Mbrëmja e djeshme e ceremonisë së ndarjeve së çmimeve Oscar ishte deri diku e parashikueshme. Buja dhe trofetë e marra në festivale paraprake nga ana e ‘Shape of Water’ të shtynin të mendoje se statuja për Best Picture do të shkonte pikërisht për këtë të fundit. Disa e quajtën të pamerituar, por ja që Del Toro u vlerësua si regjisori më i mirë, dhe jo vetëm.
E ndonëse që sot kanë filluar ankesat për fituesit në disa prej kategorive kryesore, askush nuk mund të mohojë vlerësimin maksimal që iu dedikua Gary Oldman. Anglezi rrëmbeu vëmendjen e publikut dhe kritikës me rolin e Churchill në ‘Darkest Hour’. Përpos punës së jashtëzakonshme të grimit, ishte Oldman ai që kishte përvetësuar në çdo qelizë personazhin, për të ‘hipnotizuar’ shikuesin. Nga zëri, e deri tek plastika, vështirë të bëje dallimin mes Churchill (për aq sa e njohim nga video-materialet e lëna pas) dhe aktorit.
Është disi e zakonshme që filmat biografikë t’i sjellin statujën Oscar aktorëve në rolet kryesore, por le të themi se Oldman nuk përfshihet fort në këtë kategori. Puna dhe kontributi i tij si aktor në kinema është i pamohueshëm, e Churchill nuk është i vetmi rol ku aktori na ka lënë gojëhapur. Për të gjithë ata që e duan sadopak filmin, personazhi i antagonistit në ‘Leon The Professional’ mbetet ikoniku, ashtu sikurse transformimet në të tjera prodhime ndër vite na kanë dhënë bindjen se Oldman e ka rrëmbyer Oscar-in e tij që në fillimet e karrierës.
Ne sot ju kujtojmë dhjetë nga rolet më të spikatura të anglezit, që do t’ju bëjnë të kuptoni pse statuja e fituar mbrëmjen e shkuar është më shumë se e merituar. Cili është filmi juaj i preferuar?



















