Nata finale e Top Talent 3 dhuroi një spektakël të vërtetë, ku edhe pse disa prej konkurentëve nuk arritën të merrnin çmime, ata treguan vlera. Një prej tyre ishte grupi i kërcimit nga Elbasani AR Dance nën drejtimin e profesorëve Ardit Luzi dhe Ruzhdi Veshi. “Nata finale ishte shumë mbresëlënëse për grupin AR Dance dhe mbas këtij kompeticioni ne ndihemi me të vërtetë krenare” – u shpreh për Bordo drejtuesi i grupit Ardit Luzi.
Ajo që spikati me këtë grup ishte fakti se që nga fazat e para të audicioneve, e deri në finale ata erdhën ndryshe, me zhanre e gjini të larmishme kërcimesh. “Në çdo fazë ne kemi ardhur ndryshe. Ne punojmë me të rinj dhe fëmijë që të frymëzojnë. Për mua një nga momentet më të bukura të Top Talent ka qenë gjysëmfinalja, kur i gjithë publiku shtangu në momentin kulminant të valles”- kujton Luzi. Thuajse në të gjitha mbrëmjet AR Dance solli performanca të bukura, por pa dyshim kurimi deri në detaje që i bëjnë valles popullore dy profesorët Ardit Luzi dhe Ruzhdi Veshi janë një armë e fortë.
“Padyshim që pika jonë më e fortë është popullorja. Pas hapave që mësojnë nxënësit tanë fshihet shpirti ynë” – rrëfen profesor Luzi. Grupi AR Dance ka 3 vite që është krijuar dhe misioni i tij është që të afrojë sa më shumë të rinj që e duan kërcimin dhe vallen popullore, fëmijë të cilët tani janë bërë pjesë e një familje të madhe. “Aktivitetet tona organizohen kryesisht në Teatrin Skampa dhe në shfaqje që na ftojnë. Por pjesëmarrja në Top Talent është një prej atyre momenteve që na ka bërë shumë krenarë”. Edhe pse u është dashur që të mësojnë numrat koreografikë brenda pak ditësh, madje me një numër të madh kërcimtarësh, që shpesh ka qenë e vështirë, dy mjeshtrat Ardit Luzi dhe Ruzhdi Veshi, kanë arritur të na magjepsin me grupin e tyre.
Një prej këtyre momenteve ishte nata finale, ku Sebastian Laci arriti që me staturën e tij të na kthejë në vëmendje portrete të njohur të valles popullore, si Rexhep Celiku, duke na lënë të kuptojmë se tradita jonë është në dorë të sigurt. “AR Dance ka nxënës shumë të talentuar që është vërtet e vështirë për ti veçuar, aq sa kur punon me ta, harron të shkosh në shtëpi. Në të ardhmen e AR Dance do e shohim në skena të njohura, sepse këta fëmijë po rriten me kërcimin”- thotë profesor Ardit Luzi.
Fotografia: Gergard Pregapuca