KreuBusull

Izmir Smajlaj, me hapin e një kampioni!

Çfarë presim nga një Kampion Europe në kërcim së gjati dhe një rekordmen kombëtar? Pse jo më shumë! Fundja një hap e ndan nga pragu i medaljes, hap i cili është më i rëndësishmi për një atlet si Izmiri, por edhe për Shqipërinë.

Shtatlartë, me një trup tipik prej atleti, ku spikasin këmbët e gjata, staturë e gdhendur prej olimpisti, sharmant e mbi të gjitha tejet elegant! Por a mjafton kaq për të përkufizuar Izmir Smajlaj? Kurrsesi nuk mjafton kaq pak për rekordmenin tonë të kërcimit të gjati, pasi asnjë si ai deri më tani nuk ka arritur rezultatin e tij në Shqipëri, e gjithashtu Kampion Europe, duke na bërë të ndihemi krenar.

Marsin e shkuar, plot 25 ditë para ditëlindjes, jeta dhe karriera e tij do të transformohej 360 gradë. Atleti shkodran do të kthehej në aeroportin e Rinasit me një medalje ari në qafë, një rekord të ri kombëtar, e mbi të gjitha, kampion i Europës në kërcim së gjati. Asnjëherë më shumë sesa deri atëherë, emri i atletit Izmir Smajlaj nuk kishte marrë aq vëmendje, edhe pse herë të tjera kishte shkëlqyer me hapin e tij të pazakontë që arrin mbi tetë metra distancë. Ndoshta, më shumë se deri tani shkëlqimi i medaljes së artë i dha atij gjithë vëmendjen dhe shkëlqimin që meritonte.

Në fakt kështu ndodh në vendin tonë: sportistët janë krejt të padukshëm para nisjeve të tyre në evenimentet ndërkombëtare, por bëhen gjithmonë më të dukshëm, kur kthehen me trofe. Fill pasi preku tokën, agjenda e takimeve të tij ishte caktuar; presidenti do t’i shtrëngonte dorën, e kryeministri do ta falënderonte publikisht. Nuk ishte vetëm efekti dehës i medaljes, pasi Izmiri kishte ngritur flamurin shqiptar në zemër të Beogradit, një sfidë kjo më shumë sesa sportive.

Izmiri kaq modest, përtej titujve dhe trofeve ka një jetë që kërcen për të kapur medaljet. Jeta e tij do merrte një kthesë të beftë kur ishte vetëm 9 vjeç. Edhe pse më herët kishte filluar të merrej me futboll, profesori i tij i kishte sugjeruar atletikën. “Në fillim merresha me futboll por duke u stërvitur, profesori kuptoi dhe insistoi që isha i prirur për atletikë, ndaj vazhdova me shumë kënaqësi këtë sport individual”- kujton atleti shkodran. Pas këtij kapërcimi, drejt një sporti krejt ndryshe nga futbollit, aspak zemërthyer, por i motivuar, sidomos nga i ati, edhe ai një ish-sportist, ai do të përshtatej lehtë me atletikën. Ndoshta në Shkodër, aty ku prej vitesh gjallon një bërthamë e vyer me atletë të talentuar gjithçka mund të ketë qenë më e lehtë për Izmirin, derisa mbushi 16 vjeç, moment kur arriti të kualifikohej në të parin eveniment ndërkombëtar në Turqi. “Ky ishte kampionati për të rinjtë ku arrita të dilja në vendin e parë. Mbaj mend që përjetova një emocion tepër të madh dhe që më dha një shtysë të stërvitesha e të investoja akoma më tepër në këtë sport”- pohon Izmiri, i cili në Shqipëri, prej 8 vitesh mban edhe titullin Kampion Kombëtar në kërcim së gjati.

Ndërsa deri në atë moment vëmendja ndaj atletikës, e sidomos ndaj atletit shkodran nuk ishte aq e madhe sa sot, Izmiri arriti të tërhiqte vëmendjen e shtetit me arritjet e tij duke ndikuar në përmirësimin e kushteve të tyre. “Tashmë, kushtet kanë ndryshuar, janë goxha të mira dhe po investohet në stadiumet e qyteteve kryesore shqiptare për pistat e vrapimit me tartan të cilat janë të domosdoshme për ne atletët”- pohon ai duke falënderuar Komitetin Olimpik Shqiptar dhe Federatën e Atletikës për mbështetjen.

Përtej modestisë, atleti shkodran, aktualisht Kampion Europe, është ai që i solli për herë të parë Shqipërisë një medalje ari me rekord 8.08 metra, rezultati më i lartë i arritur ndonjëherë në historinë e atletikës shqiptare. “Për mua është nder dhe emocion i jashtëzakonshëm. Jam ndjerë shumë i lumtur dhe krenar që arrita një objektiv madhor në karrierën time sportive, duke bërë të lumtur familjen, e cila është mbështetja ime më e madhe, po ashtu trajnerin, shoqërinë dhe sigurisht çdo shqiptar”- thotë Smajlaj.

Por një tjetër arritje po kaq e madhe, emocionuese, dhe sfiduese për të gjithë, ishte fakti që flamuri shqiptar u ngrit në Beograd, andaj Izmiri pohon se është lumturuar shumëfish që ka bërë krenar çdo shqiptar për ngritjen lart të flamurit tonë në këtë kampionat.

Por nëse viti i shkuar ishte viti i artë për Izmirin dhe atletikën shqiptare, 2018-ta pritet të sjellë po ashtu rezultate po aq të mira, pse jo edhe ndonjë rekord të ri. Prej kohësh Izmiri ka nisur përgatitjet, e së fundmi sapo u kthye nga Stambolli ku ndodhej prej disa ditësh për stërvitje intensive. “Ky vit është viti i arritjeve të mëdha. Stërvitjen po e zhvilloj momentalisht në Stamboll me trajnerin e mikun tim z.Gjergj Ruli, të cilin e falënderoj për gjithçka që më mëson e bën për mua çdo ditë”- rrëfen kampioni.

Në Stamboll pikërisht me 17 Shkurt, ai do të kthehet sërish, po këtë herë si garues e përfaqësues i Shqipërisë në Kampionatin Ballkanik, ndërsa në fillim të Marsit do të jetë pjesë e Kampionatit Botëror në Birmingham të Anglisë. Në fillim të Verës, Izmiri do të përfaqësojë atletikën shqiptare në Lojërat Mesdhetare në Tarragona të Spanjës dhe në  Gusht në Kampionatin Europian të Atletikës në Berlin. “Kam objektiva të qarta të cilat përfshijnë fitoren në kampionatin Ballkanik. Uroj që në kampionatin botëror të futem në zonën e medaljeve si dhe vazhdoj të mbaj titullin Kampion Europian me një rekord të ri” – premton rekordmeni ynë, i cili edhe po stërvitet intensivisht prej disa muajsh.

Ashtu si çdo sportist jeta e Izmirit vërtitet gjithmonë rreth atletikës, ndaj edhe i duhet të respektojë një regjim të fortë, i cili edhe e distancon atë pak nga dëshirat e moshës, pa harruar të gjejë gjithmonë kohë për njerëzit e dashur, një listë e gjatë, ku spikat e fejuara e tij, familja dhe rrethi i ngushtë i shoqërisë së tij. Madje, që ditën e parë të hyrjes së vitit 2018-të, Izmiri ka arritur një tjetër rekord, këtë herë në planin familjar, duke kurorëzuar lidhjen e tij me vajzën që i ka rrëmbyer zemrën. “Vajza që më ka marrë zemrën quhet Lorella Shkreli dhe është vajza e një biznesmeni të njohur shqiptar. Kemi disa kohë që jemi në një lidhje të bukur dashurie dhe vendosëm së bashku që të shpallnim fejesën tonë me datë 1 janar 2018, si një fillim viti i mbarë dhe një ogur për të vazhduar mbarë këtë vit kaq të rëndësishëm sportiv për mua”- rrëfen Izmir Smajlaj.

Ndaj çdo shqiptar sivjet do të jetë gjithë sy e veshë drejt pistave të atletikës prej tartani nga Stamboll në Birmingam, Tarragona në Berlin, aty ku Izmiri do të fluturojë me hapin e tij magjik, një hap i pazakontë i cili i kalon 8.08 metra, kufi të cilin presim të kalohet lehtësisht, duke e shpërblyer djaloshin e talentuar shkodran me një tjetër medalje, pse jo edhe me ndonjë rekord të ri. Por ama, sido të jetë rezultati, ne do ta duam gjithmonë Izmirin, sepse ai nuk ka thjesht një hap fluturak, ka hapin e një kampioni…!

Tags:

Home Dossier

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF