sezoni që lamë pas, bujtina dikur një vilë familjare është kthyer në një shtëpi mikëpritëse, ku 4 dhomat e saj nuk kanë njohur pushim thuajse që ditën që është hapur.
Qetësia e zonës, mëngjesi tradicional, që konsumohet në mes të gjelbërimit, borzilokët dhe lulet e tjera aromëndjellëse e bëjnë qëndrimin aty kaq idilik. Mandej një plep gjigand, degët e të cilit mbërrijnë deri në ballkonet e dhomave janë një panoramë që vlen. Nata aty është çlodhëse pas ditëve aktive, por pamja kur ti hap sytë dhe zgjohesh është një ëndërr! (Mali) Dhëmbeli gjigand, kaq pranë dritares tënde dhe Vjosa monumentale, që udhëton në këmbët e tij janë pamja me të cilin zor se do të shkëputeshe. Shtëpia ndërkaq ofron gjithë parametrat e një qëndrimi cilësor, ndërsa mikëpritësit e bëjnë edhe më të dashur qëndrimin aty.
***
Teksa shoh sesi Përmeti veçanërisht (për Gjirokastrën do flas në një shkrim tjetër), sesi zhvillohet, sesi shtohen sipërmarrjet personale e ato familjare, sesi njerëzit shkojnë dhe janë kuriozë, jo thjesht për glikotë dhe mishin e qengjit, jo thjesht për pastërtinë e lulet e bukura, por sesi gjejnë mundësi argëtimi dhe eksplorimi, që nga ‘hiking’, tek ‘rafting’ dhe vizitat në kishat dhe vendet e tjera historike, më mbushet zemra plot.
E larguar prej 20 vitesh nga ai vend, di të them, se çfarë ndryshimi ka sjellë lëvizja, turizmi, investimet në restoranteri dhe hoteleri, dhe se c’atmosferë të gjallë ti ndjen, kur pi kafen tek bar Fancy dhe sheh xhiron e famshme në Përmetin dikur të zbrazur dhe tashmë edhe në një periudhë si tetori e gjen plot!
Deri në eksplorimin e ardhshëm, mirë u pafshim