KreuArt

Intervistë: Evi Reçi, një dhomë për dy…

Intervistë | Andri Xhahu

Evi Reçi nuk vjen aq shpesh pranë publikut me këngë të reja, sikundër koleget e saj. Dhe ndryshe prej tyre, Evi prezantohet gjithnjë me materiale serioze, të konceptuara mirë. Është nga ato artiste që nuk gabon në tingull dhe imazh. Këngët e saj kanë rrugëtuar nëpër kohë dhe thërriten vlerë. “I ngjan asaj”, “Dhe jemi te dy”, “Zhdukem ngadalë”, “Merr guximin” dhe më e fundit “In my room” janë dëshmitare të të gjithë kësaj. Në dhomën artistike të Evit, ka vend për dy: për muzikën dhe gazetarinë. Siç jua kemi bërë me dije më herët, Evi Reçi tanimë është pjesë e një prej gazetave më të mëdha në Itali, “La Repubblica”. Pas radios, tani po i përkushtohet gazetarisë së shkruar. Për këto e shumë të tjera, Evi Reçi rrëfen për BORDO.

Evi, prej pak kohësh jeni gazetare në “La Repubblica”. Si erdhi ky bashkëpunim me këtë gazetë?

Ka qenë surprizë për mua por edhe fat. Unë kisha dërguar disa CV në media të ndryshme sepse kisha nevojë për një përvojë të re në një gazetë të madhe ndërkohë që vijoja punën në radio. Mora një përgjigje pozitive nga redaksia e Firences duke më ftuar të fillonim bashkëpunimin. Nuk po e besoja. Nisa dalëngadalë të shkruaja artikuj mbi kronikën, jo vetëm për artin dhe kulturën. Unë jam më e reja sepse gazetarët aty kanë më shumë se 20 vite eksperiencë.

Si u pritët nga kolegët duke qenë se jeni një gazetare e re dhe vini nga një vend tjetër?

Më pritën shumë mirë. Ata janë shumë të sjellshëm me mua. Madje doja të ndaja me ju një ndodhi. Gazetari i kulturës që punon aty prej shumë vitesh, kur kishim mbledhjen e parë më tha: “Unë të njoh ty. Jeni këngëtare, apo jo?” Ai kishte parë disa koncerte të mia dhe lajmi u përhap mes kolegëve të cilët nisën të kërkonin për të mësuar më shumë për mua.

Sa të vështirë e patët përshtatjen në këtë mjedis të ri, në këtë punë të re?

Të gjithë kuptuan dëshirën time për të mësuar të shkruaja në atë mënyrë që shkruanin ata. Pastaj është çështja e gjuhës. Pavarësisht se nuk është gjuha ime, unë arrij të shkruaj e të bëj artikuj në italisht por jo aq mirë. Është një shkollë e jashtëzakonshme në mënyrën se si përdoret gjuha, më pas publikimi i lajmeve, fotove dhe videove në faqen zyrtare në internet. Është një eksperiencë shumë e bukur.

Do mund të zgjidhje mes radios dhe gazetarisë së shkruar?

Dua të jem e sinqertë, mua më pëlqen më shumë radio. Ka më tepër energji dhe dinamizëm. Të shkruaj më pëlqen por nuk është pasioni im.

Largohemi nga gazetaria dhe flasim për muzikën. “In my room” titullohet kënga juaj më e re që ju sjell krejt ndryshe këtë herë.

Në fakt unë ndryshova kompozitor. Punova me Bojken Lakon, me të cilin prej kohësh dëshironim të realizonim diçka. Dëgjova disa demo dhe zgjodha pikërisht këtë këngë që është electro-pop. Është një rrymë shumë aktuale dhe shumë trend, në Evropë veçanërisht. Vendosëm ta bëjmë anglisht sepse unë nuk kam asnjë këngë në këtë gjuhë. Për më tepër që distribucioni dixhital do të bëhet përtej kufijëve.

Klipi ndërkohë është realizuar në Firence.

Po. Klipi është bërë në Firence, aty ku unë jetoj, nga një grup studiosh italiane por dhe bashkëpunëtorë shqiptarë. Menduam që të ishte pak më konceptuale dhe të mos tregonte një histori. Të ishte pak më alternative. Në skenën e parë të videos shfaqem në një shtrat sepse edhe kënga titullohet “In my room” (Në dhomën time). Ideja është e një vajze në intimitetin dhe vetminë e saj ndërsa nën shtrat ndodhet një person. Është disi më filozofike, më frojdiane “Mostri sotto il letto”, pra përbindëshi nën shtrat. Zakonisht thuhet se vajzat kanë frikë nga çfarë mund të ketë nën shtrat ndërsa djemtë nga çfarë mund të vijë nga dritarja. Ndërsa në skenën e dytë është gjithçka po ndodh në mendjen time ndërsa jam në shtrat.

Di që këngës po i bëhet një shpërndarje e mirë edhe përtej kufijëve.

Është hera e parë që unë dhe grupi i Bojken Lakos vendosëm të ndryshojmë strategji. Nuk dëshironim që këngën ta linim në mëshirë të fatit. U lidhëm me “360M Records” që është me bazë në New York dhe këngët i shpërndan në Spotify ku mund të dëgjohet falas, në iTunes ku mund të shkarkohet dhe të blihet, në Google Play dhe në shumë portale dixhitale. Por mbi të gjitha, kënga të mbrohet nga të drejtat.

Kam vënë re një mbështetje edhe nga kolegët të cilët kanë shpërndarë këngën në rrjetet sociale. E prisnit gjithë këtë dashamirësi?

Kjo mbështetje është shumë e rëndësishme. Ne artistët jemi shumë të mirë por nuk jemi gjithmonë të tillë, sepse nuk e mbështesim njëri-tjetrin. Por kanë qenë mjaft personazhe Irma dhe Eranda Libohova, Juliana Pasha, Ilva Tare e shumë të tjerë, që e kanë publikuar këngën. I falenderoj nga zemra sepse kjo do të thotë që e kanë vlerësuar dhe i kanë dhënë shtysë një këngëtareje, që ka nevojë si çdokush për mbështetje.

Po përgatiteni për ndonjë këngë të re?

Janë disa materiale që po i punoj dhe dua më në fund të publikoj një album me të gjitha këngët që kam edhe pse nuk është aq e thjeshtë. Këngë të reja do vijnë, mbase dhe dy klipe të tjera.

Faleminderit dhe suksese.

Faleminderit ju.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF