
Sa shumë ëndrra për udhëtime, për të shijuar të ardhmen, për të punuar gjithnjë edhe më fort.
Gradacelat e komfortit tonë për pak do të gervishtnin qiellin.
Kishim harruar esencialen, kuptimin e jetës…të mblidhemi në shtepi dhe të duhemi me familjen.
Ky virus na “detyroi” ne njëfarë mënyre ti rikthehemi traditës, duke na mbyllur në oazin e dashurisë të gjithëve së bashku.
Më pëlqen ta quaj virusi i “balancës” sepse i dha çdo gjëje peshën qe i takon, duke vendosur një rend të ri në jetën tonë.
U duk sikur na ndau, por në të vërtetë po na bashkon.
Kishte kohë që nuk gatuanim të gjithë së bashku, nuk shikonim kaq shumë filma bashkë, nuk bisedonim më pranë zjarrit deri në oret e vona, nuk shijonim mëngjesin e vonë bashkë, nuk luanim bashkë dhe nuk qeshnim më kaq shumë duke parë fotografitë e vjetra, duke treguar barcaleta ose histori nga e kaluara.
Vërtet në zemer fshehim stres dhe shqetësim për të ardhmen e mjegullt, për lirinë, ekonominë e pezulluar, për ëndrrat e prera në mes, por stresi i vjeter i përditshmërise na rrëmbente më shume duke mos na lëne kohë as të nxirrnim frymen.
Kishte kohë që “nuk kishim më kohe” për ti realizuar të gjitha këto.
Koha “e vjedhur” po na rikthehet, e shumëfishuar.
Ky virus po na rikthen në kapitujt e mëparshem të historise.
Atëherë kur jeta mbante aromë familje dhe kishte tjetër kuptim.
Po na rikthen në kohët kur buka gatuhej vetë në shtëpi nga duart e buta të nenave apo gjysheve tona, kur ngrohtësia e saj të ngrohte shpirtin, aroma shpërndahej në çdo cep të shtëpisë dhe ne si femijë me naivitet e quanim “bukë lepurushi”.
“Falë” Corones, po i jetojme ato kohe perseri.
Karantina nuk duhet të na zvogëloje, nuk eshte ky qëllimi i saj, ne duhet ta mundim atë.
Sepse ka një dhurate pas cdo dhimbjeje, ka një takse morale përpose asaj ekonomike.
Qellimi i karantinës është të na bashkojë me familjen, të na beje të vlerësojmë më shumë shëndetin, jetën dhe gjërat vertetë me rendesi të kesaj bote.
Ky virus ka bërë një diferencë, ka vendosur kufirin mes absurditeteve, “tekave” tona ne përditshmmeri dhe nevojave tona të vërteta, të cilat i kishim nënvlerësuar ose marrë si të premtuara.
Ky virus ka vendosur një balancë të re, kufinj të ri edhe pse Coronavirus nuk njeh kufinj, nuk njeh pasaportë, pushtet apo pasuri.
Perpara këtij ushtari të pangopur, jemi të gjithë të barabartë.
(Nga Ambra Hysa, gazetare)



















