KreuFashion

Receta: Me frutat e stinës

Me frutat e stinës

Me frutat e stinës mund të krijoni një pafundësi recetash, të shijshme dhe shumë të bukura. Mos harroni, salcat janë baza e shumë recetave, por edhe pjata të para e të dyta, mund të transformohen shumë bukur përmes aromave të frutave, pa harruar lëngun e tyre, me të cilin mund të krijoni çaj të freskët apo akullore.

Salcë me avokado 

Përbërësit: 2 avokado, 500 gr kos, 20 ml vaj ulliri, 2 gr kripë, 2 limona

Përgatitja: Marrim avokadon dhe e presim në mes. E pastrojmë duke i hequr lëkurën dhe bërthamën, dhe e vendosim në një enë. Avokadoja nuk duhet të jetë shumë e fortë. Më pas marrim limonat dhe i shtrydhim. Lëngun e 2 limonave e hedhim tek avokadoja që sapo kemi pastruar.

Në enën me avokado dhe limon shtojmë kosin, vajin e ullirit dhe kripën. I përziejmë të gjitha së bashku dhe më pas i vendosim në blender dhe i përziejmë të gjitha produktet, derisa të bëhet një masë kremoze. Në fund i nxjerrim nga blenderi, i kalojmë në një sitë dhe salca është gati për t’u shërbyer.

 

Sallatë me rukola, proshutë dhe pjeshkë

Përbërësit: 1 tufë me rukola, 3 pjeshkë të pjekura dhe të forta, 60 gr proshutë e thatë e tymosur, 30 gr djathë të bardhë, 3 lugë vaj ulliri ekstra të virgjër, kripë, 1 lugë salcë Worcestershire, 3 lugë me arra dhe fara luledielli.

Përgatitja: Pritini pjeshkët në feta të holla. Lajeni rukolën dhe lëreni të thahet. Në një pjatë vendosni fillimisht rukolën, më pas shtoni pak kripë dhe vaj ulliri. Vendosni sipër sallatës së rukolës feta të holla proshutë të thatë dhe frutat e thata. Shtroni sipër fetat e pjeshkës të prera hollë. Në një enë përzieni vajin e ullirit me salcën Worcestershire derisa të krijohet një masë homogjene. Më pas hidheni atë sipër sallatës, duke i shtuar sipër edhe djathë të bardhë të thërrmuar. Vendoseni në frigorifer për pak minuta para se ta shërbeni.

 

Supë e ftohtë me mango dhe xhinxher

Përbërësit: 1 mango e madhe, 1/2 qepë, 1/2 filxhan ujë të ftohtë, 1-2 speca të vegjël, lëng limoni, 1/2 xhenxhefil i grirë.

Përgatitja: Pastrojini mirë të gjithë përbërësit. Më pas vendosini të gjithë përbërësit në blender dhe grijini derisa të jetë krijuar një masë salce kremoze. Futeni masën e përfituar në frigorifer para se ta shërbeni. Lëreni pak kohë dhe shumë shpejt do të keni gati supën e ftohtë me mango dhe xhenxhefil.

___________

Bouar ne Revisten Bordo

Gusht-Shtator

 

Bordo
Shtator - No.63

SHKARKO VERSIONIN PDF