Angjelin Preljocaj, një nga koreografët më të mirë në botë me origjinë shqiptare, vjen kësaj radhe ndryshe në edicionin 73 të Festivalit të Venecias. Në bashkëpunim me bashkëshorten Valérie Müller, ai prezanton “Polina, vallëzimi i jetës së saj”, duke shënuar debutimin e tij të parë si regjisor kinematografik. Historia e një balerine të vogël që përshkruan udhëtimin e saj nga Bolshoi në kërcimin bashkëkohor mes sakrificës dhe rritjes artistike. Një film i bazuar në novelën grafike të Bastien Vives, personazhit vizatimor të së cilit Müller i ka veshur një background, që të jetë sa më pranë jetës reale të një kërcimtari. Filmi është zgjedhur në seksionin “Dita e autorëve” dhe deri tani kritika e ka vlerësuar, si një film që bën diferencën dhe që mbi të gjitha është përfaqësues. Çifti Muller-Preljocaj në një intervistë për “Cineuropa.org” rrëfejnë prapaskenat, emocionet dhe vështirësitë për të krijuar një film për të gjithë, nëpërmjet vallëzimit jo vetëm fizik, por edhe psikologjik dhe emocional në botën shpirtërore të personazhit.
Si lindi ideja për të realizuar këtë film?
Preljocaj: Në të vërtetë unë nuk merrem me filma ndërsa Valerie po, unë jam një koreograf, mirëpo kur bashkëshortja erdhi te mua, ne u bindem se duhet ta realizonim bashkë këtë projekt. Valerie shkruajti të gjithë tekstin, sigurisht që edhe unë e ndiqja punën në vazhdimësi, duke e lexuar dhe duke dhënë nga vetja, por ajo ka qenë tërësisht e përfshirë në këtë. Dhe pas kësaj ne nisëm të kërkonim bashkëpunëtorë që të fillonim të punonim konkretisht me të.
Valerie: Kjo ka qenë një punë që na ka dhënë sadisfaksion të madh, madje unë realizova një dokumentar për Angjelinin për një televizion francez, dhe ishte pikërisht aty që zbulova magjinë e dancit, ishte një botë më vete. Idenë ia propozova Angjelinit dhe të dy e mendonim njëlloj se, ishte një ide e mrekullueshme. Më pas mendova se duhej bërë një fiction rreth kësaj, ku të tregonim se si jeton një kërcimtar si punon ai. Të dy e njihnim novelën e Bastien Vivès dhe e gjetëm ndërthurjen me këtë histori një ide fantastike, ishim shumë të entuziazmuar për këtë. Më pas ne duhet ta përshtatnim këtë histori grafike, dhe kemi punuar shumë me backgroundin e saj dhe të familjes së saj gjithashtu, pasi ne donim që ta bënim sa më real. Kjo kërcimtare ka një emër rus, prandaj ne e vendosëm ngjarjen në Moskë fillimisht dhe më vonë ajo do të zhvendoset në Francë, dhe pastaj në Belgjikë.
Sa i ngjashëm dhe i ndryshëm është filmi nga novella e Bastein?
Preljocaj: Mendoj se novela e Bastien Vives, është natyrisht shumë e përpiktë, por ajo është bazuar tek vizatimi, linjat dhe është shumë poetike, mirëpo nuk mund kurrsesi të realizohet një film, duke ndjekur rrjedhën e kësaj novele grafike, ndoshta thjesht një klip, po vetëm kaq. Dhe rreth kësaj Valeri ka punuar me të vërtetë shumë, ajo nuk donte thjesht që të kishim një film me silueta, por me njerëz dhe histori të vërteta. Ajo ka synuar fort që të ndërtonte një background të personazheve me historitë e tyre që të kishim karaktere reale dhe të forte.
Na tregoni diçka më tepër rreth udhëtimit artistik të Polinës?
Preljocaj: Unë bashkëpunova me kompaninë time dhe Teatrin Bolshoi duke miksuar kështu kërcimin e të dyja palëve, interesant është fakti se dy kërcimtarë të teatrit të Bolshoit e lanë atë për t’iu bashkuar kompanisë sime. Por më duhet të them se historia e Polinës nuk është thjesht fantazi, ajo u ndodh në jetën reale kërcimtareve ndonjë herë. Madje kjo është ajo çka u ndodh në realitet shumë kërcimtarëve, ata udhëtojnë në përpjekje për të zbuluar personalitetin e tyre, apo edhe për të gjetur, artistët, koreografin dhe kompaninë e duhur me të cilën duhet të bashkëpunojnë. Këtë kemi dashur të paraqesim edhe në këtë film një realitet, madje ndonjëherë ashtu si në jetën reale personazhi e humbet, nuk kupton zgjedhjet e saj. Pyet veten përse bëra këtë zgjedhje? Por këto janë dilemat dhe pengesat, që e bëjnë këtë personazh të jetë artiste, një artiste e vërtetë.
Si u bë e mundur pjesëmarrja e aktores së famshme Juliette Bionche në rolin e profesoreshës së kërcimit?
Valerie: Ne ia bëmë fillimisht këtë propozim asaj, mirëpo Juliette në atë kohë nuk ishte e lirë, rastësi që ne ndryshuam datat me produksionin, dhe kështu më në fund iu bashkua edhe ajo këtij filmi. Mendoj se për të ishte vazhdimësia e punës që kishte bërë me një koreograf anglez, ajo madje kishte realizuar edhe një performancë me të kështu që ishte shumë e interesuar që ta provonte këtë eksperiencë. Juliette u trajnua gjatë, rreth 8 muaj punoi me Angjelinin dhe asistentin e tij. Pjesa më interesante qëndron në faktin se personazhi që do të luajë Juliette, Lirja Elsaj, është frymëzuar nga historia e Angjelinit. Ajo përqendrohej së tepërmi që të vëzhgonte sjelljen e Angjelinit gjatë kërcimeve, lëvizjet e tij. Ka qenë shumë e përfshirë gjatë gjithë kësaj pune, është e frymëzuar dhe impresionuar nga historia e Angjelinit, dhe e ka bërë këtë punë vërtet me shpirt.
Preljocaj: Ajo faktikisht ka lidhje me kërcimin jo vetëm në film, por edhe në skenë prandaj e kontaktova. Juliette e pa këtë si një mundësi për të bërë bashkë këto dy pjesë të jetës së saj filmin dhe kërcimin. Dhe duhet ta dini se në këtë film personazhet janë duke kërcyer vërtet, nuk ka asnjë montazh. Në këtë film nuk ka lëvizje të shtirura, këtu aktorët kërcejnë vërtet dhe kërcimtarët aktrojnë, është çdo gjë reale. Jemi mbështetur gjithashtu në muzikalet amerikane të viteve 1930- 40, donim të krijonim një target të ngjashëm me të. Përzgjedhja e kastit ka qenë shumë e dëshirë, pasi kishim si synim të gjenim dikë që do mund t’i përmbushte të gjitha kriteret. Gjatë përzgjedhjes së personazhit kryesor ishin të shumta pyetjet që ne shtronim: “A e kërcen ajo dancin modern, po atë klasik? A flet frëngjisht, po rusisht?” Pastaj bënim të gjitha vlerësimet e duhura dhe më në fund gjetëm Nastya Shevtzoda-n, balerinën ruse që është në rolin e protagonistes. Ne vendosëm të punonim me të dhe ajo është realisht e mbresëlënëse! Historia e Nastya-s është shumë e ngjashme me historinë e Polinës. Kur ne e takuam atë ajo ishte në shkollën Vaganova të baletit, e kaloi provën, dhe është shumë e entuziazmuar pasi së bashku me Angjelinin ajo zbuloi kërcimin bashkëkohor, tani kërcen në Teatrin Mainski dhe mendoj se ajo në të ardhmen do të kërcejë në New York apo diku tjetër.



















