Pak pasi është ulur perdja e skenës së Teatrit Kombëtar dhe poltronat nisin e marrin ‘frymë’, pas largimit të spektatorit të fundit, në dhomën e grimit, para pasqyrës, Olta Daku po heq petkun e personazhit të Dorinës. Ishte shfaqja e fundit e sezonit artistik. Teksa sheh veten para pasqyrës si Dorina e Tartufit, ndjen një boshllëk në kraharor, i duket sikur personazhi i saj kapet me thonj pas rrobave për të mos ikur. Për një çast, iu duk sikur u kthye në vegjëli. Përnjëmend, ju kujtua se e gjithë kjo skenë mund të ishte një ‘deja vu’, çaste që sikur i kishte përjetuar kur ishte fëmijë. Prindërit artistë ‘e ushqenin’ vazhdimisht me dashurinë për librin, ndaj këtë raport kaq të fortë me Dorinën e kujton lehtësisht. ‘Tartufi’ i Molierit, ishte një ndër librat që e ëma i kishte blerë, e aty mes rreshtat kishte arritur të ndihej Dorinë: për forcën e fjalës që ky personazh përçon. “Kur m’u propozua roli i Dorinës, ishte një gëzim i veçantë. Kujtoj isha e vogël, dhe mami më bleu ‘Tartufi’. E kam lexova dhe më pëlqyeu shumë Dorina, personazh gjithë dritë, humor”, – pohon për BORDO aktorja, duke përshkruar me një entuziazëm rolin e saj më të fundit. E nuk ka emocion me të madh për një aktor se sa kur të gjitha kënaqësitë mblidhen bashkë, këtë sezon artistik që mbaroi, emocionin më të madh e mori nga duartrokitjet në skenën e Teatrit Kombëtar.
Dritat e skenës…
Olta nuk është assesi si çdo aktor i ri, që mezi ka pritur të prekë skenën. Ajo ka pasur fatin, që në një mënyrë apo një tjetër, të ketë qenë pjesë e saj, ose shumë pranë qysh e vogël. Bijë e dy prindërve artistë, babai Kristo Daku, pedagog i klarinetës në Akademinë e Arteve dhe nëna, Xhovana Daku mexosoprano, Olta Daku u rrit me dashurinë për artin. Nga prindërit mësoi se një artist duhet të punojë shumë fort, një leksion i madh, i cili i ka shërbyer si busull orientimi gjatë karrierës së saj. Ajo e di fort mirë se përballë pasionit për artin, puna e artistit është akoma më e madhe. Andaj sot, Oltën e shohim aktore të vlerësuar në drama dhe komedi, role dhe personazhe nga më të ndryshimit, por pak e dinë që aktorja fillimet e saj në art i ka me muzikën. Në 1997 do të niste studimet për aktrim në Akademinë e Arteve, pasi ‘u divorcua’ nga dashuria disavjeçare e studimeve për flaut dhe kanto, të cilat kanë qenë të parat në rrugëtimin e saj artistik. Nuk kishte sesi të ndodhte ndryshe: prindërit artistë, për vajzën e vetme mendonin që të vazhdonte këtë rrugë. Dëshira e babait ishte të studionte flaut. Pak më vonë do të niste studimet dhe për kanto në Lice, një orientim nga e ëma, artiste e njohur lirike. Por rruga e Oltës nuk ishte muzika; ëndrra e saj ishte aktrimi. Në ndjekje të saj, pas disa vitesh studimi në Lice, largohet nga muzika për të studiuar në Akademinë e Arteve për aktrim. “Nuk doja ta vazhdoja më me flautin dhe kanton, edhe pse kisha zë shumë të mirë, isha mexosoprano si mamaja ime. Gjithmonë kam dëshiruar të aktroja. Pasi Liceut bëra një vit pushim dhe më pas vendosa të realizoja ëndrrën time: të bëhesha aktore. Aktrimi në fillim ishte vetëm një dëshirë, por pastaj e kuptova se ishte dëshirë shumë e madhe. Konkurrova dhe fitova në Akademinë e Arteve”, – tregon aktorja. Por nëse nuk do kishte marrë rrugën e aktrimit, a do ishte sot në skenën operistike? Olta përgjigjet prerë: ‘jo’. “Nuk e lashë kanton sepse doja të bëhesha aktore, por sepse nuk më tërhiqte. Më mungonte ajo dëshirë që duhet të ketë çdo artist brenda vetes për atë lloj profesioni. Studiova 4 vite në Liceun Artistik, por nuk kisha më ambicie për kanton”. E treta e vërteta, ishte e vërteta e madhe.
Hapat që kishte hedhur deri atëherë në skenë e kishin ndihmuar të ecte e sigurt në kërkim të asaj që donte, kishte arritur të mësonte nga dy disiplina parimet që udhëheqin një artist: atë të të qenit e përgjegjshme. Pas disa vitesh në skenë, tregon se është shumë e kënaqur me rolet e saj, si në drama apo në komedi, përpiqet shumë për të realizuar personazhin siç e kërkon teatri. Për aktoren, nëse publiku të ka vlerësuar që në fillim për punën e mirë që ke bërë, duhet të punosh shumë që të vazhdosh ta mbash këtë nivel. “Një përgjegjësi shumë e madhe për jetën artistike, sepse kur bën një punë të mirë, publiku pret që të jesh aty ku duhet. Pa këtë përgjegjësi, nuk do ishim kërrkund, më pëlqen të kem përgjegjësi”. Nuk ka rëndësi nëse është rol dramatik apo komik, e rëndësishme është që Olta Daku të japë më të mirën kur është në skenë. Ndihet shumë e kënaqur me rolet. ‘Çdo rol i bukur, dramatik apo komik, më pëlqen. Mundohem që të shtyj aq sa mundem, sigurisht kur punoj me regjisorë të mirë, mundohem të shtyj sa më shumë limitet e mia”, – thotë Olta. Një rol i veçantë për aktoren? Ai që ka brenda dramë dhe komedi, dhe i tillë është personazhi i Sonjës në komedinë “Vanja, Sonja, Masha dhe të tjerë”. Roli i Sonjës ishte i tillë, siç është dhe njeriu që ka të bukurën, komiken dhe tragjiken brenda. Ajo i dashuron role të tillë. Të flasë për punën në teatër i fal kënaqësi aktores, e cila teksa zbulon të veçantat e personazheve, tregon se tek secili has diçka të përbashkët me veten. “Një personazh motamo si mua jo, por njeriu përbëhet në aq shumë momente të vetat, ndryshime, sa që në çdo personazh gjen diçka tënden. Njeriu është qenie aq e ndërlikuar dhe mban aq shumë përbrenda, ndaj tek çdo personazh gjen diçka”, – pohon ajo.
E pas kësaj komedie të suksesshme në teatër, vjen një dramë shqiptare: roli i Marës në veprën “Gruaja në dritare”, shkruar nga Arta Arifi, me regji të Rovena Lules. “Kjo është e bukura, që kur përballesh me personazhe të ndryshme, mentalitete të ndryshme aq më shumë e njeh veten në teatër. Për mua ka qenë shumë interesante, nga epoka në epokë”, – pohon ajo. Ndërsa me shumë angazhime në teatër, kjo nuk ka ndodhur në kinema. Ndër filmat ku ka luajtur përmendim rolin e Evës te “Nata pa hënë”, ai i kryetares së lagjes në filmin “Mao Ce Dun”, si dhe seriale televiziv. “Kam pasur angazhime me kinematografinë, por do të doja të ishin më të shumta. Por tek ne filmi është me prodhimtari të paktë. Sigurisht do të doja më shumë role në kinema, një rol i bukur është i bukur si në film, si në teatër”.
Nuk ka qenë e lehtë për Olta Dakun të arrinte këtu ku është sot. I është dashur të punojë shumë, ka pasur edhe momente të vështira, por ka ditur t’ia dalë mbanë me këmbëngulje dhe punë. Për aktoren, Shqipëria nuk është një vend që ‘çmendet’ pas artit dhe përpjekja që duhet të bëjnë artistët është shumë e madhe nëse duan të jenë gjithmonë me angazhime. “Jeta e aktorit në Shqipëri është gjithmonë e vështirë. Nuk ka jetë të lehtë për aktorin. Gjithmonë ka vështirësi, është e madhe pikëpyetja e projekteve. Nuk mund të them se cili ka qenë momenti më i vështirë në jetën artistike, por përpjekja ka qenë gjithmonë. Nuk mbaj mend një periudhë që ta kem pasur të lehtë: ne këtu jemi sot me nesër, pasnesër s’e dimë se çfarë do të bëhet”, – tregon Daku.
Nëna, kritikja më e mirë
Shumë herë artistët flasin për angazhimet e tyre, punën e madhe dhe orët e gjata të provave që i mbajnë larg familjes. Dhe kur flitet për familjen, për Olta Dakun është një marrëdhënie e mrekullueshme me prindërit e saj dhe vëllain. Dy prindër artistë, që vajzën e tyre të vetme e kanë mbështetur në çdo vendim të saj. Janë spektatorë besnikë që nuk mungojnë në shfaqjet ku luan e bija. Por, ka edhe një peng: i vjen keq që vëllai nuk ka mundur dot ta ndjekë në shfaqjet e saj. Arsyeja, sepse ai jeton jashtë dhe në kohët kur ka qenë në Shqipëri, e motra nuk ka pasur shfaqje atë periudhë në teatër. “Prindërit më mbështesin në çdo vendim që marr. Edhe babai, edhe mamaja ime më kanë mbështetur fort. I falënderoj shumë, sepse në çdo vendim kanë qenë mbështetja ime. Në shfaqjet e mia, babai vjen çdo premierë, ndërsa mamaja vjen dhjetë ditë para premierës, çdo ditë në prova. Çdo ditë pas provave kemi diskutime mbi rolin. Vëllai im, Dori jeton në Itali, është më i madh se unë. Nuk më ka parë asnjëherë në skenë. Jeton atje dhe për fat të keq, sa herë ka ardhur në Tiranë nuk kam pasur shfaqje në teatër, më ka parë vetëm në seriale televizive”. Një artist e ka gjithmonë të nevojshme, që të marrë këshilla nga njerëz që jo vetëm e dinë dhe e njohin artin, por në fjalët e tyre gjithmonë të jetë kritika që synon për t’i përcjellë artistit më të mirën që duhet të bëjë, dhe në këtë rast, kur flitet për rolet, Olta kritiken më të mirë quan nënën e saj. “I pranoj vërejtjet e prindërve dhe mamaja ka dhe një sy shumë të mprehtë për artin: është kritikja ime më e mirë. E kam shumë të nevojshme këshillën e saj. Mamaja është drita për mua”, – thotë Olta.
Jetesa vetëm, liri për femrat
Gjithmonë ka qenë në vëmendje për punën e saj në teatër, por pak është folur mbi jetën private. Dita nis gjithnjë me telefonatën e parë me të ëmën. “Çdo mëngjes, gjëja e parë që bëj telefonoj mamanë, sepse nuk jetoj me prindërit. Dua t’i dëgjoj zërin, dhe kafen e pimë bashkë, kafeja me të është shumë e veçantë për mua. Pastaj vij nga teatri dhe takoj miqtë dhe kolegët e mi”. Nuk ka qenë e lehtë të largohej nga apartamenti i prindërve. I mungojnë gatimet e të ëmës, tingujt e klarinetës të së atit që ‘çajnë’ muret, një rutinë me të cilën u kultivua qysh e vogël. Por, ama sakrificat shpesh ja vlejnë. “Jetesa vetëm, e mrekullueshme. Edhe pse jetoja me prindër të mrekullueshëm për mua, por jetesa vetëm është gjë tjetër. Besoj më kuptoni. Edhe një cigare apo një dritë që e ndez në çfarëdolloj ore, është jeta jote. Për mua çdo femër duhet të jetojë vetëm, me mundësinë e parë që të këtë. Është liri e madhe të jetosh vetëm”, – pohon ajo.
Biseda për dashurinë për aktoren është gjithmonë e bukur, sepse edhe familja kërkon kohën e saj. “Mundohem ta jetoj jetën time 100 për qind. Kaq mund të them për këtë. Familja krijohet atëherë kur e kërkon, kur e ndjen se ka ardhur koha. Të krijoj familjen time, është shumë e rëndësishme, edhe pse për momentin nuk e kam ndërmend”, – thotë Olta. E kur vjen fjala te meshkujt, aktorja duke qeshur shton “Më pëlqejnë meshkujt e zotë, pastaj kujt i duhet një mashkull i pazotë (qesh). Meshkujt shqiptarë janë si në të gjithë botën…”.
Prej 8 vitesh që jeton në apartamentin e saj, gatimi është një tjetër pasion. Fton miq në shtëpi dhe i pëlqen të gatuajë për ta, sidomos gatimi i peshkut; tava me peshk. ‘Ushqimet e preferuara janë çdo pjatë që bën mamaja ime”. Pas orëve të gjata të provave, çlodhja është një gotë verë me miq. Ka hequr dorë nga jeta e natës, duke e zëvendësuar me një gotë verë me miq.
Me një natyrë që tregon forcën për të çuar deri në fund punën e nisur dhe për të përcjellë më të mirën në publik, aktorja ka dhe momentet që i quan të trishta. Sa herë e pyesin për familjen e thekson si gjënë më të rëndësishme në jetë, pa harruar se shpesh gabimet e saj i kanë trishtuar njerëzit e saj. “Gabimet e mia? Kur kam trishtuar njerëzit e shtëpisë. Gjëja më e keqe, që mund të kem bërë. Trishtim, që ka ndodhur…”, përfundon ajo.
Stili i Oltës
Ndryshe nga sa kemi parë aktoret sot, Oltën gjithmonë e shikojmë me veshje ku mbizotëron ngjyra e zezë, sidomos në prova gjithmonë shfaqet me atlete. Veshja për aktoren gjatë kohës së provave është mënyra e të punuarit që në kohën e studimeve në Akademinë e Arteve. “Veshja e përditshme nga shkolla, sidomos në prova më atlete. Kujtoj profesor Altin Bashën që ‘na detyronte’ të mos mbanim as thonj të gjatë, as manikyr, as rimel. Kjo, sepse gjatë provave bëhen dhe ushtrime fizike dhe një thua i gjatë, një varëse etj., është problem. Kjo është një lloj edukate për periudhën e provave që mua më pëlqen shumë. Atë që kam mësuar në shkollë, e kam edhe sot”, – tregon ajo. Nuk e mohon se i pëlqen ngjyra e zezë edhe në veshjet e zakonshme, madje edhe në raste më speciale, sepse e di se fuqia e kësaj ngjyrë është e fortë. “Më pëlqen shumë ngjyra e zezë në veshjet e mia, e cila dominon dukshëm. Nëse do të duhej të zgjidhja një fustan për një mbrëmje? Sigurisht që do të jetë i zi”.
Shfaqjet



















