KreuStil Jetese

In memoriam/ Kolegët: Lamtumirë Gilman Bakalli!

Akademiku, profesori dhe ish-deputeti i Partisë demokratike, Gilman Bakalli, u përcoll dje për në banesën e fundit. Miq, të afërm, politikanë, profesorë dhe studiues ishin të pranishëm në homazhet, që u mbajtën në nderim të figurës së tij, në qytetin e Shkodrës. Gilman Bakalli (1967-2016) lindi në qytetin e Shkodrës, ku dhe u diplomua për Gjermanisht në Universitetin “Luigj Gurakuqi” të Shkodrës, e më pas vazhdoi thellimin e dijeve ne Gratz, Austrisë. Ai mbajti mandatin e deputetit nga viti 2005 deri në vitin 2009. Gjatë periudhës së fundit ka punuar si lektor tek UET. Kishte përvojë në mësimdhënie në nivel universitar, në fushën e teorive të letërsisë, përkthimit, komunikimit ndërkulturor dhe teorive të komunikimit. Ndarja e tij nga jeta, pas një sëmundje të rëndë, është komentuar nga kolegët e tij, si një humbje e madhe dhe e papritur, jo vetëm për familjen, por edhe për shoqërinë tonë.

Henri Çili: Askush nuk e beson, miku ynë Gilman Bakalli nuk është më!

Një prite tinëzare e vdekjes e mori atë, aq befas sa vetëm vdekja mund të ketë pushtet mbi jetën njerëzore. Duke na lënë të shtangur dhe të mangët nga shoqëria e një njeriu ekselent në çdo drejtim: erudit, intelektual, krenar, i thellë, sportiv, njeriu që e donte jetën dhe të bukurën. Duke filluar nga trupi i tij sportiv, nga stil i jetës dhe mendimi, nga arti dhe filozofia. Me heshtjen që mund të na imponojë vetëm vdekja fuqiplotë, sidoqoftë kam një dëshpërim për të ndarë lidhur me kolegun tonë të paharrueshëm tashmë: na mungon tmerrësisht miku ynë Gilman. Dhe do të na mungosh tmerrësisht më shumë. Lamtumirë, njeriu i bukur, mendje e bukur dhe shpirti i bukur, profesor Gilman Bakalli!

Blendi Salaj: Udha e mbarë njeri i mirë e i mençur

E kam dashur shumë Gilman Bakallin se i tillë burrë ishte që jo vetëm e respektoje dhe vlerësoje, por edhe e doje, për mirësinë, mençurinë e humorin që i kishte si pakkush… Na hidhëron kaq shumë dhe bëhet përnjëherë hon mungesa jote zotëri fisnik Gilman Bakalli. Po të përcjellim me të gjithë nderimin që e ke merituar shumëfish. Kush të njohu dhe nuk të vlerësoi për gjithë cilësitë që i rrezatoje me modesti? Udha e mbarë o burrë i ndershëm, njeri i mirë e i mençëm e trim. Qeshur do të të kujtoj gjithmonë!

Çapajev Gjokutaj: Do ta ruaj në kujtesë, si sfidues të lartësive

Kur mësova lajmin shtangës për vdekjen e Gilman Bakallit, m’u kujtua kjo fotografi. Ma dërgonte në shtatorin e 2013-ës me një: të përshëndes nga Alpet. Kështu do ta ruaj në kujtesë, si sfidues të lartësive. Jo vetëm lartësive gjeografike, por edhe atyre diturore dhe etike. Koleg dhe shok zyre. Do ta ndërmend kurdoherë si një shtatore dalë nga duart e Fidias me mbishkrimin: Jetoi sikur ta dinte se do të vdiste të nesërmen; mësoi sikur do të jetonte në amshim!

Sonila Meço: Atë nuk e frikësonte stuhia në prag, nuk kishte frikë as nga jeta dhe as nga vdekja

Nëse doje një bisedë të paqme me Gilmanin, larg zhurmës qytetëse, zhgënjimit konstant prej njeriut dhe në zgjim të të gjithë shqisave kjo që pamja që ta ofronte me bujari në shtëpizën e tij. Kjo ka qenë pamja e bisedës së fundit me të. Për syrin e shumëkujt mund të jetë trishtim, nerv, ankth kjo pamje…, por jo për Gilmanin. Për të natyra me gjithë shprehjet e gjendjes së saj që më e mirë se njeriu, se çdo shpikje e tij. Dhe ky nuk qe konkluzioni i njeriut që nuk ka mundur t’i marrë jetës me të mirat, përkundrazi, i njeriut që e ka jetuar plotësisht me të gjitha gjendjet e saj. Andaj nuk e frikësonte stuhia në prag, sepse nuk kish frikë nga jeta. As nga vdekja. Koha i bëri llogaritë gabim, gabim që dhemb në shpirt, por edhe na kujton sa të drejtë kish Gilmani kur jetonte çdo moment plotësisht. Thjesht plotësisht… Do na mungosh Gilman! Për ne që dita e fundit me ty, për ty lindi përjetësia! Pushofsh në paqe mik!

Mero Baze: E jetoi jetën me pasion dhe vërtetësi

E kam njohur kur ishte student i vitit të parë në Fakultetin e Gjeologjisë. Ishte nga ata djemtë hokatarë që bënte ç’ishte e mundur të kuptohej që ishte në Fakultetin e gabuar. Bënte humor me lëndët e vështira, me pedagogët e rreptë, dhe të qënurit aksidental aty. Ishte një gjendje që unë e kisha tejkaluar si student i  Gjeologjisë dhe kisha mundur të gjeja veten duke shkruar në gazetën “Studenti” dhe duke u bërë dhe pjesë e redaksisë së saj… E jetoi jetën me aq shumë pasion dhe vërtetësi, sikur ta dinte që do ikte papritur. Ashtu dhe siç e mendotne ikjen e tij. Jo duke e pritur ai vdekjen, por duke e pritur vdekja atë. Iku dhe tani nuk ka fuqi të ndreq më asgjë që ka lënë në mes. As betejat e nisura, as paqen që kishte gjetur me veten dhe familjen e tij dhe as nderimin e atyre që nuk e deshën kurrë.

Skënder Minxhozi: Një jetë plot dinjitet

Sot, kur Gilman Bakalli nuk jeton më, të gjithë ne, miqtë, kolegët dhe njerëzit e zakonshëm që e kanë njohur, dëgjuar apo parë në sallën e Parlamentit, auditorët e mësimdhënies apo në media, përpiqemi të gjejmë në togun e prozave dhe publicistikes që ai la pas, mesazhin e tij të fundëm, dëshirat e tij finale, të cilat rëndom populli i quan amanete. Ndoshta të gjithë gabojmë nga pak në këtë ushtrim të lashtë të kthimit të kokës pas, që bëhet me ata që s’jetojnë më. Dhe sidomos me ata që kanë ikur herët nga kjo botë. Sepse mesazhi që na ka lënë Gilman Bakalli, është i shtrirë në të gjithë ekzistencën e tij, kudo ku jetoi, punoi, foli, shkroi. Është i pranishëm në betejën e tij të shkurtër, por pasionante, politike. Ndodhet në retorikën e tij në parlament, në mes të mijëra faqeve të leksioneve e librave që ndau me studentët e tij, në qindra artikujt që shkroi e intervistat që dha, në tharmin krejt të veçantë të publicistikës së tij herë rebele, e herë të shtruar, por gjithnjë qytetare dhe plot kulturë. Në redaksinë e revistave Mapo e Java, patëm kënaqësinë ta mirëpresim, sa herë që kishte diçka për të thënë. Dhe përherë, shkrimet e tij kishin diçka të re për të kumtuar. I jemi mirënjohës për atë që na la pas në arkivën tonë shumëvjeçare. Gilman Bakalli jetoi vetëm 49 vjet. Me aq sa ne e njohëm, ishte një jetë plot dinjitet, që ja vlejti ta jetoje. Njeri i shkolluar në botën gjermanike, plot kulturë dhe dije, një personazh që rrezatonte jo vetëm mirësi, por edhe vetëpërmbajtje dhe që e mishëronte më së miri stofin e shkodranit të fisëm, të qytetarit që mendon dhe jeton lirë, sipas disa kritereve që ja ka mësuar jeta dhe shkollat ku ka qenë – ky ishte Gilman Bakalli që patëm nderin dhe privilegjin të njohim në dekadën e fundit. Në rrugëtimin e tij të shkurtër, Gilman Bakalli na la mesazhin e madh të njeriut që e do jetën dhe që lufton për të. Iku shpejt, duke na lënë në dëshpërim dhe dhimbje, si për të na thënë me këtë gjest të beftë, se jeta duhet jetuar çdo ditë me kurajo, respekt dhe dinjitet. Ashtu siç i jetoi 49 vitet e jetës së tij miku ynë i përbashkët Gilman Bakalli.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF