Drita inkandeshente e ekraneve në regjinë e teatrit të PortokaIli reflektohet në qelqin e syzeve të Altin Bashës. Papritmas, portreti autoritar i regjisorit që “dirigjon” varietenë më të dashur për publikun, ndryshon në atë të një fëmije kurioz. Arsyeja e takimit tonë është shfaqja e tij e fundit “Gomari i Babatasit”, por zgjedh ta pyes në krye të bisedës tonë, për një fenomen që më ka kuriozuar prej vitesh. Njoh shumë ish-studentë të tij, ata që më mirë se kushdo do ta vizatonin portretin e Altin Bashës si regjisori i teatrit shqiptar, mbushur me dijet e shkollës shekspiriane. “Jam i shkollës së Bashës”- më kanë thënë ish-studentët e tu, sikur të flisnin për Stanislavskin, si një disiplinë që ata e përmendin me mirënjohjen e nxënësit ndaj mjeshtrit. Altin Basha, qesh. Nuk e mohon se i vjen mirë që e dëgjon këtë. “Kam folur gjithmonë për studentët e mi, por asnjëherë nuk i kam individualizuar. I takon atyre të thonë mendimin e tyre: të njëjtën logjikë që ndjek në teatër, e bëj edhe në raport me pedagogjinë. Studentët nuk i shoh si një material që i hedh në një enë dhe të marrin formën e saj. Përkundrazi, shkollën e shoh si një hapësirë kërkimi, duke i çuar deri në ekstrem, për t’i dhënë mundësinë për të provuar mundësitë e vokalit dhe të dijes së tyre. Këmbëngul në çështjen e kulturës së përgjithshme, sepse një artist duhet të jetë një enë e mbushur me njohuri, emocione dhe energji, një enë e cila pritet të shpërthejë në skenë…”
Pas “I Ligu për mend” ktheheni me “Gomari i Babatasit”, duket sikur keni një tërheqje të dukshme me Fishtën?
Ka një histori pas gjithë kësaj: prej vitesh jam i investuar me dramën shqipe dhe mbetet një dëshirë e imja profesionale, vërtetimi i tezës se ne kemi trashëgimi të pasur në fushën e dramës shqipe, por për fat të keq kjo trashëgimi nuk është vlerësuar, për të mos thënë përbuzur. Ndaj kam menduar që vepra të cilat i shoh si asete, ti vë në skenë, sepse tjetër temë është diskutimi teorik dhe tjetër gjë vënia në skenë e veprës, të cilat pastaj e vërtetojnë dëshminë e tyre. Më ka ndihmuar shumë dhe më ka hapur sytë vendimi i teatrit të Prishtinës për të vënë në skenë “I Ligu për mend” i Fishtës. Këtu nisi historia. Vënia në skenë ishte e suksesshme, një bashkëpunim fantastik, edhe pse unë kisha fillimisht dyshimet e mia të veprës, por për fat ajo vepër kishte cilësinë për të qenë e suksesshme. Mendimet e kolegëve dhe ndjekja në teatër, e bëri të jetë një ndër shfaqjet më të suksesshme në Teatrin e Prishtinës që pas periudhës së luftës.
Pra, vepra e parë e Fishtës që vutë në skenë, ju nxiti për “Gomarin e Babatasit”?
Ishte drejtoresha e teatrit të Shkodrës që e pa si mundësi bashkëpunimi veprën tjetër të Fishtës “Gomari i Babatasit”. Si vepër e njihja, më pëlqente tehu i saj i satirës, mesazhi politik, pasuria gjuhësore, mesazhet që përçonte dhe mbi të gjitha tallja e pakufijshme që Fishta bën me klasën politike të asaj kohe, por që ngjan si dy pika uji me politikën e sotme. Këto janë arsyet dhe historia sesi erdhi kjo shfaqje, afrimi im tek Fishta, e më saktësisht tek “Gomari i Babatasit”.
Si ishte të sillje në skenë këtë vepër?
Ishte një sfidë shumë e madhe, pasi vepra është shumë e gjerë: ka dy pjesë “Gomari i Babatasit” dhe “Visku i Babatasit”. “Visku i Babatasit” zhvillohet në parlament, e cila u bë bazë për integrimin e “Gomarit të Babatasit”, ku një pjesë e personazheve dhe skenave janë reduktuar, sepse janë të panevojshme. Vepra sigurisht është e plotë, por e përshtatur për në skenë, pasi teatri ka kërkesa të tjera, ku ka të bëjë paraqitja. Në këtë pikë më ndihmoi dramaturgu Stefan Çapaliku, i cili është jo vetëm shkodran, por edhe studiues i Fishtës dhe i gegnishtes. Kam një të fshehtë: aktorët e Shkodrës dhe Prishtinës e kanë më të lehtë të luajnë këtë vepër për shkak të gegnishtes së Fishtës. Kjo ishte një ndihmë shumë e madhe, sepse është një gjuhë praktikisht për fat të keq e panjohur, duket si një dialekt i mbinatyrshëm, por që është shumë i pasur me fjalë, me struktura, ku shqipja vallëzon shumë bukur. Ne i kemi borxh gegnishtes, sepse edhe shkolla e aktrimit nuk e lëvron në këtë drejtim dhe mendoj se prezantimi i kësaj pasurie gjuhësore, dëshmimi i saj gjuhësor, provon se është një tipar i shqipes.
Publiku nuk pati asnjë problem për të kuptuar dialogjet dhe mesazhet e “I ligu për mend” kur u shfaq në teatrin e Korçës, duke bërë që publiku të komunikonte me veprën, madje e njëjta gjë ndodhi me spektatorin me të dyja veprat e Fishtës në Teatrin Kombëtar.
Kjo ishte arsyeja që zgjodhët aktorët e Shkodrës, për ta veshur veprën brenda petkut fishtian?
Ka dy arsye: e para sepse nuk gjeja dot aktorë që ta luanin kaq mirë dhe e dyta, arsyeja financiare dhe produksioni. Kisha mundësi për të marrë aktorë të jashtëm, por në fakt më vjen mirë që e zgjidha gjithçka me aktorët e trupës së Shkodrës, sepse ata dhanë maksimumin e energjisë së tyre dhe kam marrë prej tyre një shfaqje e cila do të mbetet gjatë në kujtesën e publikut. Nga ana tjetër kam dhënë kontributin e një sigurie, se trupa e Shkodrës është aty, ai teatër me traditë të jashtëzakonshme është përsëri gjallë, tradita e artistëve të teatrit të Serafun Fankut, Lec Bushatit, Beb Shirokës, Ndrek Lucës, Tinka Kurtit, ka pasardhës që presin rastin, se talentet vazhdojnë të gjallojnë.
Sa ju ka ndihmuar 8-rrokëshi i veprës për vënien në skenë, i cili është ndryshe nga 16-rrokëshi i Lahutës?
Ishte fantastik. Gjuha e Fishtës ka një melodi të vetën. Jam i vetmi regjisor që jam marrë më shumë se kushdo me Shekspirin, pasi kam studiuar në Angli dhe e njoh pjesën teknike. Nga eksperienca ime dhe përkthimi i tij në shqip, ka një melodi origjinale. Anglishtja e tingëlluar në varg në atë cilësi, më ka bërë që të kërkoj një version të Shekspirit në shqip dhe tek Fishta kjo gjendet. Pasuria gjuhësore, fjalori i pasur, vargu i bukur, forca e fjalës, karakteret e spikatur, më kanë bërë të gjej si vëllain e Shekspirit në shqipëri. Një pasuri kaq e madhe gjendet edhe në eposin e kreshnikëve, pra ne akoma nuk kemi arritur të hyjmë në këtë thesar kombëtar, për të nxjerrë nga ai mrekulli teatrore.
Ju sillni ballafaqimin e dy kohëve me personazhe identike, atë të politikanëve…?
Vepra ka një provokacion shumë të fortë, ku pjesa më kulmore është momenti i goditjes me plehra të portretit të Skënderbeut. Sigurisht kam pasur dilemat e mia në këtë pikë, por më ka ndihmuar të bëj një portretizim të klasës politike shqiptare, zhvillimet e vendit ndaj prosperitetit dhe dijes, duke nxjerrë në pah detaje si paraja dhe pushteti, makinacione të vogla e të ndryra. Në unitet me këtë logjikë, vihet skena e ngrënies me birra, si një mejhanë e ndyrë. Fishta e portretizon Skënderbeun, si një kusar, njeri pa identitet, ndaj në këtë logjikë e solla skenën, duke bërë që plehrat e asaj darke të hidheshin në portetin e Skënderbeut, për ta provokuar publikun për të mbajtur një qëndrim. Sepse mendoj se teatri nuk mund të jetë një hapësirë romantike dhe pa asnjë lidhje me publikun. Pozicioni ulur i publikut duhet ta bëjë atë të mbajë edhe një qëndrim, të reflektojë. Sigurisht që është një teatër politik dhe kjo më ka nxitur. Të gjitha këto elemente duke bërë pjesë edhe anën vizuale, deri tek kostumet e sjellin atë në kohën tonë. Sigurisht që nuk është një risi nga ana ime, sepse të tilla metodika përdoren kudo, ndaj në këtë drejtim shkon edhe koncepti regjisorial që më rezulton i suksesshëm, duke e sjellë Fishtën jo si një klasik, por si një kontemporan.
Fishta e ka shkruar si një formë shpotie, ju e keni personale ndaj një kasti politik?
Unë i takoj brezit të viteve ’90-të dhe jam studentet i lëvizjes së dhjetorit. Ne realisht mendonim se thënia “E duam Shqipërinë si gjithë Evropa” do të ndodhte shumë shpejt. Ne ishim të ekzaltuar sepse ishim dëshmitarë të një ndryshimi kolosal dhe do të ishim pjesë e këtyre ndryshimeve. Nga ajo kohë kanë kaluar 27 vite dhe pyesim veten: Pse nuk ndodhi kjo gjë. Jam kthyer në Shqipëri në vitin ‘96 pas studimeve dhe në këtë pikëpamje e kam frustrimin: Pse kjo nuk ndodhi? Pse ky proces nuk vjen? Sepse kemi një kastë politike të kapur nga krimi dhe malavita, madje malavita sot është në politikë. Kjo gjë e bën edhe më të fortë reagimin tim si qytetar, ku mjetet e mia artistike janë akoma më të forta. Janë mjete të cilat i përdor jo vetëm në Portokalli por edhe shfaqjet që zgjedh për të vënë në skenë. Mendoj se kjo është një detyrë e çdo artisti për të përcjellë mesazhe, ta bëjë artin mjet për ndryshime pozitive në shoqëri. E kam thënë shpesh: Politika tenton ta vendosë në gjumë trurin e njerëzve, ndërsa artin e zgjon atë.
Edhe ndryshimi i personazhit të arkeologut që do të ndërtojë muzeun, në një arkitekt, erdhi pikërisht në valën e debatit për Teatrin Kombëtar?
Ishte propozim i kolegut Çapaliku. Fishta flet për një muze kombëtar, ndaj ndryshimi në arkitekt ishte shumë elegant, aspak problematik në pjesën e strukturës, madje e bën atë më të komunikueshme. Teatri në këtë pikë ka shumë vlerë. Nëse e fusim veprën në një proces, siç ndodh me kroatët që e vënë teatër në skenë duke aktualizuar. Ne nuk kemi filluar akoma me këtë proces, por nëse do ta bëjmë, do të ndërtojmë një teatër me një identitet shumë të fortë kombëtar.
Sa e keni ruajtur gjuhën e Fishtës, me mallkimet dhe epitetet e tij therëse dhe pse futët bandën e qytetit në skenë?
Epitetet dhe mallkimet e Fishtës i kemi ruajtur në vepër. Kaskada e fjalorit të Fishtës është një nga karakteristikat e gjuhës së tij dhe padyshim që e kemi ruajtur. Monologu i Babatasit është një nga më të bukurit, një protestë, një shkundje e mesazheve qytetare ndaj shoqërisë, të cilat patën një efekt pozitiv. Shkodra ka një bandë muzikore. Në të gjitha fotografitë e Marubit dhe bisedat urbane banda është prezente. Prandaj si brand muzikor shkon me logjikën e vendosjes në skenë të saj, duke e bërë të luhet muzikë live dhe me aq sa di unë është e hera e parë që vendoset në skenë një vepër me një bandë muzikore. Nga ana tjetër ngjarjet zhvillohen në parlament, ku banda si dëgjim muzikor të kujton kakofoninë parlamentare dhe në disa drejtime na shërbeu.
Ju e kthyet në traditë duke zhvendosur shfaqjen teatrale nga Prishtina në Korçë dhe Tiranë, po sillni një shpërndarje te teatrit, sa po ndikon kjo?
Jam i angazhuar shumë në një debat me ministren e kulturës mbi qarkullimin e veprave teatrale. Ne kemi një fat që kemi disa institucione që funksionojnë të ndarë, por që duhet të funksionojnë si një enë komunikuese, në mënyrë që të kishim një lehtësi për të krijuar një treg teatror, lëvizjen e vlerave, produksioneve dhe financave, e sigurisht edhe më ambicioz do të ishte sikur të përfshihej Prishtina dhe Shkupi. Sikur të përkrahej ky mekanizëm, qoftë edhe për të biseduar sesi ky treg teatrosh mund të krijohej, do të kishim pas pesë vitesh një tabllo më entuziaste. Kemi një ministre e cila nuk e njeh fare këtë fushë, nuk ka pasur kurrë interes për të stimuluar zhvillimin. Atëherë në dorë e kanë marrë vetë teatrot, njerëzit që prodhojnë teatër në mënyrë të pavarur. Nga ana e ministrisë, jo vetëm që nuk ka një dëshirë për ta bërë këtë, por ka një përbuzje. Por ama ka një nismë për teatrin nga qytetet e vogla dhe Tirana është e fundit.
Si e gjeni kohën, prodhoni Portokalli prej vitesh dhe gjeni kohë e forcë për teatrin?
Jam aktiv gjatë gjithë kohës. Kam dy projekte shumë të rëndësishme teatrore. Në Teatrin e Prishtinës vitin tjetër do të sjell një pjesë shumë interesante si “Karnavalet e Korçës”, një dëshmi se ne kemi asete që mund t’i propozojmë publikut. Kam dhe një projekt tjetër ambicioz që lidhet me gjyqet e komunizmit. Kam një mendim personal se ne nuk e kemi bërë ende katarsisin tonë shoqëror për shumë krime të kryera në atë periudhë. Teatri mund të shërbejë si një refleksion. Më kanë tërhequr dy ngjarje shumë të rëndësishme: gjyqi ndaj arkitektit dhe piktorit Maksi Velo, dënimi i një artisti pse pikturon mirë, si dhe gjyqi ndaj dy poetëve Vilson Blloshmi dhe Genc Leka, të cilët u dënuan me vdekje sepse shkruanin poezi.
Këto dy shfaqje janë ambicia ime e momentit, sepse teatrin e shoh si një kërkim, jo përfundimin e një procesi me vënien në skenë. Rezultatin e këtij procesi e vlerëson publiku. Kam një problem, sepse prej pesë vitesh jam i përjashtuar nga Teatri Kombëtar, por kjo nuk më shqetëson. Kjo është fatura që kam paguar për shkak të mendimit që kam pasur për mënyrën sesi është menaxhuar Teatri Kombëtar. Nuk e kam problem të paguaj këtë faturë, do të vazhdoj të zbatoj projektet e mia…



















