KreuArt

Minutat e fundit të stilistit Gianni Versace

15 korrik 1997. Ora 08:14 minuta. Ishte mëngjes relativisht i ngrohtë atë ditë ndaj Gianni Versace kishte veshur pantallona të shkurtra dhe një këmishë të errët. Largohet duke mbyllur derën e vilës së tij në Miami dhe niset drej News Café. “Gianni doli për të blerë disa revista; “Vogue”, “People” e disa të tjera që nuk i kujtoj mirë. Ishte një mëngjes i qetë. Diku rreth orës 08:35 dëgjova 2-3 të shtëna dhe dola menjëherë të shihja.” – kështu kujton kuzhinieri i stilistit, Charles Podesta. Kur Podesta doli jashtë, pa Gianni-n në një pellg me gjak. Ai menjëherë telefonon 911-tën dhe operatori dëgjon zërin e Podesta-s dhe të bërtiturat e një gruaje, një kalimtareje të rastësishme. “Gianni qëndroi ashtu i shtrirë 25 minuta, nga ora 08:35 deri në orën 9:00. Kur telefonova 911-tën, operatori më pyeti nëse Gianni merrte frymë, por në fakt ai nuk po lëvizte. Edhe pse policia erdhi pas dy minutash, mua mu duk shumë gjatë. Zemra po më dilte vendit.” Kur policia mbërriti në vendngjarje, ata vunë re që Versace kishte disa plagë në kokë ndërsa zemra vijonte të rrihte edhe pse dobët. Në orën 09:15 minuta, Gianni, 50 vjeç, u deklarua i vdekur në “Jackson Memorial Hospital” në Miami.

Menjëherë lajmi për vrasjen e stilistit Gianni Versace nga vrasësi serial Andrew Cunanan do të pushtonte mediat të cilat do ta pasqyronin menjëherë ngjarjen. Sipas dëshmitarëve, vrasësi Andrew Cunanan u largua me vrap nga vendngjarja. Hyri në një rrugicë. Njerëzit u përpoqën ta kapnin dhe ta ndalonin atë, por kur panë që kishte një armë në dorë, u larguan prej tij.

Andrew Phillip Cunanan ishte një vrasës serial i cili ka vrarë të paktën pesë njerëz. Sipas disa teorive, ai ishte diagnostikuar me Hiv-positive dhe vriste për hakmarrje. Por a njiheshin ata me njëri-tjetrin? Siç u mësua më vonë, Gianni dhe Andrew ishin njohur në club-in “Colossus” në San Francisco në 1990-tën. Atëherë Versace ishte atje për të dizenjuar kostumet në operën e San Francisco-s. Atë natë, më 21 tetor, një dëshmitar kujton se Cunanan kishte një kënaqësi të papërmbajtshme që Versace u duk se e njihte atë. Nuk është ende e qartë nëse vërtet njiheshin ose nëse Andrew Cunanan kishte qenë ndonjëherë në shtëpinë e Versace-s në liqenin Komo. “Cunanan nuk ka qenë kurrë në shtëpi, dhe ata nuk ishin miq. As nuk kishte punuar për kompaninë. Ata rastësisht janë takuar në një festë, dikush ja prezantoi atë Gianni-t dhe Gianni e përshëndeti me mirësjellje.” – tregon Podesta.

Të dhënat janë kontradiktore dhe njohja e tyre është ende enigmatike. Pas vrasjes së Versace-s, sipas shefit të policisë së Chicago-s, Tom Cronin, vrasësi serial kishte shkuar në një bar atë pasdite dhe dukej mjaft i qetë duke pirë birrë teksa shihte fytyrën e tij në ekranin e televizorit. Vrasja që kishte kryer atë mëngjes, ishte e pesta në radhë. Gjendur mes një udhëkryqi dhe një situate pa zgjidhje, ndoshta dhe nga problemet mendore që ishin përkeqësuar së fundmi, Andrew Cunanan vret veten me pistoletën që kishte kryer edhe vrasjet e tjera.

Tags:

Home Art

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF