Nga Ilda Lumani
Nuk është arrogancë të them që shoh fare pak televizion shqiptar. Më së shumti gjithë përmbledhjen e çfarë ndodh e marr veç me një dozë “zapping”. Ndërsa një program/spektakël nga fillimi në fund…?! Nuk mbaj mend kur ka ndodhur!
Këtë të shtunë ama ndenja deri pas mesnate për të parë “Këndo këngën time”! Nuk kisha parë asnjë seri më parë të këtij show. Gjithë informacionin për të e kisha marrë nga faqja e programit në rrjetin Social Instagram, teksa një ditë me parë ndoqa po aty këngët nga artistët e rinj, të cilët kishin ndoshta repertorin më të bukur deri tani, atë të Legjendës së muzikës shqiptare, Aleksandër Gjoka.
Me aq dëshirë sa ndoqa këngët e tij, po aq edhe copëzat e historive që shoqëronin këngët, ndonjë zbulesë të vogël për hitet e tij, e mandej një fakt që sa vjen e forcohet… “Aleksandër Gjoka, është artisti që nuk ka bërë KURRË kompromis me muzikën”. “Në murin e muzikës shqiptare dua që të kem dy tulla të shkruara Aleksandër Gjoka”, tregoji ai në bisedën me Ardit Rroshin, që shfaqet (në mos gaboj) për herë të parë në një spektakël si show-man. Në derën e Gjokës ndër vite kanë ardhur oferta për këngë komerçiale, por artisti i pakompromis u shpreh se: “Nuk i kam pranuar”! Sa e vështirë të jesh i papërlyer në këtë realitet! Të mbetesh nga fillimi deri në fund i pastër!
Aleksandër Gjoka nuk është artisti i çmimeve të para në Festivale. “Twist again”, është e vetmja këngë me kupë festivali Pranvere, (përjashto dhe fitoren në Kënga Magjike duet me këngëtarin Renis Gjoka), por ama këngët: ” Zemra e një gruaje”, “Anija Plakë”, “Ditë dimri”, “Dashurisë së shkuar”, “Kuturu” kanë çmimet më me vlerë, ato të publikut! Ato kanë trofeun e përjetësisë! Prej mbi dy dekadash, ato këndohen nga të tre brezat! Ndërsa, vijojnë t’i falin sukses artistit në koncertet e fundit “live”, te cilave ju është rikthyer këto dy vite.
Këngët e Gjokës këndohen në mënyrë masive dhe janë “Kali i betejës” për çdo artist të ri! Andaj, teksa këngëtarët e së nesërmes debutonin në skenën e “Këndo këngën time” ishin të sigurt se kishin në dorë materialin që do t’i memorizonte më shumë se kurrë në sytë e publikut!
Mes copëzave të kujtimeve Aleksandër Gjoka rrëfehu suksesin “e vonuar” që njohu “Ditë dimri”, e albumit me po të njëjtin titull, e cila filloi të pëlqehej 2 vjet pas publikimit të saj… apo muzikën e “Dashurisë së shkuar”, kompozuar disa vite më parë se ajo të njihte daljen në skenë! Një pohim i rëndësishëm është krijimtaria ende e papublikuar e Gjokës, rreth 80 kompozime, që presin Dritën Jeshile të artistit. “Zëri i veçantë është arma ime më e fortë, më tepër sesa kompozimi”, u shpreh ikona e muzikës shqiptare, megjithatë ne dëshirojmë të shohim edhe më shumë nga krijimtaria e tij!
