Susan rrëfen për herë të parë për “Neurology” vitin e fundit të aktorit që i dha fund jetës në vitin 2014: dridhje të trupit, humbje e kujtesës, ankth, panik dhe haliçunacione. “Dukej sikur në trurin e tim shoqi të ishte futur një terrorist”. Deri në fjalët e fundit: “Natën e mirë, e dashura ime”
Disa rrëfime janë më të vështirë se të tjerë. Për këtë duhet që të presësh. Ndonjëherë nuk mjafton as një jetë e tërë, për të marrë kurajë e të flasësh. Susan Schneider-it, gruas së aktorit Robin Williams prej vitit 2011, iu deshën dy vjet. Dhe dje në faqet e “Neurology”, i është rikthyer vitit të fundit të jetës së bashkëshortit, që i dha fund jetës në vitin 2014: “Unë pashë burrin më kurajoz në botë, duke luftuar në rolin më të vështirë të jetës së tij”, shkruan duke kujtuar momentet që u shfaqën shenjat e para, në vitin 2013.
Zelda Williams: “Kush vuan nga depresioni, të mos reshtë së shpresuari”
“Dora e majtë nisi t’i dridhej, shfaqi probleme me stomakun, pagjumësi dhe sulme paniku. Nuhatja po funksiononte çdo ditë edhe më pak. Nuk mundej të kontrollonte dot ankthin”. Pastaj edhe kujtesa nisi të bëjë lojëra. Papritur, ndërsa po bënte xhirimet e “ Natë në Muzeun 3”. “Vetëm pak muaj më parë kishte recituar në teatër, duke dhënë madje edhe dy shfaqje në natë, pa asnjë lloj problemi. Kur befas ai nuk arrinte të kujtonte as edhe një batutë”. Diagnoza pas shumë peripecive, është e rëndë: “Demenca dhe prania e trupave Lewy”, një sëmundje neurodegjenerative e lidhur me Parkisonin dhe Alzheimerin, që e bënte të ishte midis dy gjendjeve në mënyrë të pakontrolluar, herë i kthjellët dhe herë fliste përçart.
Në ditët e fundit, më ishte krijuar përshtypja sikur ishte stabilizuar: “Gjatë atij gushti dukej i qetë. Atë të diel shkuam të flinim duke i uruar njëri-tjetrit natën e mirë, si gjithmonë. Më tha: “Natën e mirë, e dashura ime”.
/Bordo/ Përktheu: Anila Dedaj