Le ta pranojmë: Kemi mjaft kureshtje për fushën e astrologjisë, pavarësisht se rrallëherë e pranojmë këtë gjë, duke mos dashur të dukemi naivë. Vërtet vëmë shenjën tonë të horoskopit në fushën “description” në Instagram, por deri aty shkon përkushtimi ynë.
Megjithatë, duhet pranuar që është e vërtetë se çdo shenjë ka karakteristikat e saj dalluese. Për shembull, personat Virgjëreshë janë mjaft punëtorë, apo Peshqit tejet ëndërrimtarë dhe të ndjeshëm.
Por a keni menduar se çdonjëra prej shenjave të horoskopit ka një ngjyrë manikyri të cilën ia diktojnë yjet?
Dashi
Për këtë shenjë impulsive që shpërthen me të parën, këshillohet një blu e shkëlqyeshme mesnate. Bluja e thellë, gati në të zezë, ndihmon në “qëndrimin në shina”, ndërsa shkëlqimi i argjendtë e ruan atë flakë dhe energji, që kjo shenjë ka përbrenda.
Demi
Jeshile pylli për këtë shenjë. Duhet të dini që Demi është shenjë Toke, dhe ku ka ngjyrë më përfaqësuese të Tokës se sa jeshilja? Kjo ngjyrë ndihmon në kthjelltësinë e mendjes, diçka e domosdoshme për një Dem.
Binjakët
Për këtë shenjë sugjerojmë kallajin. As e zezë, as e bardhë, kjo ngjyrë e përmbledh fare mirë natyrën dualiste dhe të pazakontë të Binjakëve.
Gaforrja
Ah, familjarët dhe romantikët e horoskopit! Për këtë shenjë sugjerojmë diçka klasike dhe të pastër, si një ngjyrë perle. Përputhet dhe me elementin e Gaforres, që është uji.
Luani
Superstarët e astrologjisë. Luani e do të gjithë dritën e skenës mbi vete. Një shenjë si Luani dëshiron një ngjyrë floriri të trëndafiltë, për disa nota feminiliteti nën gjithë atë ekstravagancë!
Virgjëresha
Një ngjyrë praktike, por edhe sensuale, si trëndafili i përhimët është perfekte për Virgjëreshën. Kështu, e thyen pak namin e keq të një shenje “All work and no play”.
Peshorja
Rozë holografike është ngjyra e duhur për Peshoren, sidomos po të shohim gurin e saj, Opalin. Diçka gazmore si roza holografike i përshtatet natyrës së qeshur të shenjës.
Akrepi
Kjo shenjë shpreh mister, fuqi dhe seksualitet, ndaj e kuqja në vishnje është padyshim ngjyra e duhur. Akrepët janë shefat e horoskopit dhe manikyri i tyre duhet të tregojë fuqinë që ata mbajnë.
Shigjetari
Një shenjë zjarri, që ka burim energjie të pashtershëm meriton një të kuqe të flaktë qershie. Zjarri i tyre duhet të përcillet deri tek thonjtë!
Bricjapi
Edhe pse është shenjë Toke, Bricjapi lidhet edhe me elementin e Ujit, siç shihet në simbolin e shenjës, një cjap me bisht peshku. Ngjyra bruz e errët përshtatet me shenjën, për t’i qetësuar gjatë punës së tyre (Bricjapët dhe puna janë të pandashëm), dhe për t’u ruajtur humorin e mirë.
Ujori
Një shenjë unike si Ujori meriton po një manikyr unik: ngjyra patëllxhan është ngjyra e tyre. Shkëlqimi i ngjyrës i përshtatet natyrës miqësore të Ujorit, ndërsa pjesa e errët e saj përfaqëson anën misterioze të shenjës.
Peshqit
E kuqe metalike për këtë shenjë. E kuqja i ndihmon të mos i lënë punët përgjysmë (veti e njohur e shenjës), ndërsa shkëlqimi i ruan qejfin punës.
Mendoni se ju përshtatet ngjyra e përshkruar më lart? Kijini parasysh këto të dhëna kaq interesante për takimin tuaj të radhës te estetistja!