Pas vdekjes së Dritëroit, e bija i shkruan këtë letër, ku i shpreh dashurinë e pakufi e pa kushte. Ku reagim vjen pas disa orësh pasi familjarët, miqtë e të afërmit, i dhanë lamtumirën e fundit në varrezat e Tufinës, aty ku do të prehet trupi i shkrimtarit të njohur, Dritëro Agolli.
Statusi i plotë:
Ati im Dritëro ,
Ke shkruar aq shumë poezi për vdekjen, duke dashur të sfidoje ankthin prej saj. E mallkuara të mposhti; të mposhti fizikisht e përkohësisht.
Dritëroi po fle, dhe në ëndrrat e gjithkujt do shfaqet përherë si bardi Dritëro që kurrë vdekje nuk ka.
Ati im, nuk më ndodhesh pranë fizikisht, unë nuk të ledhatoj dot flokët e bardha e të bukura tanimë, unë nuk këmbej dot mendime dhe ide të mençura, por unë të lexoj, të ndjej, të kam të gjallë.
Më thoje dikur që “e di ti si thotë një i ditur? Sa më larg distancohesh nga ndërtesat e larta, aq më të larta duken.”
Dhe ti Ati im je si ai monument i lartë që përherë do na shëmbëllesh edhe më i lartë.
Nuk është e lehtë për mua, vajzën, që përballë dashurisë së pakufi e pa kushte për Atin, të pranojë ligjet e natyrës e faktin që jeta është proces.
“Mos vdis në dhomën e heshtur i shtrirë,
Është turp kaq shpejt të rrish e të vdesësh
Ne ëndërronim një vdekje pak më të mirê
Duke vdekur fytyrat tona t’i shihnim në pikën e vesës”, gjëmon zëri i poetit, në “Ëndêrr e prerë”.
Ati im i shenjtë Dritëro lamtumirë.