Dëshira për të bërë art, shfaqet tek shumë njerëz, në një moshë fare të vogël. Por, specifikimi i fushës, ku do të shprehësh veten, është gjithmonë i vështirë. Për këtë arsye, shumë pak njerëz përfundojnë artistë me profesion, e të tjerët zgjedhin diçka ndryshe. Pasditen e djeshme, në kinema ‘Millenium’ u mbajt premiera e filmit “Sailed Away”, me skenar dhe regji të Rei Korkutit. Mund të habiteni, por vajza në fjalë është vetëm 13 vjeçe. “Më erdhi një ditë me skenar në dorë dhe më tha, që dëshironte të bënte një film”, u shpreh nëna e saj, Elvana Hana, njëkohësisht producentja e filmit. “Nuk e mora shumë seriozisht, thashë se ishte një dëshirë që do t’i kalonte, deri sa më paraqiti një list aktorësh, të bërë nga vetë ajo”, vijoi më tej znj. Hana. Dy fjalë shprehu dhe Rei, e cila shpjegoi arsyen pse kishte vendosur të bënte këtë film. “Fëmijët e sotëm, shpesh akuzohen se nuk janë të aftë të përballen me jetën reale, duke u përqendruar tek kompjuteri apo celulari. Unë dua ta thyej këtë stereotip, duke treguar përpjekjen e pesë fëmijëve, për të mbijetuar të vetëm në mes të detit”. Kështu u shpreh vajza 13 vjeçare, e cila shpjegoi njëkohësisht edhe sinopsin e filmit. Edhe pse një histori fëminore, filmi qendronte për atë çka dukej, që nga fjalët e Korkutit: dashuria e Reit për kinemanë shpalosej në të gjithë krijimin e saj. Pjesmarrës në këtë premierë ishin shumë personazhe të njohur, si: Henri Çili, Erjon Kristo, e nuk munguan as figurat më në zë të kinemasë: Saimir Kumbaro, Mevlan Shanaj, Besnik Bisha. Pjesëmarja e veçantë e të madhit Dhimitër Anagnosti, e bashkëshortes së tij, Roza, ishte ajo çka veçohej më shumë nga ky event. E djeshmja ishte një nga ato mbasdite të kryeqytetit, ku fryma artistike shpaloset në një mënyrë apo një tjetër. Duke i uruar Reit suksese, shpresojmë që iniciativa të tilla të ketë edhe nga të tjerë të rinj.



















