Premiera e “Mendohu Xhakomino” me regji të Milto Kutalit dhe pjesëmarrje të veçantë të aktorit të madh, Robert Ndrenika, nuk do të jetë këtë të premte ashtu sikurse ishte lajmëruar.
Shfaqja do të shtyhet për në datën 8 shkurt për shkak të gjendjes shëndetsore të mjeshtrit të skenës, Ndrenika, dhe disa aktorëve të tjerë të kastit të shfaqjes.
“Ne jemi të gjithë shumë të angazhuar dhe shumë të investuar në këtë projekt. Kemi treguar që nga fillimi i vitit 2016, se edhe në projekte të tjera të ngjashme si me “Tre dhëndurët” ku interpretoj znj. Hajrie Rondo se, investimi ynë kryesor është te njeriu, është te figurat të cilat kanë dhënë një kontribut shumë të gjatë në teatër dhe kinematografinë tonë, po aq edhe në talentet e reja. Unë besoj se z. Ndrenika apo kushdo tjetër e meriton dy apo tre ditë mirëkuptimin si nga publiku, ashtu dhe nga institucioni, që të jetë në formën e vet më të mirë, për punën e mirë që ka bërë. Unë si përfaqësuese kryesore e institucionit, do t’iu kërkoj mirëkuptim të gjithë atyre që kanë prerë biletat, se ne do t’i respektojmë të gjitha prenotimet që janë bërë dhe ato të spostohen në javën në vijim”, u shpreh Jonida Beqo, drejtoresha e Teatrit Metropol.
Ndërsa regjisori, Milto Kutali e konsideroi mjaft të rëndësishëm këtë projekt.
“Individi dhe të drejtat e tij themelore, qëndrojnë në pozita të brishta përballë mentalitetit të ngurtë, që reflekton mjedisi social, pjesë integrale e të cilit është çdo njëri prej nesh. Familja duhet mbrojtur me çdo kusht! Nëse mbrojmë familjen, kemi mbrojtur vetë jetën, emancipojmë shoqërinë ku jetojmë, zhvillojmë kushte më perfekte për të ardhmen e brazave”, u shpreh regjisori.
Interpretojnë: Robert Ndrenika, Amri Hasanlliu, Paola Kodra, Arben Derhemi, Marjana Kondi, Klodjana Keco, Redjan Mulla, Alert Çeloaliaj, Merita Dabulla.



















