Nga Rovena Rrozhani
Nuk do të kishte ditë tjetër më të përshtatshme se kjo e premte e 31 korrikut 2020 për t’u fokusuar në një lindje. Në Ditën Ndërkombëtare të Rangers, thënë ndryshe, por ndoshta jo aq plotësisht në shqip, Dita e Rojtarëve të Mjedisit, zë e merr formë “Libri i Mjedisit”, një nismë drejtuar të rinjve shqiptarë.
Prej datës 5 qershor që shënon Ditën Botërore të Mjedisit, ky libër u hap për të rinjtë nga e gjithë Shqipëria të cilët mund të shprehnin mendimet e ndjenjat e tyre për gjithë sa i ndodh mjedisit.
Të përditshme dhe befasuese vërshimet rinore në poezi, prozë, ese, pikturë dhe poster ku vijnë bukur e qartë qëndrimet e të rinjve, reflektimet e thirrjet e tyre për të ndryshuar sjelljen tonë ndaj mjedisit.
Janë të shumtë dhe kaq të veçantë, si tingujt dhe ngjyrat që vetë natyra ofron. Vargje dhe rreshta ku burojnë argumenta dhe mendime, ndjenja dhe thirrje, piktura dhe postera që sjellin nga një anë dëmin dhe shkatërrimin, por nga ana tjetër qetësinë blatuese të natyrës, apo ëndrrën për një të ardhme të denjë për njerëzimin e tokën. Bashkëjetesa midis njeriut dhe natyrës për të shtyrë tutje ndryshimet klimatike, ndotjen në ujë, tokë dhe në ajër, për të ruajtur pyjet dhe biodiversitetin, zbërthehet me lirshmërinë rinore ku vlerat artistike janë po aq të ndjera sa mesazhet që përcillen. Një nga gjimnazistet shkruan: ”Ndonëse në poster kam listuar disa prej datave kryesore mjedisore, është e rëndësishme të njohim faktin se përpjekjet tona për të mbrojtur mjedisin janë frytdhënëse vetëm nëse janë konstante e të vazhdueshme, dhe jo njëditore! Duhet të kujdesemi për ruajtjen dhe rikuperimin e potencialeve natyrore të Shqipërisë, si dhe t’i përdorim ato në mënyrë të zgjuar dhe ekologjike, pa dëmtuar burimet e paripërtëritshme”. Mesazhe si ky, brenda dhe jashtë punëve konkurruese vijnë nga Tirana, Saranda, Durrësi, Lezha, Këlcyrë, Shkodra, Vora, Pogradeci. Korça, Rubiku, Fieri, Patosi etj, nga shkollat nëntëvjeçare dhe gjimnazet, publike apo private. Dëshmohet kështu se brezi i ri ka ndjeshmëri dhe përgjegjësi për t’u angazhuar në çështje mjedisore. Aty mes tyre mund të gjejmë rrënjët e sjelljes miqësore, zgjidhjeve alternative, ndryshimit të stilit të jetesës dhe frenimit të makutërisë shkatërruese ndaj pasurisë së përbashkët. Është frymëzuese të lexosh e shohësh përmes pikturave dhe krijimeve të këtyre të rinjve, këndvështrimit krejtësisht të qartë dhe të vendosur, pa as më të voglën mëdyshje për çfarë i duhet sot mjedisit. Kënaqësia është e dyfishtë kur pikas, shpirtin e artistit të ri, të angazhuar në shoqëri. Artistët e vërtetë e vënë gishtin në plagët e shoqërisë dhe jam e bindur se ndër pjesmarrës, kemi shumë syresh.
Mes tyre natyrisht që do të vlerësohen më të mirët, por të mirët pa shokë nuk shkojnë dot larg në misionin e tyre. Bashkë, zëri është më i fortë dhe ndryshimi më i lehtë e më shpejtë!
Ndaj sot, teksa ndahen çmimet dhe vijon puna për botimin e “Librit të Mjedisit”, mendoj se këta të rinj e meritojnë të quhen të gjithë Rangers – Rojtarë të mjedisit, ndonëse nuk janë me angazhimet e përditshme që rangers-at aktualë kanë.
Por ata janë rreth 100 rangers misionarë të ndryshimit të mentalitetit antimjedisor. Ata janë rojtarët dhe rishtarët e të ardhmes për mjedisin, aty ku vërtet fillon sfida, te mendja, nëpërmjet shpirtit. Dhe “Libri i Mjedisit” është toka ku fara e ngjizur do të mbijë!
Urime pjesmarrësve për çdo gërmë e ngjyrë, çdo fakt, çdo mendim, çdo apel, çdo detaj të bukur të natyrës që është apo si duhet të jetë, dhe çdo dëshmi të dhimbshme të asaj që i kemi bërë Tokës.
Gëzuar Ditën Ndërkombëtare të Rangers-ave, që këtë vit, në Shqipëri festohet me ngjyrat e të rinjve dhe fuqinë e tyre!