
SQARIM: Kjo ëmbëlsirë nuk është për ata që duan të hanë diçka të lehtë, por për ata që duan të shijojnë çdo kafshatë dhe nuk duan t’ia dinë për kaloritë.
Përbërësit për cheesecake-un:
500 gram djathë mascarpone (mund të zëvendësohet edhe me djath krem apo ricotta)
½ gotë sheqer pluhur
2 kokrra vezë
pak esencë vanilje
Përbërësit për brownie-n:
¾ sheqer të bardhë
¾ sheqer kaf
4 kokrra vezë
200 gram gjalpë i shkrirë
1 gotë miell
1 gotë pluhur kakaoje
(opsionale: 100 gr çokollatë e prerë në copa të vogla ose arra)
Si fillim, ndezim furrën në 180°. Për këtë ëmbëlsirë mund të përdorim një tavë drejtkëndore të madhe.
Nisim me përgatitjen e cheesecake-ut, duke përzier së bashku të gjithë përbërësit, mundësisht me një mikser, deri sa të krijohet një masë homogjene. Masën e përftuar e ruajmë në frigorifer, ndërkohë që përgatisim brownie-n.
Në një enë tjetër, fillimisht përziejmë sheqerin (të bardhë + kaf) me vezët. (Mund të përdorim sërish mikserin për një punë më të lehtë.) Më pas shtojmë gjalpin e shkrirë duke i trazuar ngadalë, dhe së fundmi shtojmë pluhurin e kakaos dhe miellin. I trazojmë deri sa të gjithë përbërësit të jenë përzier mirë. Nëse keni dëshirë ta bëni akoma më të shijshme, mund të shtoni copa çokollate, apo edhe arra ose lajthi. Masa e përftuar do të jetë pak e trashë në krahasim me një kek të zakonshëm.
Në tavën e pjekjes, të cilën mund ta lyejmë me pak gjalpë e miell ose të vendosim një letër pjekjeje, si fillim hapim pak më shumë se gjysmën e masës së brownie-t. Më pas hedhim të gjithë masën e cheesecake-ut dhe sipër hapim pjesën e mbetur të brownie-t. Pamja mund të mos jetë shumë e njëtrajtshme, por shija do të jetë shumë e mirë.
E lëmë të piqet për rreth 30-35 minuta. Pas pjekjes e lëmë të ftohet mirë para se ta presim. Këshillohet të ruhet në frigorifer. Do shijojë akoma më shumë të nesërmen. Ju bëftë mirë!
Pergatiti: Afrora Muca