Prej pak kohësh këngëtari i njohur i muzikës popullore Ylli Baka është përfshirë në show-n e humorit “Portokalli” me anë të imitimit që i bëhet atij, rol që i është besuar aktorit Gaz Paja, por që duket se nuk e kanë pritur dhe aq mirë familjarët e këngëtarit.
Në një intervistë të dhënë për “Panorama” Ylli Baka ka treguar se fillimisht kur i treguan numrin e berë në Portokalli, ai ndodhej jashtë vendit dhe pa vetëm disa momente e qeshi me rolin.
“Kur u ktheva e pashë të plotë dhe më imtësisht rolin, kuptova që ai dilte nga karakteri im. Di të them që roli i tij sa vjen dhe bëhet më popullor, aq sa njerëzit më pyesin: “Çfarë bëhet me Gazin, kur do e bëni atë këngën bashkë?”. Ata mendojnë se ky rol është një aleancë mes nesh, por e vërteta qëndron ndryshe”, thotë këngëtari.
E sa i përket zërave që qarkulluan pak kohë më parë për kërcënimet që i kishte bërë aktorit Gaz Paja për rolin, Ylli Baka thotë: “Për mendimin tim, një artist nuk kërcënohet. Por do i thosha Gazit disa vërejtje. Së pari, sa i takon veshjes, unë s’para këndoj i veshur sportiv, pasi mbaj kostum dhe kravatë. Kështu i them të ndërrojë stilin, pasi ato pantallonat me shkëlqim s’janë të miat. Në fillim u mërzita dhe njerëzve të mi s’u ka pëlqyer. Por kuptohet se Gazi nuk e ka bërë me dashakeqësi, pra, nuk ka inat apo me synimin për të më prishur imazhin. Nuk e di si e shohin të tjerët, se ka nga ata që e shohin shumë ndryshe”, përfundon ai.
Ylli Baka është një prej zërave më të spikatur shqiptar dhe ndër këngëtarët më të kërkuar të muzikës popullore me një karrierë gati 15 vjeçare.