KreuStil Jetese

Policia nxjerr në ankand qentë e shërbimit për 100 euro!

Policia e Shtetit ka nxjerrë për shitje disa nga qentë e saj të shërbimit. Kjo është një procedurë standarde që zbatohet për qentë që dalin në pension ose që, për shkak të moshës apo arsyeve shëndetësore, nuk janë më të përshtatshëm për të kryer detyra operacionale pranë strukturave të Policisë.

Sipas një njoftimi të publikuar në faqen zyrtare të Ministrisë së Brendshme, individët apo subjektet juridike të interesuara për blerjen e këtyre qenve duhet të disponojnë një dokumentacion të caktuar. Në njoftim theksohet se aplikuesit duhet të paraqiten në vendin, datën dhe orën e përcaktuar përpara Komisionit të Ankandit, të pajisur me të gjithë dokumentacionin e kërkuar.

-Kërkesë me shkrim për blerje e regjistruar pranë protokollit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
-Garancinë bankare apo mandat pagesën në origjinal që vërteton ngurtësimin e 20 % të vlerës së fillimit të ankandit, në lekë për llogari të -Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit
-Dokument identifikimi (pasaportë biometrike ose letërnjoftim).

Në listën e publikuar për ankand figurojnë gjithsej tetë qen me moshë të ndryshme, të cilët do të shiten me çmim fillestar 10 mijë lekë secili, ose rreth 100 euro. Për të gjithë të interesuarit, qentë do të nxirren në ankand më 15 korrik 2025, në ambientet e Drejtorisë së Shërbimit të Përgatitjes së Policisë.