Edhe pse jemi mësuar të mos e shohim aq shpesh në intervista apo në qendër të vëmendjes mediatike, Dashnor Diko nuk është ndër personazhet e harruar shqiptarë. Më pak aktiv në muzikë, Diko kujdeset të hedhë batuta herë pas here në rrjetet sociale. Por, një nga realitetet që hasim pothuajse çdo ditë në rrugët e kryeqytetit, duket se e ka prekur thellë këngëtarin.
Ai ka postuar foton e një djali nga komuniteti rom, ngarkuar me qese me kanaçe e mbeturina, teksa sheh të tjerë fëmijë duke luajtur në një kënd lojrash. “Duke vështruar bashkëmoshatarët e tij që luajnë…por detyrimi për të nxjerrë bukën e gojës nuk e lejon…mjerim”, ka shkruar Diko, ndërsa nuk ka fshehur trishtimin pas këtij fenomeni të spikatur në përditshmëri.
Nuk e shohim shpesh ndër radhët e personazheve një formë të tillë ndërgjegjësimi, e nga ana tjetër kujtojmë se ka ende njerëz si Diko, që nuk i lënë në harresë ngërçe të tilla shoqërore…



















