KreuStil Jetese

Makbethi ndryshe i Kled Kapexhiut!

Tragjedia Makbeth është një nga kryeveprat jo vetëm të William Shekspir, por e gjithë dramaturgjisë botërore, ndaj kur nisesh për në Teatrin Kombëtar, për ta parë premierën e tij kërshëria qëndron tek sjellja regjisoriale për atë ngjarje, të cilën e njohim qysh në tekstet e shkollës.

E në këtë pikë, ngacmimet kishin ardhur prej ditësh, teksa në rrjetet sociale ishin shpërndarë foto të kastit të veprës, ku portretet e njohura fshiheshin pas maskave! Në fakt, për ata që e ndoqën premierën e Makbethit, të regjisorit Kled Kapexhiu dhe ata që do ta ndjekin në ditët në vijim, maskat janë vetëm një nga simbolikat që ai ka zgjedhur për të sjellë një vepër plot identitet, ku aktorët nuk interpretojnë vetëm me fjalën, por edhe me lëvizjet, ku asnjë veprim nuk është rastësor.

Në rolin kryesor u ngjitën Indrit Çobani, Makbeth dhe Luli Bitri nën petkun e Ledi Makbeth, por po me aq mjeshtri interpretuan edhe Arben Derhemi, Laert Vasili, Neritan Liçaj, Genti Deçka, Suela Bako, Jaho Guma, Xhino Musollari, Adelina Muca, Niada Saliasi Arjola Basho, Klodjana Keco, Egla Ceno, Serxho Harizi të cilët rrëmbyen duartrokitjet e publikut, në sallën e mbushur plot.

Maskat dhe kostumografia u ideuan nga Gerta Oparaku, realizuar mjeshtërisht nga stilistja Enada At’ Nikolla e ndërsa skenografia nga Genci Shkodrani. Që prej premierës së 9 marsit, shfaqja do të vijojë takimin me publikun, në skenën e Teatrit Kombëtar, edhe në datat 10 dhe 17 Mars ora 19:00.

Tags:

Home bordo

Bordo No.65
Dhjetor 2023

SHKARKO VERSIONIN PDF