Emi Gliozheni, pasardhësja e këtij mbiemri që ka themeluar historinë e gjinekologjisë shqiptare, mbiemrit që prej mëse një shekulli ka sjellë e ka krijuar jetë, ndan me lexuesit e BORDO eksperiencën e bukur që qëndron pas mikroskopit, nga ku ajo sheh se si ngjizet një embrion.
Nada Biraçi
Foto: Fani Aliko
Si ka qenë fëmijëria juaj me një baba e gjysh aq të njohur në fushën e Gjinekologjisë, emrat e të cilëve lakohen kaq shumë? Pati ndikim terreni ku jeni rritur, në zgjedhjen e profesionit të jetës?
Patjetër që të rriturit në një familje mjekësh ka influencuar në mënyrë thelbësore në rrugën që unë kam vendosur të ndjek në jetë.
Fakti i të qenurit gjithmonë të rrethuar nga libra dhe librari, i të pasurit edhe figura të tjera të fushës si për shembull gjyshja e cila ishte farmaciste, halla e cila ishte kimiste, i të dëgjuarit gjithmonë diskutime mjekësie në shtëpi, fakti i të parit gjithë ndihmën që gjyshi Koço dhe më tej babai jonë Orioni jepnin për njerëzit, konsiderata, mirënjohja dhe respekti që të gjithë kishin dhe kanë për ta dhe për punën e tyre të pa rreshtur, ishte dhe vazhdon të jetë për ne një shembull për t’u ndjekur, nje pikë referimi dhe frymëzimi, diçka që na bën të ecim gjithmonë e më lart, që na bën të mos dorëzohemi në momentet tona më të vështira dhe të synojmë gjithmonë e më shumë.
Megjithatë ndryshe nga gjyshi, babai e vëllai që janë gjinekologë, ju zgjodhët të studioni një degë tjetër, atë të “Bioteknologjisë dhe Gjenetikës”. Pse kjo zgjedhje?
Kjo ishte një zgjedhje thelbësore por aspak e rastësishme. Që në vitin 2003 klinika jonë ishte e para në Shqipëri e cila aplikoi teknikat e Fekondimit të Asistuar dhe filloi të sillte në jetë fëmijët e pare te lindur ‘in vitro’. Për të realizuar këto teknika dy rolet kryesore profesionale janë ato të mjekut patjetër, i cili ndjek pjesën klinike dhe ai i biologut, i cili aplikon në laborator teknikat e shumta të Fekondimit të Asistuar. Për këtë arsye zgjedhja ime ishte më se e qartë që në hapat e para.
Të paturit mundësinë të realizosh falë dijeve dhe zotësive të përfituara, krijimit e një jete të re në laborator dhe dhurimin e një lumturie të paçmueshme për njerëzit, mundësia e aplikimit të analizave gjenetike dhe molekulare të ADS-së apo bota stimuluese e kërkimit shkencor, janë arsyet kryesore të cilat më bëjnë të ndihem e privilegjuar që kam patur mundësinë për të ushtruar këtë profesion.
Gjithsesi mbeteni në mjekësi e në krijimin e jetës, ashtu si familja juaj. Të ecurit profesionalisht në gjurmët e tyre, ishte zgjedhje personale juaja, apo një vendim i diktuar nga prindërit?
Gjykoj se kam qenë gjithmonë një njeri i lirë në të gjitha zgjedhjet e mia profesionale apo personale. Megjithatë në këtë rast kam patur patjetër një lloj sugjerimi për profilin të cilin do merrja. Mendoj gjithsesi se në moshën 18-të vjeçare asnjë adoleshent nuk i ka idetë plotësisht të qarta për të ardhmen e tij apo në çfarë përbën realisht një profesion i caktuar. Në rastin tim ndodhi që, nga njëra anë mbarova gjimnazin me nota të përkryera në të gjitha lëndët, veçanërisht në shkenca, por pavarësisht ende nuk kisha një tendencë apo preferencë të veçantë.
Nga ana tjetër biologjia në aplikimet e saj të shumëfishta dhe të mrekullueshme së bashku me familjaritetin me fushën e mjekësisë, së fundmi mu dukën zgjedhja më natyrale dhe e përshtatëshme për mua, zgjedhje për të cilën nuk jam penduar asnjëherë deri më sot, përkundrazi.
Faktin që mbani këtë mbiemër e merrni si një ‘rrugë të shtruar’ që tashmë ju e dini se si duhet ta vazhdoni, apo si një ‘trysni’, përgjegjësie?
Ndër vite kam mësuar se rezultatet e mëdha dhe arritja e objektivave të rëndësishëm, realizohen vetëm dhe vetëm me punë të vazhdueshme, me mundime, vendosmëri, sakrifica dhe orë të pakta gjumi.
Fakti që mbiemri jonë njihet në fushën e mjekësisë dhe kemi patur një strukturë të ngritur reference, nuk është një faktor të cilin mundohemi ta shfrytëzojmë për të patur “lehtësime” por përkundrazi, është diçka që na shtyn të tregojmë edhe më tepër se ne jemi të aftë dhe meritojmë realisht të ndodhemi pikërisht këtu ku jemi falë studimeve të gjata, përditësimeve të vazhdueshme shkencore dhe punës intensive ndër vite.
Ne e shohim patjetër si një përgjegjësi, por nga ana tjetër edhe si sfidë me të cilën duam të përballemi në të ardhmen. Në veçanti me klinikën e re absolutisht ekselente të cilën kemi inauguruar vitet e fundit, synojmë në realizimin e projekteve gjithmonë e më ambicioze. Synojmë të mbajmë gjithmonë standartet më të larta në mënyrë të tillë që të vazhdojmë të jemi një qendër reference, përsosmërie dhe profesionaliteti në fushën tonë në nivele kombëtare ashtu si edhe ndërkombëtare.
Gjithë Gliozhenët në një klinikë, si është kjo marrëdhënie kolegë-familjarë?
Në të vërtetë është diçka që vjen krejt natyrshëm. Babai është munduar gjithmonë të na formojë në më të mirën e mënyrave, duke na dërguar në shkolla prestigjoze ende që në moshë të vogël, ashtu si edhe me edukimin personal në familje. Ai është munduar çdo herë të na përcjelli, vëllait tim dhe mua, vlerat më të larta dhe të na nxisi të japim përherë maksimumin. Kjo, së bashku me faktin që ne punojmë çdo ditë përkrah tij, ka bërë të mundur që të kemi shumë pika të përbashkëta, sidomos në këndvështrimin profesional dhe në përpikmërinë e punës. Ai është i pari që na shtyn të kërkojmë gjithmonë e më shumë nga vetja e mos kënaqemi asnjeherë me pak dhe kjo na motivon që edhe ne të synojmë të japim një kontribut të rëndësishëm për njerëzit dhe për komunitetin shkencor, të arrijmë të realizojmë projekte, objektiva të reja apo milestone akoma të pa eksploruara.
Nëse një çift nuk arrin dot të ketë një fëmijë në mënyrë natyrale, ju i vini në ndihmë me anë të fekondimit “In Vitro”. Sa fëmijë kanë ardhur në jetë në klinikën tuaj nëpërmjet kësaj metode?
E vërtetë, fekondimi “In Vitro” ju ka ardhur në ndihmë shumë çifteve. Për herë të parë në Shqipëri procesi i fertilizimit in vitro u realizua pranë klinikës sonë në vitin 2003. Sot ne numërojmë mbi 2000 fëmijë të lindur me anë të kësaj metode. Binjakët e parë janë sot 15 vjeç. Gjithashtu, ka raste kur prindërit që janë gëzuar me një fëmijë, vijnë përsëri pas disa vitesh për të tentuar shtatzëninë e dytë.
A mund ta përdorë kushdo këtë metodë? Çfarë duhet të dinë prindërit që duan të provojnë një shtatzëni nëpërmjet RMA (Riprodhimi Mjekësor i Asistuar)?
Fekondimi “In Vitro” është zgjidhja për të gjitha çiftet që kanë probleme për arritur një shtatzëni në mënyrë naturale. Nëse një çift ka më shume se 1 vit që tenton të ketë një fëmijë dhe nuk arrin këtë rezultat, atëhere sugjerohet që të fillojë t’i referohet një strukture të specializuar. Çdo çift është një rast i veçantë, me problematikë specifike. Për këtë arsye është e rëndësishme të bëhet nje konsultë fillestare me mjekun ku merren gjithashtu dhe informacionet e nevojshme në lidhje me të gjitha procedurat.
Pacientët i nënshtrohen disa ekzaminimeve për të vendosur së pari diagnozën e saktë, më pas përzgjidhet teknika më e përshtatëshme për ta dhe planifikohen për një cikël fekondimi “In Vitro”. Nga ana klinike shtatzënia e arritur me anë të RMA nuk ka asnjë diferencë nga ajo e arritur në mënyrë natyrale.
Çfarë ndikon më shumë në mospasjen e një shtatzënie në mënyrë natyrale? Cilët janë shkaqet e faktorët që ndikojnë?
Shkaqet e infertilitetit janë të shumta, duke filluar nga anomali të lindura të organeve gjenitale tek njëri ose tek të dy partnerët, mungesa e ovulacionit ose çrregullime të tij, cilësi e dobët e ovociteve tek femra apo cilësi e dobët e spermës tek mashkulli. Faktorë të tjerë janë ato shoqërorë dhe ambientalë që lidhen me stilin e jetesës apo ambiente të veçanta pune ku ka ekspozim me substanca të dëmshme. Faktorë të tjerë janë ata gjenetikë të cilët kanë të bëjnë me patologji specifike të mbartura në ADN dhe trashëgohen ndër breza.
Mosha e avancuar e femrës gjithashtu i ul shumë shanset për të arritur lehtësisht një shtatzëni në rrugë natyrale dhe rrit shanset e akumulimit të anomalive gjenetike të cilat i përcillen fëmijës. Në dy rastet e fundit sygjerohet aplikimi i analizave gjenetike para implantimit te embrionit (PGT).
Çfarë janë më saktë testet gjenetike para implantimit te embrionit (PGT)? A kryhen këto ekzaminime me kërkesën e mjekut apo të pacientëve?
PGT është termi i pergjithshëm që përfshin dy kategori kryesore të cilat janë PGS dhe PGD. Të dyja këto janë metoda të diagnostikimit të embrionit përpara se ai të implantohet në mitrën e nënës. PGS (Screening Gjenetik Para implantimit), kontrollon nëse embrioni ka anomali kromozomike dhe aplikohet kryesisht në rastet kur nëna ka një moshë të lartë. PGD (Diagnoza Gjenetike Para implantimit), kërkon në mënyrë specifike nëse ka të pranishëm gjene difektozë tek embrioni dhe kryhet kur prindërit janë mbartës të ndonjë sëmundjeje gjenetike dhe duan të dinë nëse gjenet përgjegjës për sëmundjen janë trashëguar tek embrioni. Këto analiza kryhen për të mundësuar transferimin e atyre embrioneve që janë të shëndetshëm, pra ato mund të realizohen vetëm nëse prindërit i nënshtrohen fekondimit “In Vitro”. Kryesisht janë mjekët dhe biologët që informojnë pacientët për ekzistencën, mënyrën e realizimit dhe përfitimet e përdorimit të këtyre analizave, pasi janë njohur me anamnezën e pacientëve dhe është vendosur diagnoza përkatëse.
Në klinikën tuaj realizohet edhe procesi i ngrirjes së vezëve. A mund të përshkruash për lexuesit tanë se çfarë është ky proces dhe a ka patur në Shqipëri raste të femrave që kanë zgjedhur këtë metodë?
Aftësia riprodhuese e gruas ulet ndjeshëm me rritjen e moshës. Jo vetëm numri por edhe cilësia e vezëve që femra prodhon ulen. Kjo pasi mekanizmat e ndarjes së qelizave plaken dhe mund të bëjnë gabime të cilat pasqyrohen më pas në një embrion jo të shëndetshëm apo aborte të ripërsëritura. Procesi i ngrirjes së vezëve në moshë të re është i këshillueshëm në rastin grave që planifikojnë një shtatzëni pas të 30-tave. Pacientja i nënshtrohet stimulimit hormonal në mënyrë që të merren prej saj sa më shumë vezë të shëndetshme të cilat më pas do të ruhen në bankat tona derisa ajo të vendosi eventualisht ti përdori. Gjatë ruajtjes vezët e ndalojnë aktivitetin e tyre qelizor dhe biokimik, pra nëse janë ruajtur për shembull në moshen 27-të vjeçare, në cilëndo moshë pacientja do të ketë nevojë ti përdori, vezët ngelen në moshën 27-të vjeçare dhe cilësia e tyre është optimale.
Në klinikën tonë, prej vitesh tashmë vazhdon të zgjidhet kjo metodë nga vajza dhe gra që janë të përqëndruara tek karriera e tyre, që nuk kanë gjetur akoma partnerin e duhur për të krijuar një familje, etj. dhe janë gjithashtu ndërgjegjësuar për limitet e moshës biologjike tek femrat.



















