Prej tre javësh ai dhe kolegët e tij vijojnë ditë-natë luftën me këtë virus të pabesë, që po gjunjëzon botën.
Renato Osmanaj, Radiologu i Spitalit Infektiv në Tiranë, i ftuar në studion e gazetares Beti Njuma në Ora News, rrëfeu betejën me Covid-19 si dhe me pasionin e një misionari që shpëton jetë, ai premtoi se nuk do të infektohet, pasi nuk ka kohē, ai dhe kolegët e tij i duhen pacientëve:
“Ne, në Spitalin Infektiv, nuk kemi kohë të sëmuremi. Duhet të jemi aty. Momentet e dhimbshme bëhen më të lehta kur nxjerrim pacientë nga spitali të shëruar. Ne nuk kemi kohë të jemi të sëmurë. Jemi 24 orë në shërbim të sëmurëve. Këto ditë kam qenë larg familjes, ndaj kam një mesazh për tre fëmijët e mi. Babi ju do shumë, por ky është misioni ynë. Ne jemi stërvitur për të bërë këtë punë. Kjo është luftë dhe ne jemi në luftë!”; u shpreh Osmanaj gjatë intervistës.
Në fakt rrëfime heronjsh të veshur me mantelë të bardhë, këto ditë kemi dëgjuar e me siguri do të dëgjojmë sërish, por ajo çka mund ta themi me siguri dhe nuk duhet ta harrojmë është se edhe pas kësaj lufte, këta heronj do vijojnë të bëjnë të njëjtën gjë; të luftojnë demonët qē duan të marrin jetë njerëzish…
Mirënjohje, respekt e përulje për këta super heronj që janë të vdekshëm si ne!



















