Me një fustan Dior rozë, Chiara Ferragni shfaqet në galerinë Vittorio Emanuele II në Milano si një vizion i dalë nga filmat e Fellinit. Buzëqesh para aparatit fotografik, ndërsa dhjetra adoleshente i thërrasin në emër. Tejet sharmante, blogerja e famshme, me një numër rekord prej 16.7 milion ndjekësish, në shtator do të jetë pjesë e një dokumentari, ku do të rrëfejë jetën e saj të transformuar në pak kohë falë ndikimit të botës së internetit dhe rrjeteve sociale. Dokumentari tregon ngritjen e saj meteorike, nga vajza e një dentisti nga Kremona, në krye të klasifikimit nga Forbes si Top Influencers. Tani Chiara është ambasadore e Pomellato, markën e bizhuterive milaneze (te cilen e gjeni ne Tirane, si ekskluzivitet i Gjikondi!). “Shpirti i Chiarës është i mrekullueshëm. Mesazhi i saj është i fuqishëm: secili prej nesh duhet të thyejë tavanin e qelqit për të jetuar jetën që imagjinon,” thotë CEO i Pomellatos, Sabina Belli. Marka e njohur ‘e bleu’ imazhin e 31-vjeçares, për të rritur shitjet, por edhe sepse është një nënë e re e cila plotëson vlerat e Pomellato.
“Besoj se është e mundur që të bësh karrierën dhe nënën, nëse punon për atë që ke ëndërruar.” – shprehet blogerja. Natyrisht, veshjet dhe aksesorët falas që sot mban Ferragni nuk ishin dikur pjesë e gardërrobës së saj. Në vitin 2009, kur postoi fotot e para, ajo ishte ende një studente. Kombinimet e para ishin një përzierje strategjike e çantave vintage me veshjet e Zara. Ndjekësit e parë në Instagram në 2012 ishin kryesisht miq, e një vit më pas nisi të bashkëpunonte me linjat e lira të modës, e ndërsa audienca rritej, negocioi me etiketat luksoze, të cilat jo vetëm që e paguanin për postimet e sponsorizuara, por edhe e ndihmuan në ngritjen e profilit të saj. Marka Ferragni, e cila ka një sy të shndritshëm si emoji, bëri që ajo të firmoste kontrata me mbi 400 dyqane në Milano, Paris dhe Shangai, duke gjeneruar 25 milionë dollarë të ardhura vjetore. “Sekreti i mediave sociale është të mos mendosh shumë,” thotë blogerja, e cila vendos 4 deri në 6 foto çdo ditë në rrjetet e saj sociale. Për Ferragni, çdo moment duhet ndarë me të tjerët, pa përmendur fuqinë e produkteve që publikon, një pjesë e të cilave janë me sponsorizime.
Tani asgjë nuk është jashtë limiteve, nga darkat romantike me bashkëshortin, reperin italian, Fedez deri tek udhëtimet me djemtë e saj. Ceremonia e dasmës së tyre vjet në Siçili, sipas Launchmetrics solli një fitim prej 36 milionë dollarësh. Ekstravaganca e dasmës 3 ditore u shfaq në Instagram, përfshirë edhe performancën e dhëndrit në hashtagun #TheFerragnez. Ndikimi nuk kishte të paguar: Dior krijoi dy fustane për ditën e madhe, mbi të cilin u qëndis teksti i “Favorisca i Sentimenti”, kënga që Fedez shkroi për t’i propozuar Ferragni; Prada krijoi një fustan koktej të mbuluar me kristale, ndërsa Pomellato unazat me diamante për çiftin. Sipas përllogarritjeve hashtagu #Ferragnez, krijoi më shumë ndikim në internet sesa dasma mbretërore Britanike me 67 milionë ndërveprime në 4 ditë. “Ishte një çmenduri”, thotë Ferragni, duke pirë një ekspres në një cep të qetë të Pasticceria Marchesi. “Nuk mund të besoja që unë dhe Fedez bëmë më shumë zhurmë se dukesha dhe princi.” Pra, çfarë do të ndodhë tani me mbretëreshën e rrjeteve sociale? “Fedez dhe unë kemi shumë projekte” thotë ajo. Lidhja e botës së modës dhe muzikës, i ka kthyer në një prej çifteve më të fuqishme të mediave sociale, ku çdo që ata prekin, e kthejne ne ar!