E njohim për filmat mbushur me dhunë e krim, vrasje e hakmarrje, heronj dhe antiheronj, gangsterrë dhe familjarë…Është një ndër kineastët më të mirë në historinë e kinematografisë, e sa herë dëgjojmë emrin e Martin Scorsese, jemi sy e veshë për të dëgjuar të rejat më të fundit. Aktualisht i përfshirë në një tjetër produksion, ku protagonistë do të jenë Robert De Niro dhe Al Pacino, Scorsese ka lënë gjurmë në art me karrierën e tij prej disa dekadash.
Nëse çdokush e dashuroi pas ‘Taxi Driver’, rreth dhjetë vite më pas regjisori do të realizonte ‘King of Comedy’, një nga filmat më të nënvlerësuar dhe më pak të njohur të Scorsese. Periudha “e artë” e Reagan, ku çdo gjë dukej se po shkonte më së miri, në sytë e regjisorit dukej disi problematike. Ideali se çdokush mund të ishte i lumtur, mund të kapte famën dhe të arrinte shumëçka, u paraqit nëpërmjet personazhit të Rupert Pupkin, komedianit të dështuar që ëndërronte të interpretonte në një nga spektaklet më të njohura amerikane.
Një dëshirë e arritur deri në psikopati, fundi tragjik i personazhit, por edhe situatës, edhe në këtë film është lënë krejtësisht i hapur. Mes dyshimit për realitet apo imagjinatë, përfundimi mbetet i trishtë në të dyja rastet. Një paralelizim ndryshe i Amerikës së ‘Taxi Driver’, ky prodhim i Scorsese nuk duhet humbur për asnjë motiv. Nën lojën e pakrahasueshme të Robert De Niro, do të kuptoni shumë për gjendjen social-ekonomike të SHBA-ve në vitet ’80-të.
Diçka është e sigurt: kjo pasdite nuk do t’ju gjejë pa aktivitet!



















