Përshtati | Andri Xhahu
Selena Quintanilla, mbretëresha e muzikës meksikane, është qëlluar për vdekje në moshën 23 vjeçare në motelin “Corpus Christi”, Teksas. Menjëherë më pas, rreth orës 09:30 të mbrëmjes, një grua 32 vjeçare u identifikua nga babai i këngëtares si ish-presidentja e klubit të fansave të këngëtares. Vrasja e yllit të muzikës, e cila ka fituar një Grammy dhe që në atë kohë po regjistronte “Amor Prohibido” (Dashuri e ndaluar), shokoi fansat e saj. Mediat radiofonike dhe televizive bënë një mbulim të plotë të ngjarjes, nga Teksasi në Meksikë. Shumë stacione radiofonike merrnin telefonata të panumërta nga dëgjuesit që kërkonin këngët e Selena-s të cilat u transmetuan gjatë gjithë ditës. Skena ishte gati e pabesueshme, me një numër të madh reporterësh, kameramanësh dhe spektatorësh, që kishin mbushur zonën që nga aeroporti i “Corpus Christi”. Qindra fansa, përfshirë adoleshentë që qanin, makina brenda të cilave dëgjoheshin këngët e Selena-s, dhe telefonat celularë që tringëllonin vazhdimisht.
Policia identifikoi të dyshuarën Yolanda Saldivar. Babai i këngëtares, Abraham Quintanilla, bëri me dije se Saldivar ishte drejtuese e klubit të fansave të Selena-s, e cila tre javë më herët ishte pushuar nga puna. Quintanilla e përshkruan atë si “punonjëse të pakënaqur” dhe e kishin larguar nga puna pasi mësuan që mungonin para në butikun e Selena-s në San Antonio ku Yolanda punonte paralelisht si menaxhere. Ai tregon se Selena kish kërkuar kthimin e dokumenteve financiare ndaj kishin rënë në akord për t’u takuar në motel.
Me buzëqeshjen e saj, interpretimin dhe performancat, Selena shpesh përshkruhej si Madonna e Meksikës duke patur fansa në të dyja anët e kufirit. Por përndryshe nga Madonna, ajo kultivoi një imazh serioz dhe të gëzueshëm që promovonte vlerat e familjes. Ajo ishte martuar me Chris Perez, kitaristi i grupit “Selena y los Dinos”.
Selena Quintanilla Perez lindi në Lake Jackson, afër Houston-it, më 16 prill 1971. Nisi të këndojë me grupin e babait të saj në moshën 3 vjeçare. Familja më vonë u zhvendos në Corpus Christi ku Selena filloi të bëhej e njohur në rrethin muzikor të qytetit, e më vonë u shndërrua në një yll.
Më 30 mars 1995, Selena kontaktoi Leonard Wong rreth parfumit që ai po prodhonte për të. Sipas Wong, Selena i kish thënë se të nesërmen në mëngjes do të takonte Saldivar-in, do t’i merrte provëzat që ajo ja kish vjedhur. Po atë dite, ajo i kish thënë një punonjësi tjetër në butik që do ta largonte nga puna.
Ora 07:30 e mëngjesit, 31 mars 1995, Selena u ngrit nga shtrati, veshi kostumin e gjelbër sportiv dhe u nis për në dhomën e motelit të Saldivar-it. Atje ajo i tha që ishte vjedhur në Meksikë. Selena e dërgoi Saldivar-in në Spitalin Rajonal, ku stafi mjekësor konstatoi se Yolanda Saldivar kishte simptoma të depresionit. Ndërsa ktheheshin për në motel, Selena i tha Saldivar-it se do të ishte mirë nëse do të qëndronin larg për disa kohë, për të mos mërzitur babain e saj.
Perez i telefonon Selena-s për t’i kujtuar orarin e regjistrimit të këngës. Ajo i thotë se kishte harruar dhe sapo të mbaronte diçka që kishte nisur në butikun e saj, do të shkonte në studio. Kjo ishte telefonata e fundit dhe hera e fundit që Perez dëgjoi zërin e saj.
Në dhomën e motelit, Selena dhe Saldivar nisën të debatojnë. Të pranishmit ishin ankuar për zhurmën dhe të bërtiturat që vinin dhe dhoma e Saldivarit. Ata thanë se kishin dëgjuar dy gra që grindeshin për çeshtje biznesi. Këngëtarja i kish thënë asaj se nuk kishte më besim dhe se duhet të kthente shkresat financiare. Selena hodhi çantën e Saldivar-it mbi shtrat dhe përveç dokumenteve bankare pa edhe një armë.
Ora 11:48 minuta afër mesditës. Saldivar i drejton armën Selena-s. Ndërsa këngëtarja u përpoq të ikte, Saldivar e qëlloi atë një herë në shpatullën e djathtë. Pas arrestimit, Saldivar pranon një tjetër variant të asaj që kishte ndodhur. “I thashë të ikte. I thashë se mori fund dhe nuk mund të punoja më me të. Ajo u ul para meje, më rrethoi këmbët dhe më tha të mos ikja. E ngrita dhe i thashë “ik”. Mora armën, e drejtova në kokën time, dhe i thashë se nëse nuk ikën, do ta shkrep Selena. Ajo më tha ‘mami duhet të flasim për këtë, mbylle derën. Dhe kur u nis për nga dera, i thashë: ‘mos e mbyll derën’. Në atë çast arma goditi.” E pyetur se pse arma nuk qëlloi vetë atë, por këngëtaren, Yolanda Saldivar përgjigjet. “Sepse e kisha drejtuar për nga dera, kur ajo iku.”
Teksa shtrëngonte kraharorin, Selena ulëriste duke kërkuar ndihmë: “Më ndihmoni, më ndihmoi. Ajo më ka qëlluar.” Ndërsa Saldivar mbante ende armën drejtuar nga këngëtarja duke e fyer me fjalë të rënda. Sipas Carlos Morales që ishte duke pritur jashtë motelit, ai kishte dëgjuar ulërima dhe pa Selena-n që vraponte drejt tij. U hodh në krahët e tij duke thënë: “Ajo do të më qëllojë sërish.” Në orën 11:49 minuta, Selena ra në tokë ndërsa nëpunësja e motelit Barbara Schultz telefonoi urgjencën. Selena e frikësuar iu drejtua stafit të motelit me këto fjalë: “Mbylleni derën, ajo mund të më qëllojë sërish.” Këngëtarja po humbte vetëdijen dhe po levizte gjithnjë e më pak. Ambulanca mbërriti në vendngjarje pas 1 minutë e 55 sekondash. Zemra e Selena-s po rrihte më ngadalë. Kur u dërgua ne spital, nuk kishte më shenja jete, pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta kthyer në jetë. Selena Quintanilla Perez, ndërroi jetë në orën 01:05 pas mesdite, nga humbja e gjakut dhe arresti kardiak.



















