Nga Brunilda Kazani
Kur u nisëm për t’i bërë intervistë Sara Kapos, e dinim që do e kishim më të lehtë për t’i bërë pyetje paksa të ‘çmendura’, sepse natyra e saj kurrsesi nuk mund të “pranonte” pyetjet klishe, prej të cilave në të shumtën e raste nuk marrin përgjigje.
Të gjithë e kemi njohur në fillim si vajza e aktores Ema Andrea, por me kalimin e kohës, Sara u bë thjesht ‘Sara’. Ndoshta pas shumë vitesh mund ta etiketojmë si ‘Sara këngëtare’ apo ‘Sara e design-it’. Së fundmi ajo ka lançuar klipin e saj të parë “Watching You”, ndonëse fusha e artit në të cilën do të dominojë nuk dëshiron që të jetë kënga, por desing. Nuk e përjashton mundësinë që do sjellë klipe të reja, pasi “Watching You”, është pritur mjaft mirë, por na “paralajmëron” se edhe këngët e tjera do të vijnë në anglisht, pasi siç tregon ajo, e ka të vështirë të këndojë shqip, duke qenë se nuk është shumë afër muzikës shqiptare në shije.
Ndonëse ajo shprehet se nuk e ndjen veten të veçantë, për ne është e tillë. Këtë gjë mund ta kuptojmë fare lehtë që në pamjen e saj, mënyrën e të veshurit, të menduarit, sjelljes, madje edhe në çdo fjalë që ajo thotë… dhe kjo mund të vërtetohet më së miri tek përgjigjet që ajo dha në intervistën për Revistën BORDO.
Përse një këngë?
Një nga format e artit që më pëlqen më shumë.
Si është pritur klipi, cilat kanë qenë pritshmëritë e tua?
Klipi është pritur siç doja të pritej… “I papritur” hahaha. Ka pasur ‘feedback’-un që doja dhe pak më mirë së ç’prisja.
A do të kemi këngë të tjera nga Sara?
Besoj se po, pse jo?
Kënga është sjellë në anglisht, përse kjo zgjedhje?
E kam pak të vështirë të këndoj shqip, duke qenë se nuk jam shumë afër muzikës shqiptarë në shije, pastaj 9 vite vetëm ‘british’ në parashkollor, më pas në universitet, puna me të huajt dhe përkthimet…nuk kishte si të ndodhte ndryshe.
Të pëlqen të qenurit VIP? E do famën?
Duke qenë se kam pasur një mama artiste, gjithmone famën ose të qenurit VIP e mendoja sikur futeshe në nje grup “elite” në mendime dhe punë artistike. Pak dija, që ishte komplet e kundërta.
Në cilën fushë të artit do të doje të dominoje?
Design!
Çfarë mendon se të bën ty të veçantë nga të tjerët?
Nuk mendoj se jam e veçantë të them të drejtën.
Sapo festove 24 vjetorin. E ndjen veten të realizuar për moshën që ke?
Ka ditë po, ka ditë jo, por asnjëherë në mes. Mendoj shpesh që kam bërë shumë gjëra në jetë, por gjithmonë do njoh një 16 vjeçare që ma kalon.
A ke një model të cilin përpiqesh të ndjekësh? Nëse po, cili është?
Dua thjesht të jem e lumtur, ky është i vetmi model që ndjek të them të drejtën.
Çfarë librash lexon? Muzika e preferuar, apo filmat që të pëlqejnë?
Më pëlqejnë librat të shkruar nga skenaristë filmash, janë gjithmonë me interesantet dhe më mbajne për vete. Sa për muzikën e kam shumë të vështirë të zgjedh, por më të thjeshtë të përjashtoj muzikën elektronike, deri diku, thjesht sepse janë disa nëndegë të saj që nuk e gjej veten fare. Tek filmat jam pak e sertë, sepse kam filluar t’i shoh me një sy pune me shume se sa ta shijoj. Vë re ngjyrat, kompozimet, skenografine, kostumet etj…
Një cilësi të mirë dhe të keqe që mendon se ke tek vetja?
Mbaj mendjen dhe zemrën e hapur dhe kjo gjë më pelqen tek vetja deri diku, ndërsa negative, faktin që nuk i çoj gjërat deri në fund!
Ëndërrat e tua për të ardhmen, ku e sheh Sara veten pas disa vitesh?
Plani im realist është të kem një studion time për “branding”, të kem lënë cigaren dhe në fundjavë të merem me muzikë… se këto ëndrrat e mëdha më kanë thënë që nuk është mirë t’i përhapësh.
Komenti më i shëmtuar që ke lexuar për veten? Po më i miri?
Nuk di të them më i shëmtuari se delet njësoj mendojnë dhe në një vend i sjell të gjithë mendimi, thjesht shprehur ndryshe. Për mirë…booh, natyra njerëzore nuk i mban mend me sa duket.
Si ndihesh kur të tjerët të identifikojnë si ‘vajza e Ema Andreas’?
Të them të drejten jam mësuar dhe nuk e vras më mendjen, por një pjesë e pergjigjës së mëparshme mendoj se ka të bëjë edhe këtu.
Dhe disa pyetje “të çmendura’…
Sa e çmendur është Sara?
Aq e çmendur sa e marr çmendurinë time seriozisht.
Sa e çmendur je në një lidhje?
Më pëlqen të bëj gjëra të çmendura me partnerin, më pëlqen adrenalina, por e çmendur në lidhje me partnerin jo, sepse nuk mendoj se duhet t’i bësh tjetrit atë që nuk duan të të bëjnë ty.
Cila është sakrifica apo veprimi më i çmendur që ke bërë për dashurinë?
Kam sakrifikuar shkollimin tim jashtë Shqipërisë për shëndetin e dikujt.
Kur je në kulmin e nervave, çfarë bën? Cili është veprimi më i çmendur në ato momente?
Vështirë vallaj të më shkojnë nervat në kulm, por ato pak njerëz që e kanë parë, nuk më shohin më njësoj haaha. Bëhem shumë e keqe nga goja dhe kaloj edhe në dhune fizike pa e menduar shumë (goc lagjeje).
Ka edhe dhurata apo surpriza të çmendura. Të kanë bërë, apo ke bërë të tilla?
Ndihem me fat që rrethet shoqërore dhe familjare i kam ndërtuar në bazë të vlerave dhe jo interesave, ndaj surpriza për festa, falenderime, qejfe, nuk më kanë munguar dhe nuk i kanë munguar rretheve ku unë jam pjesë.
Vendi më i çmendur që ke bërë seks?
Në të kaluarën time.
Propozimi më i çmendur që ke marrë nga një djalë?
Të lija shkollën, familjen, punën për të.
Pushimet më të çmendura?
Një javë në Bullgari!
Loja më e çmendur që ke bërë kur ke qenë me pushime?
“Yjesh”- unë fiksoj një yll, ti gjeje.
Veprimi më i çmendur që ke bërë kur ke qenë e dehur?
Kam puthur një pemë.
Shpenzimi më i çmendur që ke bërë për një veshje?
Nuk kam shpenzuar kurrë shumë para për rroba, por kam shpenzuar kur doli Nexus 5x… një javë pasi doli e bleva!



















